Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka bërë koment skandaloz ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Kryeziu me një koment në Facebook në statusin e analistit, Ermal Sadiku, ka ofenduar rëndë ambasadorin gjerman.
Ai e ka quajtur “matuf”.
“Ambasadori Rohde është një matuf para pensionit që e di që mund të dërdëllit çfarë të dojë sepse ska kush i bën gjë. Sa më herët që shkon aq më mirë.” – ka komentuar Kryeziu në statusin e Sadikut i cili kërkon që të respektohet Gjermania për shkak të investimeve të saja në Kosovë.
Ky koment vjen pasi ambasadori Rohde kërkoi nga Qeveria që të përfundojë punët e projektet më me rëndësi si dhe të çojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e Asociacionit.
“E kemi thënë: sapo të bëhet ky hap i parë, duke ia dërguar gjykatës suaj (Gjykatës Kushtetuese) për shqyrtim, ne 100 për qind do të respektojmë vendimin e Gjykatës. Ne do të kemi një takim të jashtëzakonshëm në Këshillin e Evropës dhe do të shtyjmë për anëtarësim, dhe jam i bindur se Kosova do të kalojë,” u shpreh Rohde.