Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për vështirësitë në informimin rreth armatimit që Serbia po blen nga Irani dhe Kina, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se për “pak vota” ka zbuluar të gjitha specifikat e dronëve që kanë ardhur në Kosovë.
Në tubimin përmbyllës zgjedhor të AAK-së në Deçan, Haradinaj tha se veprimi i Kurtit është i papërgjegjshëm dhe jep informacione që nuk duhen bërë publike.
Ai theksoi se përmes agjencive të inteligjencës është e vështirë të kuptohet saktësisht se çfarë blen Serbia, ndërsa për Kurtin tha se ka vepruar ndryshe:
“Ne kemi shumë vështirësi nëpërmjet Agjencive të Inteligjencës, që ta kuptojmë kur Serbia, kur blen ata në Iran dhe Kina. E çka bën kryeministri jonë. Kur kanë ardhur dronët, të cilët nuk janë të këqij, shyqyr që i kemi, ky ka dal dhe i ka treguar edhe specifikat, sa kilometra fluturojnë, deri ku mbërrijnë dhe kush njeri normal në botë nuk e bën me i treguar armikut tënd që të kanë ardh do dronë. Ne mundohemi me kuptu çka ka marrë Serbia por kurrë nuk jemi të sigurtë nuk jemi çka kanë blerë ata në Iran e Kinë e tjetërkund. Ky del për pak vota e i tregon armiqve dhe krejt botës që na kanë ardh.”
Haradinaj shtoi se AAK-ja vepron ndryshe, duke bashkëpunuar me aleatët e sigurisë për të ruajtur rendin dhe ligjin në të gjitha pjesët e vendit, përfshirë veriun.
“Ne nuk kemi bërë kështu, ne i kemi kryer punët edhe në jug edhe në veri dhe çdo pëllëmbë e Kosovës ka qen, është dhe do të jetë Kosovë dhe e ka zbatuar ligjin ushtari dhe polici jonë. E këndo që e kam taku unë dhe e kam prit e i kam shkuar, kam shkuar se e kam bërë bashkë me aleatët tanë të sigurisë për me shtrirë rendin, ligjin, në veri dhe gjithkund dhe me ua treguar vendin të tërëve se këtu i thonë Kosovë dhe Kosovë ka me mbet….në veri që thonë e kemi bërë sot kanë qen aty pikat kufitare 1 dhe 31 janë aty moti, policia aty ka qen rregullisht, si ia kemi ndal takimin pa leje në atë kohë dhe ata që kanë hyrë pa leje si i kemi sjellë në Prishtinë dhe a ka guxuar ndokush të bllokojë rrugët tona”, tha ai, duke shtuar se ai që dëshiron t’i bëjë dëm këtij shteti, thirret më së shumti në nacionalizëm e me flamur kuq e zi.