Gjykata merr vendim për Ismet Zukaj, i dyshuar për plagosjen e dy serbëve dhe një avokati kosovar
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ismet Zukajt, i dyshuar për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Sh.C., pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Paraburgimi ndaj të dyshuarit fillon nga data e arrestimit më 13 janar 2026, në ora 00:17, dhe do të zgjasë deri më 12 shkurt 2026, në ora 16:00.
Ismet Zukaj dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.
Rasti lidhet me plagosjen e trefishtë që ndodhi dje në Deçan, ku tre persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. I dyshuari u arrestua pak orë pas incidentit, ndërsa bëhet e ditur se ai ka pasur edhe histori të mëparshme kriminale.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në afat prej 48 orësh, përmes Gjykatës Themelore në Pejë, pranë Gjykatës së Apelit në Prishtinë.
