Gjendet vogëlushi që u raportua i zhdukur në Gadime të Lipjanit, po trajtohet në QKUK
Është gjetur vogëlushi Zejn Zejnullahu, i cili gjatë ditës së sotme ishte shpallur i humbur nga familja, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi pas përfundimit të mësimit.
Të afërmit e të miturit nga Gadimja e Lipjanit kishin kërkuar ndihmë publike për gjetjen e tij, duke ngritur shqetësim për zhdukjen e tij për disa orë.
Rastin e gjetjes së fëmijës e ka konfirmuar komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Brahim Shatrolli.
“Është gjetur me shenja jete. Aktualisht është duke u trajtuar në QKUK”, ka deklaruar Shatrolli, pa dhënë detaje të tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të tij.
Se vogëlushi është gjetur, ka njoftuar edhe një qytetare, e cila ka bërë të ditur se ai kishte rënë në lumin e Gadimes, ndërsa më pas është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
