div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="wp-singular post-template-default single single-post postid-32956 single-format-aside custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog">
Gara për Presidentin: Kush janë emrat e përmendur deri tani?

Skena politike në Kosovë po vlon nga emrat e mundshëm për postin e Presidentit, ndërsa afati kushtetues po skadon. Deri më tani, në publik janë lakuar disa figura, duke filluar nga anëtarë të familjes Jashari, Arsim Bajrami, Shqiptar Demaçi, Glauk Konjufca e së fundmi edhe Andin Hoti.

Sa i përket familjes Jashari, Murat Jashari ka folur zyrtarisht duke mohuar mundësinë e marrjes së kësaj pozite. Ai ka bërë thirrje që emri i familjes të mos përdoret për pikë politike, duke lënë të kuptohet se një përfshirje e tillë do të ndodhte vetëm në rrethana të jashtëzakonshme për shtetin.

Në anën tjetër, Arsim Bajrami tashmë e ka shpallur vetë kandidaturën e tij, ndërsa Shqiptar Demaçi është përmendur si propozim i mundshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse nga kjo parti e kanë mohuar një gjë të tillë.

Zhvillime interesante raportohen brenda taborrit të pushtetit.

Pas dështimit për të bindur ndonjë anëtar nga familja Jashari, kryeministri Albin Kurti thuhet se i ka ofruar postin Glauk Konjufcës.

Megjithatë, raportimet flasin për një refuzim nga ana e Konjufcës, gjë që ka bërë që vëmendja e Lëvizjes Vetëvendosje të zhvendoset te emri i Andin Hotit.

Gazeta Insajderi u përpoq të kontaktonte me Hotin, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve, duke lënë kështu pikëpyetje rreth kandidaturës së tij.

Sot pritet të jetë një ditë vendimtare, pasi janë paralajmëruar takime mes kryeministrit Kurti dhe krerëve të opozitës, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikun , në përpjekje për të gjetur një konsensus.

Gjithçka duhet të qartësohet shumë shpejt. Mandati pesëvjeçar i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 5 mars në orën 00:00 për ta zgjedhur presidentin e ri.

Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë brenda këtij afati, vendi rrezikon të përballet me shpërndarje të legjislativit dhe zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Për të propozuar një kandidat nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh.

Procesi i votimit kalon në tri runde: në dy të parët kërkohen 80 vota (2/3 e deputetëve), ndërsa në rundin e tretë mjafton një shumicë e thjeshtë prej 61 votash, me kushtin që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *