Kurti kundërshton kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së për derivatet e naftës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës, duke vlerësuar se këto propozime nuk janë të bazuara në analiza të mirëfillta ekonomike dhe nuk do të sillnin efektin e synuar për qytetarët.
Kurti tha se çmimi i naftës në Kosovë ndikohet drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare, pasi vendi nuk ka burime të veta dhe as kapacitete për përpunim.
“Çmimi i naftës është mjaft i lartë ju e dini që e gjithë nafta që është në Kosovë importohet. Ne jo vetëm që s’kemi burime të naftës, por ne nuk kemi as rafineri të naftës. Pra ne as nuk përpunojmë naftë përveç se nuk kemi naftë. Dhe në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import. Çmimet e larta që janë jashtë bëhen çmime ndoshta edhe më të larta këtu brenda”, tha ai.
Ai shtoi se propozimet për heqjen e akcizës dhe TVSH-së nuk janë të menduara mirë dhe nuk mbështeten në praktika të suksesshme ekonomike.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit, ministrja Mimoza Kusari, i ka vazhduar ato masat e ish-ministres Rozeta Hajdari, dhe ajo është në komunikim të vazhdueshëm edhe me ekspertët. Bindja ime e fuqishme është që këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike”, tha ai.
Sipas tij, duhet shmangur që masat e tilla të përfundojnë duke favorizuar fitime të mëdha për operatorë të caktuar në vend të lehtësimit për qytetarët.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos u shërbejmë super-profiteve të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve. Pra të gjitha vendet e Evropës, edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti më i fuqishëm në botë, është duke vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në Iran e Tehran, në ngushticën e Hormuzit. Dhe sikur ne të kishim port detar e sikur ne të kishim një vend-madh-grumbullimi të naftës, atëherë fluktuacionet në tregjet botërore nuk do të përcilleshin kaq shpejt siç është rasti tani”, tha ai.
Kurti paralajmëroi gjithashtu masa mbështetëse për qytetarët për përballimin e rritjes së çmimeve.
“Por ju e patë që në fjalimin tim në mbledhjen e qeverisë, unë tashmë paralajmërova që shumë shpejt do ta kemi edhe këtë pakon 200 milionë euroshe, e cila do të jetë e dedikuar pikërisht për qytetarët e Republikës që ta përballojnë sa më lehtë që është e mundur rritjen e çmimeve dhe inflacionit. Në anën tjetër, së shpejti në mbledhje të qeverisë, meqenëse tash ka përfunduar puna me Gjykatën Kushtetuese, do ta kemi edhe ligjin për tavanin e çmimeve për produktet bazë”, tha ai.
