Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se slogani i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje “Jo negociata, Vetëvendosje” ka qenë kundërshtim i negociatave pa parime.
E ftuar në RTK në një emision kushtuar 20-vjetorit të themelimit të Vetëvendosjes, Haxhiu tha se kjo ka qenë gjithmonë qasja e Lëvizjes, edhe në kohën kur ishte në opozitë.
“Slogani ka qenë ‘Jo negociata, Vetëvendosje’, mirëpo ne në vazhdimësi kemi thënë jo negociata pa parime”, u shpreh Haxhiu, duke shtuar se partia nuk ka kundërshtuar asnjëherë dialogun si proces, por mënyrën se si është zhvilluar ai ndër vite.
Por ky ish-slogan i tyre, po ndryshohet dita-ditës. Në të kaluarën, sa në pushtet ishin PDK, LDK e AAK, ky ishte slogani me të cilin Vetëvendosje, që tani është në pushtet kishte krijuar identitetin e saj duke refuzuar procesin e dialogut me Serbinë.
Ndër kritikat më të mëdha që merr partia në pushtet sot, është qasja e saj në dialogun me Serbinë.