Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes “Trepça” Sh.A ka shqyrtuar më 6 gusht rastin disiplinor ndaj punëtorit A.A., i cili është akuzuar për fjetje gjatë orarit të punës.
Në njoftim thuhet se ndaj tij është shqiptuar masa disiplinore, dënim me para gjobë në lartësi prej 30% të pagës mujore për një periudhë deri në pesë muaj.
“Pas shqyrtimit të çështjes, Komisioni ka konstatuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, në përputhje me nenin 10, paragrafi 1, nënparagrafi 1.32 të Rregullores nr. prot: 2906, datë 30.07.2020, për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A, e cila parashikon: Fjetja në vendin e punës gjatë orarit të punës. Në bazë të këtyre shkeljeve, Komisioni Disiplinor, me vendim nr. prot: 6429, datë 06.08.2025, ka rekomanduar Kryeshefin Ekzekutiv për t’i shqiptuar masën disiplinore – dënim me para-gjobë në lartësi prej 30% të pagës mujore për një periudhë deri në 6 muaj”, vijon njoftimi.
Tutje, thuhet se Kryeshefi Ekzekutiv, me datë 07.08.2025, ka sjellë vendimin nr. prot: 6430, datë 07.08.2025, me të cilin ka shqiptuar masën disiplinore – dënim me para-gjobë në lartësi prej 30% të pagës mujore për një periudhë deri në 5 muaj ndaj A.A.