Ndërmarrja Infrakos ka njoftuar se janë hasur gurë të hedhur mbi trasenë hekurudhore në linjën Prishtinë-Pejë, në dalje të stacionit Cerrovikë.
Në njoftim thuhet se falë makinistëve të trenit është shmangur një fatkeqësi, raporton teve1.info
“Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500. Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim. Infrakos dhe Trainkos dënojnë ashpër këtë akt të papranueshëm, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, kjo pengesë ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat.
“Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit”, thuhet në njoftim.
Infrakosi e Trainkosi kanë bërë thirrje për hetim dhe zbardhje të rastit, që autorët të marrin dënimin e merituar.