Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës gjithmonë ka respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se njëjtë ka vepruar edhe ai si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka theksuar se vonesa në publikimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese ngre dyshime për mospërputhje me njoftimin e bërë më 8 gusht.
Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si Kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i VV-së, nuk e kam respektuar. Por kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.
Ai shtoi se për dallim nga rasti i 26 qershorit, kur në të njëjtën ditë është bërë publik njoftimi dhe aktgjykimi, kësaj radhe Qeveria ende nuk e ka në dispozicion aktgjykimin e plotë, gjë që sipas tij po krijon vonesa të panevojshme.