“E filluam duke u bërë nikoqir të Kryeministrit të Lihtenshtajnit, Daniel Risch, në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Neë York, në takimin e parë ndërmjet nesh. Principata e Lihtenshtajnit e ka mbështetur vazhdimisht republikën tonë në proceset integruese, për çka i jemi mirënjohës. Me vullnetin e dyanshëm për raporte dhe partneritet sa më të fortë bilateral, bashkë diskutuam se si mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Postimi i plotë i Kurtit:
Dita e parë në New York në pjesëmarrjen e parë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
E filluam duke u bërë nikoqir të Kryeministrit të Lihtenshtajnit, Daniel Risch, në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, në takimin e parë ndërmjet nesh. Principata e Lihtenshtajnit e ka mbështetur vazhdimisht republikën tonë në proceset integruese, për çka i jemi mirënjohës. Me vullnetin e dyanshëm për raporte dhe partneritet sa më të fortë bilateral, bashkë diskutuam se si mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare.
Shtet tjetër mbështetës i yni, që e ka njohur pavarësinë tonë brenda më pak se një muaj prej shpalljes së saj, është Islanda. Sikurse me Lihtenshtajnin dhe me Islandën po zhvillojmë diskutimet për të arritur marrëveshje për tregti të mirë me shtetet e anëtare të EFTA-s. Falënderimin në emër të popullit tonë dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që vlerat e përbashkëta t’i kthejmë në partneritet ekonomik dhe tregtar, përveç se të sigurisë, pata kënaqësinë që t’i ndajmë me Kryeministrin e këtij vendi, Bjarni Benedikstsson.
Në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Neë York, u takuam gjithashtu me Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Diskutuam për performacën ekonomike të vendit gjatë qeverisjes sonë, për zbatimin e programeve që kemi me FMN-në dhe për bashkëpunimin në përmbushjen e agjendës së reformave ekonomike, realizimin e investimeve në infrastrukturë dhe energji, përmirësimin e klimës së investimeve dhe avancimin e mjedisit për të bërë biznes. Ajo na uroi për rezultatet dhe suksesin e arritur në qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e borxhit publik, për çka theksoi se Kosova jonë mund të shërbejë si shembull dhe për vendet tjera.
Ndërkaq ndërmjet takimeve bilaterale, në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mora pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, që kryesohej nga Presidenti i saj, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez. Aty theksova se përballë sfidave kryesore të kohës sonë, vlerat socialdemokrate, të rrënjosura në solidaritet, barazi dhe prosperitet të përbashkët janë më relevante se asnjëherë më parë.
Takimet vazhdojnë.