Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vjetorin e 25-të të Doganës.
“Gushti i këtij viti përveç që shënon një periudhë 25 vjeçare të pazëvendësueshme për realitetin që gëzojmë sot, vë në pah një rekord historik të kësaj agjencie” ka shkruar Kurti.
Kryeministri deklaroi se për herë të parë që nga themelimi, Dogana ka mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë.
“Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida. Dogana e Kosovës u themelua në vitin 1999. Afër nëntë vjet më vonë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Republikës së Kosovës, u dogjën e shkatërruan nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia. Rimarrja e kontrollit të këtyre pikave dhe vendosja e ligjit në veri të Kosovës kanë qenë pikë kthese kritike” shtoi Kurti.