“Kishim parandjenjë, u shqetësuam si familje” – Nëna e Shpatit zbulon detajin prekës
Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Gjylymsere Kasapi, ka përlotur të gjithë të pranishmit me fjalët e saj të ndjera. Ajo e nisi fjalimin duke falënderuar mikun e familjes, kryetarin e sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitin, për organizimin e këtij nderimi.
“Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” tha ajo mes dëshpërimit.
Pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, ajo rrëfeu se përballë kësaj humbjeje, fjalët i kishin humbur peshën.
“Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”
Megjithatë, mes dhimbjes, ajo u shpreh krenare për dashurinë masive që publiku kishte për djalin e saj, një dashuri që ajo thotë se nuk e kishte kuptuar plotësisht sa e madhe ishte deri më sot.
“Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”
Momenti më rrëqethës ishte kur ajo zbuloi se viti i fundit i jetës së Shpatit nuk kishte qenë i lehtë, duke treguar se familja kishte jetuar me një ankth të pashpjegueshëm.
“Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”
Në mbyllje, ajo bëri një lutje prekëse për anëtarët e tjerë të familjes, të cilët i quajti arsyeja që e mbajnë ende në jetë.
“E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit,” përfundoi ajo.
Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit të dielën në Tetovë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur muzikore dhe një familje të pikëlluar.
/Prive By Liberta Spahiu
