Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka reaguar pas procesimit të rezultateve në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Tahiri me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ është shprehur falënderues për qytetarët që ia besuan votën, shkruan Insajderi.
“Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe përkrahjen që më dhatë në garën për Kryetar të Mitrovicës. Ishte një privilegj i madh të jem pjesë e një procesi demokratik që dëshmoi pjekurinë tonë politike dhe kulturën e lartë qytetare”, thuhet në shkrimin e tij.
Tahiri po ashtu ia ka uruar fitoren kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Pecit.
“Rezultati i zgjedhjeve është shprehje e vullnetit tuaj dhe ky vullnet do ta ketë gjithmonë respektin tim. Urime kundërkandidatit tim për fitoren! I uroj suksese në punën e tij për Mitrovicën. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Mitrovicës dhe të të gjithë qytetarëve, me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për qytetin tonë, si gjithmonë”, përmbyll shkrimin Tahiri.




