Gazetari i njohur merr detyrën e Zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës
Gazetari nga Vushtrria, Fatlum Jashari, ka njoftuar se ka marrë një detyrë të re institucionale, duke u emëruar Zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshilltar Politik i Kryeministrit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Jashari përmes një postimi publik, ku ka shprehur falënderimin e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti për besimin e dhënë.
Me këtë angazhim të ri, Jashari ka bërë të ditur edhe përmbylljen e një karriere mbi dhjetëvjeçare në fushën e gazetarisë dhe medias, një periudhë që, sipas tij, ka qenë shumë e rëndësishme në formimin e tij profesional.
“Ky moment shënon fundin e angazhimit prej dhjetë vjetësh e gjysmë në gazetari/media. Përherë falënderues e mirënjohës ndaj shtëpive ku jam rritur dhe njerëzve me të cilët kam rrugëtuar”, ka shkruar ai.
Emërimi i tij shënon një kalim nga sektori i medias në atë institucional, duke marrë një rol kyç në komunikimin publik të Qeverisë së Kosovës.
