E konfirmon KFOR-i: Xhandarmëria serbe hyri në Kosovë

Misioni i KFOR-it ka konfirmuar se disa pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë futur në territorin e Kosovës në tetor të këtij viti.

Përmes një përgjigje, KFOR-i ka konfirmuar se individë të xhandarmërisë serbe e kanë kaluar Vijën Kufitare Administrative në Metergoc në Podujevë.

Ngjarja kishte ndodhur më 15 tetor të këtij viti.

“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për KlanKosovën.

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku shihen pjesëtarë të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Përpos më 15 tetor, anëtarë të xhandarmërisë serbe dyshohet se u futën në Kosovë edhe më 1 nëntor.

Në pikën zero në Leposaviq, xhandarmëria serbe dyshohet se plagosi dhe rrëmbeu shtetasin e Kosovës, Millosh Vukashinoviq.

Publikohen pamjet: Ushtarët serbë hynë në Kosovë

E reja që u gjet e vdekur në Tetovë do të varroset nesër në Gjakovë

Nesër i jepet lamtumira e fundit studentes së mjekësisë Daorsa Spahija, e cila u gjet e vdekur mbrëmë në Tetovë.

Ky medium raporton se e ndjera ishte në “në përfundim të studimeve dhe e gatshme për t’u kthyer në vendin e saj për të dhënë kontribut në shërbim të shëndetësisë”.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet nesër (e premte), në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Gjakovë.

“Gjysma e zemrës sime sot shkoi me ty…” – postimi prekës i bashkëshortes së Driton Morinës, i cili sot u vra në Malishevë nga dhëndri i tij

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunën e Malishevës, ku dy vëllezër kanë mbetur të vrarë nga dhëndri i tyre.

Ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti familjar, ku dhëndri, Astrit Isufi nga Sankoci i Drenasit dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vëllezërve Driton dhe Naim Morina, duke u marrë jetën atyre në vendngjarje.

Tragjedia ka lënë të shokuar familjarët, të afërmit dhe gjithë qytetarët

Në rrjete sociale, bashkëshortja e Driton Morinës, Arjeta Morina, ka ndarë një mesazh që ka prekur zemrat e shumë njerëzve.

Ajo ka publikuar një fotografi të bashkëshortit të ndjerë, të cilin e ka shoqëruar me fjalët: “Gjysma e zemrës tem shkoi bashkë me ty sot. O jeta jem bre.”

Krasniqi: Kurti i harroi studentët për pesë vite, tani po përpiqet t’i mashtrojë me 100 euro
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti duke thënë se për pesë vite qeverisje i ka harruar studentët, ndërsa tri ditë para zgjedhjeve ka tentuar “t’i mashtrojë me 100 euro”.
Por Krasniqi thotë se studentët nuk mashtrohen kaq lehtë, “ata bashkë me familjet e tyre që i edukojnë me sakrificë, më 9 nëntor do ta kthejnë përgjigjen e tyre meritore – me dinjitet, me votë dhe me vetëdije!”, shprehet ai.

Reagimi i tij i plotë

Një kryeministër mashtrues që i ka harruar studentët për pesë vite, tani kinse po kujtohet për ta tri ditë para zgjedhjeve – jo për t’i ndihmuar, por duke dashur t’i mashtroj me nga një mesazh propagandistik dhe 100 euro në llogari.

Por studentët nuk mashtrohen kaq lehtë. Ata e dinë se kjo nuk është ndihmë, por hipokrizi me llogari elektorale.

Prandaj, ata, bashkë me familjet e tyre që i edukojnë me sakrificë, më 9 nëntor do ta kthejnë përgjigjen e tyre meritore – me dinjitet, me votë dhe me vetëdije!

E konfirmon VV-ja: Konjufca e bën qeverinë

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe një prej zërave më të afërt të Albin Kurtit, ka folur në Ditar nga Pandi Gjata në A2 CNN mbi zhvillimet e fundit politike në Prishtinë, duke konfirmuar se mandati për krijimin e qeverisë i është dhënë Glauk Konjufcës, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj opozitës për bllokimin e institucioneve dhe për urrejtje ndaj Vetëvendosjes e Kurtit personalisht.

“Konjufca është person unifikues, i dytë më i votuari në vend, dhe propozimi ynë ka ardhur për të shmangur një krizë të re politike. Ne kërkojmë votimin e buxhetit dhe një qeveri të përkohshme, para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje”, tha Haxhiu, duke theksuar se opozita, sipas saj, po e mban peng shtetin “nga inati me Albin Kurtin”.

Ajo shtoi se “LDK-ja është shkëputur nga elektorati i saj”, ndërsa për Fatmir Limajn tha se negociatat dështuan sepse “kërkoi më shumë se sa ia dha populli”.

Sipas saj, Vetëvendosja nuk pranon pazare për poste, ambasada apo tenderë. Duke folur për mandatin e dytë të Konjufcës, Haxhiu u shpreh optimiste se votat mund të sigurohen, “nëse deputetët do të ishin të lirë nga presionet e kryetarëve të partive”.

Ajo gjithashtu vlerësoi rolin e presidentes Osmani, e cila “ka vepruar në përputhje me Kushtetutën” për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme.

Haxhiu foli edhe për çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke zbuluar se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për lirimin e tyre nga paraburgimi. “Ne kemi dhënë garanci për kthimin e tyre në Kosovë dhe respektimin e vendimeve të gjykatës. Ata mbahen padrejtësisht, dhe pas përfundimit të dëshmive të prokurorisë nuk ka më asnjë arsye që të qëndrojnë në paraburgim”, theksoi ajo, duke shtuar se “Kosova ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e tyre”.

Haxhiu tha se përpjekjet e qeverisë janë bërë “në heshtje, sepse puna e mirë bëhet pa zhurmë”, ndërsa akuzat e opozitës i quajti “të pabaza”.

Ajo vlerësoi edhe fitoret e kandidatëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe deklaroi besim të plotë në suksesin e Vetëvendosjes në balotazhin e së dielës, veçanërisht në Prishtinë, Mitrovicë e Prizren.

Specialja i ishte përgjigjur letrës së Kurtit, zbulohet se çfarë i kishte thënë Trëndafilova

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle ka treguar se letrës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit i ishte përgjigjur kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova.

Doyle ka thënë se në letrën e saj, Trëndafilova ka thënë se vendimet në rastet gjyqësore- specifikisht për paraburgimet, merren nga gjyqtarët në rastet përkatëse dhe jo nga vetë ajo si kryetare e DhSK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Një letër nga Kryeministër Kurti i është dërguar kryetares në shtator 2022 dhe ajo iu përgjigj kësaj letre. Kryetarja në përgjithësi ka theksuar në përgjigje se DHSK-ja dhe gjykatësit janë të pavarur në punën e tyre dhe se ata po zhvillojnë gjykimet sipas kornizës ligjore të DHSK-së dhe standardeve më të larta të të drejtave të njeriut. Ajo gjithashtu ka theksuar se vendimet në lidhje me paraburgimet merren nga trupat gjykues kompetentë në çdo çështje gjyqësore, dhe jo nga kryetarja”, ka thënë Doyle.

Ndryshe, duke folur për proceset gjyqësore në këtë Gjykatë, Doyle ka treguar se në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjykimi do të vazhdojë të hënën nga ora 14:00 deri në orën 17:00 duke mos llogaritur 45 minutat vonesë në transmetim.

Sipas Doyles, mbrojtja e Hashim Thaçit, synon që të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në këtë proces. Ndërsa, në pasditen e 18 nëntorit pritet të fillojë dëshminë Wesley Clark i cili është dëshmitari i fundit që kjo mbrojtje synon që ta thërrasë.

Ai tregoi se këtij rasti iu shtua edhe një seancë më 21 nëntor 2025, në mënyrë që Clark të përfundojë me dëshminë e tij.

Veç kësaj, se fundi thuhet se është marrë edhe një vendim ndaj ankesës së mbrojtjes së Prokuroria s’ka nxjerrë me kohë materialet për mbrojtjen. Kërkesa u hodh poshtë pasi nuk u vërtetuan pretendimet e mbrojtjes.

“Trupi Gjykues vuri në dukje se “respektimi i plotë dhe në kohë nga Prokuroria i detyrimit të saj për nxjerrjen e materialeve është element dhe garanci e rëndësishme për drejtësinë e procesit dhe barazinë midis palëve, ZPS-së dhe Mbrojtjes”. Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk i kishte dhënë mbrojtjes njoftim të hollësishëm për disa materiale dhe prova në posedim të saj dhe gjykatësit i kujtuan ZPS-së rëndësinë e përfshirjes së materialeve në njoftimin sipas Rregullës 102 (3). Njëkohësisht, trupi gjykues konstatoi se materialet ishin nxjerrë pa vonesë dhe nuk i kishin shkaktuar dëm mbrojtjes, dhe e hodhi poshtë kërkesën”, tha ai.

E rëndë: Dy vëllezërit Morina u vranë në sy të motrës dhe mbesës së tyre

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e dyfishtë që tronditi sot Malishevën.

Klankosova.tv ka mësuar se i dyshuari Astrit Isufi (dhëndër i familjes) u mori jetën vëllezërve Driton dhe Naim Morina, në prani të motrës së tyre.

Burimet kanë treguar për redaksinë se motra e viktimave ka qenë në veturë bashkë me vajzën, kur i dyshuari kreu vrasjen.

“I dyshuari ka ardh me marrë gruan e tij e cila ka qenë tek familja e saj, përkatësisht tek viktimat. Incidenti ka ndodh pasi kanë dalë nga shtëpia dhe janë nis, pas disa metrave i dyshuari është ndalë ka dalë nga vetura dhe e ka kryer veprën ndërkohë që gruaja(motra e viktimave) dhe vajza e tij kanë qenë në veturë”.

Redaksia po ashtu ka mësuar se Astrit Isufi i cili aktualisht gjendet në arrati, është emër i njohur për organet e rendit.

I njëjti i ka qenë i dyshuar për dy vepra penale, ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Në anën tjetër, lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila tha se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personi që vrau vëllezërit në fshatin Gollubovc të Malishevës.

SMS i Kurtit për studentët, Abdixhiku: S’e blejnë as heshtjen as votën, regjim i frikësuar në rënie të lirë

Sot, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vetëm tre ditë para balotazhit të 9 nëntorit, ka njoftuar se është bërë pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të 100 eurove.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ky i fundit vlerësuar se ‘’regjimi i frikësuar’’ i Kurtit, po i trajton studentët si material shitblerje zgjedhor.

I pari i LDK’së ka thënë edhe se mesazhet e dërguara nga Kurti për studentët, nuk e blejnë as heshtjen, shpresën e as votën.

‘’Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë – tre ditë para balotazhit’’, ka thënë ai mes tjerash.

Postimi:

Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë – tre ditë para balotazhit.

Një regjim i frikësuar dhe në rënie të lirë, po trajton studentët e Kosovës si material shitblerje zgjedhor. Studentët drejtojnë kohë, rrëzojnë regjime e përcaktojnë epokë.

Prandaj, këta SMS ‘cringe’, para zgjedhjeve nuk blejnë as heshtjen, as shpresën. As votën.

I keni nënçmuar.

Do t’iu kthejnë përgjigje këtë të diel me votë. 💙

Kosova është shumë e mençur se sa po e trajton kryepopullisti sot!

 

Mesazhi i Kurtit në telefon studentëve, deputeti Guri: Nuk blihen studentët me 100 euro

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka reaguar pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti u ka dërguar mesazh studentëve duke ua përmendur 100 euro që janë ndarë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Një mesazh të tillë ai e ka vlerësuar si përpjekje e liderit të VV-së për blerje të votave për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen këtë të diele.

Në profilin e tij në “Facebook”, Guri ka shkruar se pushteti është bërë i lexueshëm në veprime.

“O po lehte te lexueshem jeni. Nuk blihen studentet me 100 euro!”, ka shkruar ai.

Publikohen pamjet: Ushtarët serbë hynë në Kosovë

Në fshatin Rakinicë të Podujevës, ushtarë të armatosur të xhandarmërisë serbe kanë kaluar kufirin duke hyrë në territorin e Kosovës.

Me reagime të shumta që nga Presidentja e zyrtarë tjerë të shtetit është pritur ditëve të fundit informacioni se xhandarmëria serbe hyri në territor të Kosovës në veri, kidnapoi një qytetar dhe u largua.

Por, kjo nuk është hera e vetme që forcat serbe së fundmi kanë kaluar në Kosovë.

Rtv Dukagjini posedon që nga mesi i tetorit një video sesi forcat serbe hyn në vend por kah veri-lindja, saktësisht në fshatin Rakinicë, në afërsi të Orllanit të Podujevës.

Por, televizioni ka qenë në pritje të një konfirmimi për rastin nga Policia e Kosovës, pyetjet të cilëve u janë drejtuar që nga 20 tetori dhe ende nuk ka një përgjigje.

Megjithëkëtë, konfirmimin e krejt ngjarjes e ka bërë misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.