Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për policin e NJSO-së, M.L..
Sipas njoftimit, kjo kërkesë është bërë për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Ekziston dyshimi se me datë 02 shtator 2025 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i pandehuri me dashje e duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar si zyrtar policor, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personin tjetër, shkon tek shtëpia e të pandehurit K.M., dhe e merr dhe e largon nga shtëpia duke shkuar në drejtim të Prishtinës”.
“Po ashtu, me datë 18 qershor 2025 i pandehuri M.L., kontaktohet përmes telefonit nga i pandehuri K.M., i cili e vëren një dron mbi shtëpinë e tij dhe e pyet të pandehurin M.L., se a është duke u hetuar nga policia, i dyshuari – zyrtar policor e informon se në rast kur ai është duke u hetuar ose të ketë veprime tjera do ta njoftojë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Prokuroria u shpreh se i pandehuri M.L., në shtëpinë e tij në Vushtrri ka mbajtur një sasi të fishekëve si dhe në një lokal nate i njëjti ka përdorur armën duke shtënë brenda lokalit 7-8 herë, si dhe një ditë tjetër shihet duke shtënë tri herë.
“Të pandehurit, gjatë bastisjes së mbrëmshme në shtëpinë dhe veturën e tij, i janë sekuestruar dy telefona dhe fishekë”.
“Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin do të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.