Enver Bajraktari të hënën u gjet i groposur në një arë të mbjellë me misër në Baicë të Lipjanit. Express mëson nga burimet brenda prokurorisë se bëhet fjalë për vrasje me mjete të forta.
Sot Prokuroria Themelore në Prishtinë i tha Expressit se është kryer autopsia e të ndjerit dhe se po zhvillohen hetime intensive për të zbuluar rrethanat e rastit.
Ata nuk pranuan të japin më shumë informacione.
“Ju njoftojmë, se me datë 05/08/2025, është bërë identifikimi i plotë dhe ishte Enver Bajraktari, është kryer autopsia dhe janë në proces intensiv hetimet në këtë çështje, por detaje më të hollësishme nuk mund të japim në këtë fazë të hetimeve.”
Bajraktari do të varroset sot.
Njëri nga familjarët e të ndjerit, i pyetur se si u gjet vendi i varrosjes së viktimës, tha dje se fillimisht ‘’kanë hi me vëzhgu, ata vëzhguesit e kamerave e kanë gjet tani që lëvizja e fundit u kanë të kjo shtëpia këtu. Në bazë të aty janë ardh kanë lyp qetu. Ata djemtë që kanë ardh, tu lyp nëpër arë përmes shtagës, tani aty e kanë pa që ka zvarritje’’.
Ai ka folur edhe për viktimën duke thënë se i njëjti ‘’nuk supozohet’’ që ka pasur probleme me dikë.
Dje përmes raportit 25 orësh, Policia ka thënë se në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarë.
“VRASJE E RËNDË- Fsh. Baicë, Lipjan. 04.08.2025-12:05. Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë, momentalisht nuk dihet identiteti i tij. Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.