Daorsa Kica Xhelili surprizon me një lajm të papritur

Daorsa Kica Xhelili, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka ndarë me publikun një lajm të gëzueshëm.

Ajo ka konfirmuar se është në pritje të ëmbël, duke publikuar disa fotografi ku shihet me barkun e rrumbullaksuar.

Pavarësisht shtatzënisë, Daorsa po vazhdon aktivitetet e saj politike në kuadër të fushatës zgjedhore, duke dëshmuar përkushtim si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë familjare.

“Ti nuk je emër, je numër”- Vazhdojnë pakënaqësitë në LDK, kësaj radhe për Arben Gashin

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrin t’i menaxhojë “egot” e kandidatëve për deputetë. Para disa ditësh me hidhërim reagoi Doarsa Kica-Xhelili për çështje të numrit që iu është dhënë në listën zgjedhore të LDK’së. Kësaj radhe, në mënyrë inderekte, është shpërfaqur pakënaqësi edhe për Arben Gashin.

Flamur Gashi, vëllai i Arben Gashit, ka reaguar në ‘Facebook’ pasi ish-deputetit të LDK’së i është dhënë numri 23 në listën zgjedhore të këtij subjekti politik. Gashi ka thënë se Arbeni “nuk është numër, por emër”, shkruan Insajderi.

“I dashur, vella ARBEN!. Ti nuk je numer, ti je emer, ti i jep numrit emer…”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.

“Vota per ty, eshte vote per familjarin e dashur, njeriun dinjitoz, profesionist, te drejte, te paperkulur, patriot dhe atdhetar! Çdohere dhe ne çdo rrethane, ne krahun tend! Krenar me ty, punen, dinjitetin dhe emrin tend”, përmbyllet postimi i tij.

Arben Gashi në zgjedhjet e kaluara parlamentare tek lista zgjedhore e LDK’së bartte numrin 14.

Pakënaqësi lidhur me numrin ka shpërfaqur para disa ditësh edhe Doarsa Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili, e cila bartte numrin 3 në zgjedhjet e kaluara, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se vendi real përcaktohet nga qytetarët “qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, shkruan Insajderi.

“Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, ka deklaruar ndër të tjera Kica-Xhelili.

LDK’ja ka qenë cak i kritikave edhe nga Agim Veliu, i cili kishte shpresa që do të jetë pjesë e listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Nga janari, punëtorët do të marrin edhe 75 euro më shumë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nga muaji i ardhshëm paga minimale bruto do të bëhet 425 euro, nga 350 sa është tash.

Ai ka thënë se para katër vite pagën minimale e ka gjetur 130\170 euro.

Tutje, Kurti ka bërë të ditur se brenda mandatit të tij paga minimale po rritet për të tretën herë.

“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri. Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje. Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën here”, ka shkruar Kurti.

Vrasja e Martin Canit, gjykata dënon me kaq vite burgim Mario Përlleshajn

Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me 16 vite burg, Mario Përlleshaj për vrasjen e Martin Canit.

Top Channel raporton se Mario Perlleshaj është dënuar me 12 vite për vrasjen e Martinit dhe 10 vite për tentativën e vrasjes së Luisit, por në bashkim të dënimeve përfundimisht u dënua me 16 vite heqje lirie. Përlleshaj, u shpall fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si dhe fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë ndaj Luis Meçes.

Në seancë morën pjesë vetëm babai i të ndjerit Martin Cani dhe Luis Meçja.

Avokati i familjes Cani tha “Kemi një vendim gjykate që është i drejtë, Janë cilësuar dy vrasje në vendim. Ne mendojmë që nuk është çështje dënimi, por drejtësie”.

Në një deklaratë për mediat familja Cani u shpreh “Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.

Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.

Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.

Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.

I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.

Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.

Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.

Ne do të vazhdojmë misionin tone me:

Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.

Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.”

 

Paga minimale, Kurti jep lajmin e mirë

Nga muaji i ardhshëm, paga minimale do të rritet në 425 euro bruto, nga 350 euro sa është aktualisht, bëri të ditur Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, Kurti tha se nga 1 korriku, do të hyjë në fuqi faza e dytë e rritjes, ku paga minimale do të arrijë në 500 euro, siç ishte parashikuar në vendimin e Qeverisë, ku siç tha ai 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.

“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri.

Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.

Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, shkroi Kurti në Facebook.

Gjykata Supreme refuzon ankesën e Vetëvendosjes, vjen reagimi i ashpër nga VV

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, e ka akuzuar Gjykatën Supreme pasi ajo refuzoi si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 30 nëntor, për qendrat e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

“Gjykata Supreme njëjtë sikur PZAP paska folur me gjuhën e PDK-së dhe LDK-së në ndërmarrjen e përbashkët të tyre për ta luftuar të drejtën e mërgatës për të votuar. Integriteti i zgjedhjeve nuk rrezikohet nga mërgata, por nga opozita dhe gjykatës të tillë të cilët vendimet i bëjnë sipas porosisë pa trohë integriteti dhe transparence”, ka shkruar Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

PZAP-ja ka pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket qendrave të votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit. PZAP-ja ka vendosur që si qendra të votimit jashtë Kosovës të caktohen vetëm përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe hapësirat e tyre.

Krasniqi ka vlerësuar se në asnjë nen të Ligjit për zgjedhjet dhe as të rregullave zgjedhore nuk ndalohet votimi në hapësirat që mund t’i siguroj përfaqësia diplomatike për votim.

Ai ka thënë se as integriteti i procesit nuk ndërlidhet me faktin se a je në pallat të kulturës apo në zyre biznesesh si përfaqësi.

“Integriteti ndërlidhet me përgatitjet teknike, logjistike, administrative të organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve. Pra, nuk e përcakton integritetin kualiteti i ndërtesës. Me logjikën e trurit të peshkut që këto dy shkallë kanë vepruar i bie që pallati i drejtësisë duhet mbyllur sepse nuk i plotëson kriteret e integritetit për shkak të problemeve teknike, ajri, ashensori, bufeja etj. Në fakt integriteti ndërlidhet se sa i organizuar dhe sa i pavarur është sistemi i drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

“Njerëzit kanë hequr dorë nga ngrohja me dru”, ankohen drushitësit – bizneset e tyre drejt mbylljes

Shumica e popullatës kanë hequr dorë nga ngrohja me dru. Tashmë hapësirat e druve, që në dimrat e kaluar mbusheshin me klientë, janë të zbrazura. Drushitësit ankohen se bizneset e tyre janë drejt mbylljes.

Dimrat e butë e ngrohja me rrymë kanë çuar drejt krizës fushat e druve në Prizren. Sahit Bajrami nga Pirana thotë se ka 26 vjet që biznesin e tij e ushtron me shitjen e druve, por këtë vit ai thotë se ka arritur në pikën më të ulët të shitjes.

“Jemi para mbylljes si biznes, total jemi para mbylljes, do të thotë në të ardhmen, nëse vazhdon kësisoji, atëherë duhet me e mbyll. Këtë vit po e them 70% ka ra puna, plus problemin më të madh e kemi se as letrat nga ana e pylltarisë nuk janë lëshuar”, tha Sahit Bajrami, drushitës.

Sipas Sahit Bajramit, banorët që jetojnë në qytet, kanë më shumë interes të blejnë dru, sesa ato në fshatra.

“Në fshat janë bërë ma zotni, nëse i ka marrë përpara 10 metra, tash i merr 5, nëse i ka marr 5 tash i merr 2, do të thotë s’ka asgjë. Unë përpara kam pagua 50, 60 deri në 70 mijë euro TVSH shtetit, tash jam në bllokadë”, tha Sahit Bajrami, drushitës.

Në një tjetër biznes të këtij lloji, hallet janë pothuajse të njëjta. Daim Ukaj, që për dekada merret me blerjen dhe shitjen e druve, thotë se këtë vit veç 30% të druve ka arritur t`i shesë, ndërsa ky vit është i fundit me këtë biznes familjar.

“Nuk është puna te çmimi, por tash janë bërë modern, drutë janë të kalume ma. Tash ka dalë modernizimi, njerëzit i kanë bo kushtet e mira, veç për qejf, kush merr një metër, jo mu nxeh por veç me pa flakën, jo jo për ngrohje shumë pak marrin. Jemi në përfundim edhe ne, unë i kam një djalë e një vajzë të dy më kanë dal jashtë, edhe vëllai i ka dy i kanë dalë jashtë, i kanë kryer fakultetet e kanë ik”, tha Daim Ukaj, drushitës.

E transportuesi i druve, Nesim Mazreku, nga Mamusha, ka frikë se tani mund të ngelet pa punë.

“Nuk kam punë tjetër, më ka ra edhe mu puna, shumë pak janë duke u shit drutë shumë pak, ma shumë me rrymë i kanë nxemjet me pelet”, tha Nasim Mazreku, transportues.

Blerësit janë shumë të rrallë që shihen në fusha të druve e ata nuk kanë dëshirë të flasin as për çmimin e as për mënyrën se si ngrohen në stinën e dimrit. Dikur, sipas shitësve të druve, radha për t`u furnizuar me dru ishte shumë e gjatë e punëtorët gati e gdhinin për t`i bërë gati kërkesat e shumta të qytetarëve për dru zjarri./RTK

“Qysh ka ble kryetari i LDK-së shtëpi në lagjen Marigona”, “tash zgjedhjet e gjete me tregu”: Kica-Xhelili ‘gozhdohet’ me komente teksa flet për çmimet tavan

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, është përballur me një grumbull reagimesh në Facebook, pasi ka kritikuar iniciativën e Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan, duke e cilësuar atë si “propagandë të VV-së” dhe duke theksuar se LDK-ja kishte ofruar “plot alternativa tjera” që, sipas saj, nuk janë marrë parasysh.

Në postimin e saj, Kica-Xhelili shkruante se edhe vetë masa që ka synuar të ndërmarrë Qeveria “ka mundur të bëhet pa shkelur Kushtetutën”, raporton lajmi.net

“Propaganda e VV & E vërteta: LDK ka sugjeruar plot alternativa tjera kundrejt kësaj ideje, e megjithatë asnjëra nuk është marrë parasysh. Por edhe KJO që VV ka “synuar t’a bëjë”, ka mundur të bëhet pa e shkelur Kushtetutën”, theksoi ajo

Por deklaratat e saj nxitën kundërpërgjigje të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale. Disa komentues e kritikuan për qëndrimin e saj, ndërsa të tjerë e krahasuan situatën e çmimeve me vendet e Evropës.

Ndër komentet më interesante ishte ai i një qytetari që e pyeti kanidaten për deputete se “si ka mundur kryetari i LDK-së të blejë shtëpi në lagjen Marigona si kryetar i opozitës dhe 42-vjeçar”.

Kica-Xhelili u përgjigj duke thënë se politikanët kanë pasur shtëpi para se të hynin në politikë.

“Pyete ti. Sepse unë e di. Për dallim nga njerëz të tjerë që kanë hyrë në politikë pa kurrfarë përvoje pune, ne kemi pasur pozita, punë dhe shtëpi pa hyrë fare në politikë. Ka pasë njerëz punëtorë Kosova edhe pa politikë – për ju që e jetoni një realitet tjetër”, shkroi ajo.

Një komentues tjetër e akuzoi për mungesë transparence, duke i thënë: “Ku ke qenë më herët që s’i ke treguar? Tash zgjedhjet e egjete me tregu!”.

Kica-Xhelili reagoi sërish ku tha se vazhdimisht kanë treguar për çmimet tavan por që qytetarët nuk e kanë pranuar realitetin.

“Kemi treguar vazhdimisht, por jo të gjithë e kanë pranuar realitetin”, ka përfunduar ajo./Lajmi.net/

Presidenca reagon për fotografinë e manipuluar të Osmanit me Bërnabiqin e Gjuriqin

Presidenca e Kosovës ka dalë me reagim rreth një fotografie të manipuluar që po qarkullon në rrjete sociale.

Nga Presidenca shkruajnë që pamja e montuar me kryeparlamentaren e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, është bërë me qëllim që ta dëmtojë figurën e presidentes Osmani.

“Përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm. Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirë-organizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës. Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës dhe asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë”, thuhet në reagimin e Presidences.

Ky institucion i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprime. /Klankosova.tv

Supremja refuzon ankesën e Vetëvendosjes për qendrat e votimit jashtë Kosovës

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin për organizimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në tërësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 30 nëntor 2025.

Me vendimin e tij, PZAP kishte pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 26 nëntor 2025, duke përcaktuar që qendrat e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 të vendosen vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre.

Ky vendim ishte kundërshtuar nga LVV-ja, që kishte pretenduar shkelje të dispozitave ligjore dhe kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që të aprovojë ankesën e saj.

Por, pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet e LVV-së janë të pabazuara.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa kufizimi i qendrave të votimit vetëm brenda përfaqësive diplomatike përbën një masë mbrojtëse të domosdoshme për të garantuar integritetin e votës.

“Gjykata theksoi se shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit u garantohet e drejta e votës, por ushtrimi i saj duhet të bëhet në pajtim me kushtet ligjore të përcaktuara. Në këtë kuadër, vlerësimi i PZAP-së se ky organizim siguron proces të rregullt dhe të besueshëm zgjedhor është cilësuar i bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme