Deputetja e komuniteti boshnjak,Duda Balje, sot konfirmoi publikisht se i është ofruar një pozitë si profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit.
Pas seancës, ajo ka dhënë detaje shtesë lidhur me këtë ofertë, duke thënë se njerëzit që ia ofruan janë të afërt me Albin Kurtin.
Ajo tha se atë e ka kontaktuar personi nga një parti politike në Maqedoni të Veriut, por që nuk do që ta zbulojë identitetin e tij meqenëse e ka shok dhe se ka respekt për të edhe për faktin se ka qenë pjesëtar i UÇK-së.
“Jam shumë e sigurt që partia që më ka ofruar këtë post punë janë shumë afër me Kurtin dhe mendoj se në këtë mënyrë kanë menduar ta ndihmojnë atë për një votë brenda Kuvendit”.
“E di qe Kurti është shumë afër tani me këtë parti politikë që është në pushtet në Maqedoni dhe besoj që janë shokë dhe këtë e kanë bërë veç për të ndihmuar, se unë jam personi që nuk kam votuar në Kuvend dhe vota ime ndoshta është e rëndësishme në matematikë brenda Kuvendit”, tha Balje për Klan Kosova përcjell Insajderi.
“E kanë bërë veç për ta ndihmuar ose për t’ia kthyer të mirën me të mirë, sepse Kurti i ka ndihmuar kur ishin zgjedhjet në Maqedoni, pra e ka përkrahur këtë parti”, tha ajo.
Në lidhje me këtë deklaratë, Donika Gërvalla, e cila është pjesë e Listës së Vetëvendosjes, tha se nuk është në dijeni për një ofertë të tillë dhe mohoi çdo lloj pazari nga ana e subjektit të saj.
“Zonja Balje edhe zotëri Hoxha duhet të heqin dorë nga qasja bllokuese sepse s’jemi këtu në pazar ku shitemi e blihemi. Është çështje parimore konstituimi i Kuvendit. Nuk kam informacione për pazare të kësaj natyre”, deklaroi Gërvalla për media përcjell Insajderi.