-10.2 C
Pristina
E enjte, 20 Shkurt, 2025

Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit dhe Veselit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veselin, të cilët akuzohen për krime lufte.

Nëpërmjet dy vendimeve të ndara, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, më 13 shkurt 2025 ka konstatuar se për dy të pandehurit është arritur në përfundim se nuk ka mjaftueshëm informacione që justifikojnë gjetjet se ata mund të ikin nga drejtësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, sipas panelit të gjyqtarëve, Thaçi dhe Veseli mund të pengojnë zhvillimin e procedurave të DhSK-së apo të kryejnë krime të tjera ndaj dëshmitarëve, apo edhe atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.

ZPS-ja kishte parashtruar se mbajtja e Veselit dhe i Thaçit në paraburgim mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, duke marrë parasysh edhe përparimin e procedurave.

“Në dritën e rrethanave të diskutura më sipër, dhe fakti që rreziqet e pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera vazhdojnë të ekzistojnë – asnjëra nga të cilat nuk mund të minohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme – Paneli gjen se ndalimi i z. Thaçi për një periudhë të mëtejshme dymujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të këtij rasti”, thuhet në vendimin për Thaçin e ngjashëm edhe për Veselin.

Si rrjedhojë, ZPS-ja u urdhërua që parashtrimet e saj lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të kësaj mase ndaj dy të akuzuarve ta bëjë deri më 20 mars 2025 dhe përgjigjet në këtë parashtrim të bëhen sipas afateve të parashikuara me Rregullore.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here