6.3 C
Pristina
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Gërvalla: Ura e Ibrit duhet të hapet, Kosova e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të saj

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se temë diskutimi me homologen e saj finlandeze ka qenë siguria në veri të vendit, ndërsa ka insistuar që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet.

Në një konferencë për media së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, Gërvalla ka thënë se kjo urë ka simbolizuar ndarje dhe përçarje, ndërsa ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj.

“Kemi diskutuar edhe për sigurinë në veri të vendit, e në veçanti për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare ka thënë se kanë biseduar edhe për sfidat, siç i quajti ajo globale, teksa shpreson që anëtarësimi i Kosovës në NATO të bëhet në mënyrë të shpejtë, siç ndodhi me Finlandën.

“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona sot u përqendrua mbi sfidat aktuale të sigurisë në Evropë, agresionin rus kundër Ukrainës dhe sjellja agresive dhe hegjemoniste e fqinjëve dhe aleatëve në Evropë, paraqesin një kërcenim të madh dhe serioz për paqen dhe stabilitetin evropian. Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje”, u shpreh kryediplomatja kosovare, transmeton EO.

Rolin e NATO-s, Gërvalla e konsideron jetik për stabilitetin e rajonit perëndimor

“Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të Ukrainës në këtë luftë për liri dhe sovranitet. Për më tepër, roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë. Ne jemi të përkushtuar t’i forcojmë marrëdhëniet tona me NATO-n. Synimi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO dhe mbetet një objektiv strategjik ku përvoja e Finlandës ku së fundmi u bë anëtare e kësaj aleance, na shërben si një shembull që ne e ndjekim dhe kemi shumë vëmendje”, ka thënë Gërvalla.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here