Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Sllovenisë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ndarë tashmë mendjen për formacionin që do ta vendos për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kosova do të luajë si mysafir i Sllovenisë në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Kështu, trajneri gjerman, Foda, ka vendosur tashmë për formacionin që pritet të luajë në ndeshjen jetike ndaj Sllovenisë.

Sipas burimeve të Telegrafit, Foda do të vazhdojë t’i besojë rreshtimit 3-5-2, i cili në mbrojtje transformohet në 5-3-2, ku pjesë e tij do të jenë disa ndryshime të domosdoshme.

Ndryshimi i parë do të jetë në portë, ku Amir Saipi do ta marrë vendin e Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve.

Kapiteni Amir Rrahmani pritet të kthehet në ekip pas lëndimit dhe do të marr vendin e tij nga minuta e parë.

Përveç Rrahmanit, në treshen e mbrojtjes pritet të luajnë edhe Albian Hajdari dhe Lumbardh Dellova, i cili shihet si i favorizuar ndaj Fidan Alitit, ndërsa krahët do t’i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

Mesfusha do të përbëhet nga Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija, teksa në sulm dyshja Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.

Milot Rashica dhe Edon Zhegrova pritet të marrin minutat e tyre gjatë pjesës së dytë.