Kurti propozon Glaukun për kryeministër, vetveten për…

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka propozuar të martën Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për formimin e qeverisë.

Propozimin, ai e bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

“Dua të bëj një propozim të menduar mirë. E bëj këtë propozim jo për të bërë lëshim, sepse për Lëvizjen Vetëvendosje kurrë nuk ka për të vendosur ndonjë subjekt tjetër”, tha Kurti në mbledhjen e KP të Vetëvendosjes.

“Pas diskutimeve të zhvilluara në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, unë si kryetar do të propozojë që mandatin për formimin e qeverisë t’ia japim nënkryetarit, aktivistit, shokut e mikut, Glauk Konjufca”, tha ai.

Kurti tha se këtë propozim e bën për shkak të vlerësimit të madh që kanë të gjithë për Glauk Konjufcën.

Kurti, po ashtu e propozoi vetveten për ministër të Jashtëm në qeverinë ku mandatar për kryeministër e propozoi Konjufcën.

“Unë marrë vendin e Glaukut, e Glauku timin”, tha kryetari i Vetëvendosjes.

Kurti e paraqiti propozimin e Konjufcës si mandatar për kryeministër si një hap kompromisi në mënyrë që opozita të votojë qeverinë e re, të cilën nuk do ta drejtonte ai.