Isa Mustafa flet pas rizgjedhjes së Lumir Abdixhikut kryetar i LDK-së
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë pretendimet se ka qenë i përfshirë në ndonjë plan apo përpjekje për ta minuar pozitën e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së, duke i quajtur këto akuza si narrative të ulëta dhe pa bazë.
Mustafa ka deklaruar se prej dorëheqjes së tij në vitin 2021 nga të gjitha funksionet partiake, nuk ka marrë pjesë në asnjë takim apo aktivitet të LDK-së dhe se zhvillimet brenda partisë i ka përcjellë vetëm përmes mediave.
Ai ka theksuar se nuk ka as interes dhe as motiv për t’u përfshirë në çështjet e udhëheqjes së partisë, duke shtuar se humbja zgjedhore është pranuar publikisht nga vetë Abdixhiku dhe se proceset e mëtejme janë zhvilluar në mënyrë të hapur.
Sipas Mustafës, ai nuk ka asnjë grup brenda LDK-së dhe nuk ka punuar kundër asnjë drejtuesi të partisë. Ai ka shtuar se është i interesuar vetëm për forcimin dhe suksesin e LDK-së në të ardhmen, ndërsa ka kritikuar ata që, sipas tij, përhapin spekulime dhe përçarje brenda partisë.
Mustafa ka rikujtuar gjithashtu se ka qenë ai që e ka sjellë Abdixhikun në LDK në vitin 2017, duke theksuar se garat për udhëheqje brenda partisë duhet të jenë rezultat i vullnetit individual dhe proceseve demokratike.
Në fund, ai ka nënvizuar se interesat e LDK-së duhet të jenë mbi interesat personale të individëve, pavarësisht emrave apo funksioneve që mbajnë.
