div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-14 category-paged-14 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Anëtari i LDK-së në diasporë: I vetmi mercenar në LDK je ti, Lumir – jep dorëheqje menjëherë

Aktivisti i njohur i LDK-së në diasporë, Qefser Hoxha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si “mercenar” dhe përgjegjës për rënien drastike të partisë.

Në reagimin e tij, Hoxha rendit atë që ai i quan “rekorde” që meritojnë librin Guinness, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit:

LDK ka shënuar 45,255 vota më pak në dhjetor 2025 krahasuar me shkurtin e po të njëjtit vit, duke rënë nga 18.27% në 13.26%.

Sipas tij, 30% e votuesve të LDK-së nuk e kanë votuar Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Në 8 komuna, Abdixhiku renditet i dyti për nga votat brenda listës së vetë LDK-së, një situatë që Hoxha e quan “precedent të papranueshëm”.

“Në 8 komuna të Kosovës, renditet i dyti për nga votat brenda vetë LDK-së, një precedent i papranueshëm: asnjëherë më parë një kandidat për kryeministër nuk ka dështuar të votohet nga partia e tij. Sigurisht kjo do të jetë rekord i ri botëror”.

Hoxha nuk është kursyer në cilësime personale, duke e quajtur Abdixhikun “peng politik” dhe “mercenar” që nga ardhja e tij në parti në vitin 2017.

“I vetmi mercenar në LDK je ti Lumir. Si mercenar erdhe dhe si mercenar po largohesh, pa as minimumin e dinjitetit për të dhënë dorëheqje. Mercenari nuk largohet pa miratimin e atyre që ia blenë votat e delegatëve në vitin 2021,” shkruan ai në letrën e tij.

Sipas aktivistit, Abdixhikun nuk e intereson e ardhmja e partisë së Ibrahim Rugovës, por vetëm kontrolli mbi të, qoftë edhe nëse partia bie në kuotën e 5%.

Përmes kësaj letre, Qefser Hoxha u bën thirrje anëtarëve të Kuvendit të LDK-Së që të kërkojnë zyrtarisht: Dorëheqjen e menjëhershme të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet e partisë për të nisur një proces ristrukturimi dhe ringritjeje.

Nuk ndalen telashet në LDK: Jep dorëheqje një tjetër figurë e rëndësishme

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Haziz Hodaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së LDK-së, duke kritikuar ashpër mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë dhe duke kërkuar përgjegjësi politike.

Përmes një postimi në Facebook, Hodaj ka theksuar se në vend të reflektimit për humbjet e njëpasnjëshme, në LDK po mbizotëron papërgjegjësia, e cila sipas tij vetëm sa i thellon gabimet.

Ai ka kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen e Driton Selmanajt, duke vlerësuar se shkelja e fjalës së dhënë, mungesa e komunikimit dhe përjashtimi i parimeve e bëjnë dorëheqjen “të vetmen rrugë të ndershme”.

“Dorëheqja nuk është ikje nga përgjegjësia, por akt dinjiteti për të mos u bërë pjesë e pabesisë”, ka shkruar Hodaj, duke shtuar se është më mirë të largohesh me nder sesa të qëndrosh aty ku, sipas tij, është shkelur besa.

Ai ka bërë të ditur se vendimi për largim nga Kryesia vjen si pasojë e, siç i quan ai, vendimeve arbitrare, të marra pa konsultim, pa marrëveshje dhe jashtë vendimeve të Kryesisë, të cilat cenojnë parimet dhe besimin brenda partisë.

Hodaj ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë besnik ndaj parimeve të tij dhe besimit të votuesve, duke e cilësuar këtë si detyrim moral që nuk e shkel në asnjë rrethanë.

Në fund të reagimit, ai ka bërë edhe një thirrje publike ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, duke kërkuar që emërimet e drejtorëve nga radhët e LDK-së të mos bëhen pa pëlqimin dhe konsultimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal nga kjo parti, me përjashtim të drejtorit të Urbanizmit.

Ndërkohë, dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK ka dhënë edhe Fejzë Kabashi. Ai ka bërë të ditur se vendimi i tij vjen pas një njoftimi me SMS nga kryetari i degës, përmes të cilit, sipas tij, janë caktuar përfaqësuesit e LDK-së në ekzekutivin lokal pa asnjë diskutim paraprak në Kryesi.

“U hodh poshtë fjala e dhënë se përfaqësuesit për ekzekutivin lokal do të diskutoheshin dhe vendoseshin së bashku në Kryesi. Kjo, së bashku me mosvlerësimin tim dhe të rajonit të Hasit, më detyroi të jap dorëheqje nga të gjitha funksionet”, ka shkruar Kabashi.

Gjykata merr vendim për Ramadan Morinën, i akuzuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar paraburgimin të akuzuarit për krime lufte, Ramadan Morina.

Kërkesën e Prokurorisë për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Morinës Themelorja e ka aprovuar më 31 dhjetor, shkruan EO.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit R.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 30.12.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

Avokati i Morinës, Arianit Koci, pati kërkuat atij t’i ndryshohet masa e sigurisë.

Edhe avokati Shpend Gashi, i cili e pati zëvendësuar Kocin në seancën e shqyrtimit fillestar, pati kërkuar që i akuzuari të lirohet nga paraburgimi.

Këtë propozim e pati kundërshtuar, prokurori special Ilir Morina, i cili i pat propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Në seancën e mbajtur më 30 dhjetor, Morina, është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzat për krime lufte. Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Morina akuzohet se kreu veprën penale “Krime Lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Prokurorisë Speciale, Morina ngarkohet se gjatë periudhës 1998-99, në kohën e luftës në fshatin Burim të Malishevës, na bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime e keqtrajtime fizike”.

Natasha Kandiq: Vuçiqi njohu Kosovën me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit

Aktivistja e mirënjohur serbe, Natasha Kandiq, ka shkruar në “X” se me pranimin e marrëveshjes gjermano-francez, Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, Serbia ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

Realiteti i Kosovës së pavarur, Natsha Kandiq, ka shkruar se ka ardhur si pasojë krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Po, duke nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Ohrit dhe dokumentin gjermano-francez, AV (Aleksandar Vuçiq) ka pranuar realitetin – se Kosova është një shtet i pavarur. Do të shtoja se ky realitet është pasojë e krimeve të luftës nga MUP/J i Serbisë”, shkroi ajo.

Çështja e presidentit, deklarohet Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se duhet marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit, duke shtuar se vendi nuk e ka luksin që të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë

Sipas tij, imponimi i emrave të përveçëm do ta çojë vendin në krizë institucionale.

“Kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus. Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet me logjikë force, por vetëm me logjikë konsensusi”, ka deklaruar Abdixhiku për Koha.net.

Ai ka theksuar se për këtë pozitë duhet të gjendet një figurë konsensuale që rikthen besimin mes të gjitha partive dhe që shihet si figurë unifikuese.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e ka shprehur publikisht synimin edhe për një mandat në krye të vendit, një ditë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Për zgjedhjen e saj në mandatin e parë, kuorumin e patën mundësuar pikërisht deputetët e LDK’së. Abdixhiku nuk ka treguar se a do ta mundësojë kjo parti rizgjedhjen e Osmanit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti parlamentare, është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces serioz ndërpartiak që synon ndërtimin e këtij konsensusi dhe zgjedhjen e një figure që përfaqëson shtetin”, ka theksuar Abdixhiku.

Ditën e zgjedhjeve, kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, ka deklaruar se do të flasë edhe me opozitën për çështjen e presidentit.

Por, paraprakisht ka thënë se do të ulet e të flasë me Osmanin

Vdes papritur avokati i njohur

Ka vdekur papritur avokati mitrovicas, Rexhep Kaçaniku, shkruan Mitrovica SOT

I ndjeri dikur ishte edhe kryetar i klubit KH Trepça.

Lajmin e bëri të ditur bashkëshortja, Afërdita Kaçaniku.

Varrimi i tij do të bëhet nesër në varrezën e Shipolit në kohën e namazit të akshamit.

Postimi:

Njoftojmë familjen, miqët, kolegët e opinionin se sot, më 12 janar 2026, papritmas ndërroj jetë bashkëshorti e babai jonë:

Rexhep (Sinan) Kaçaniku
(1948 – 2026)

Duke na lënë me dhembje për humbjen e krenari që e patëm.

Varrimi do të bëhet nesër në varrezat e Mitrovicës në Shipol me kohë të akshamit.

Vdes në moshë të re Vijona Zogaj nga Malisheva

Ka vdekur në moshë të re Vijona Hajriz Zogaj nga Malisheva.

Lajmi u bë i ditur nga familja.

“NJOFTIM MORTOR

Me pikëllim të thellë, familja Zogaj nga Turjaka njofton miqtë, dashamirët dhe farefisin se ka ndërruar jetë në moshë të re Vijona Hajriz Zogaj.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet të martën, nga ora 14:00, në varrezat e Lagjës së Madhe në Turjakë.

Njofton familja Zogaj, e pikëlluar nga Turjaka!”, thuhet në njoftim

Furrëtarët në kryeqytet keqpërdorin situatën pa institucione, ngritin sërish çmimet e bukës

Edhe këtyre ditëve të para të vitit 2026, shumë furrëtarë në Prishtinë, duke shfrytëzuar mungesën e institucioneve të shtetit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, u ngutën sërish të rrisin çmimet e bukës dhe të pjekurinave të tjera. Në zinxhirin e furrave “Milenium Bakery” në Prishtinë, një bukë që deri në fund të vitit shitej 0.49 centë, pas Vitit të Ri ka çmimin 0.69 centë, që i bie mbi 40 për qind më shtrenjtë krahasuar me çmimin e para dhjetë ditësh.

Furrëtarët e Prishtinës, por edhe të qendrave të tjera komunale të Kosovës, sipas analizave të shumë njohësve të zhvillimeve ekonomike, janë prodhuesit e privilegjuar të shtetit dhe përfituesit e mëdhenj nga pushteti lokal dhe qendror i vendit. Ata përherë kanë pasur lehtësira reale në zhvillimin e veprimtarisë së tyre prodhuese, duke nisur nga procedurat e lehtësuara të aktivizimit të bizneseve, përzgjedhja e lokacioneve, “këqyrja ndërmjet gishtave” nga inspektimet e rregullta, qoftë edhe në trajtimin e punëtorëve sipas legjislacionit në fuqi, kohëzgjatjen e orarit të punës dhe shumë “mbyllje sysh” të tjera ndaj keqpërdorimeve të shumta të evidentuara, raporton Buletini Ekonomik.

Mirëpo, shumica e furrëtarëve në Prishtinë dhe në mbarë vendin, përkundër privilegjeve dhe përfitimeve enorme nga veprimtaria e tyre, praktikisht janë treguar mosmirënjohës, sidomos në ngarendjen për të rritur çmimet e bukës dhe të pjekurinave të tjera, në shumicën e rasteve pa arsye dhe pa asnjë pretekst. Thjesht, çmimet janë rritur për përfitime edhe më të mëdha dhe më të lehta, duke shfrytëzuar në disa raste vakumet institucionale, siç ndodhi gjatë vitit 2025 me mungesën thuajse njëvjeçare të institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Edhe këtyre ditëve të para të vitit 2026, shumë furrëtarë në Prishtinë, duke shfrytëzuar mungesën e institucioneve të shtetit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, u ngutën sërish të rrisin çmimet e bukës dhe të pjekurinave të tjera. Në shumë furra në kryeqytet u rrit çmimi i bukës standarde, asaj të rëndomtës, ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë. Në këto ditë pa pushtet, në zinxhirin e furrave “Milenum Bakery”, një bukë që realisht peshonte rreth 300 gramë dhe që deri në fund të vitit shitej 0.49 centë, pas Vitit të Ri ka çmimin 0.69 centë, ose mbi 40 për qind më shtrenjtë krahasuar me çmimin e para dhjetë ditësh.

Po kështu, në disa furra, këto ditë një samun, apo “pitajka”, e popullarizuar për Muajin e Shenjtë të myslimanëve, tregtohet me 35 centë, në vend të 30 centëve sa ka kushtuar deri tani (ndërkohë që, deri më tash, në muajin e agjërimit kjo lloj buke është tregtuar me çmime të ulura, qoftë edhe simbolikisht).

Më saktësisht, nga fillimi i vitit 2026, shumë furra në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës, e nisën vitin me çmime të reja të rritura.

“Nuk ka pasur asnjë pretekst për rritje të çmimeve të bukës. Nuk ka pasur çmime të reja të energjisë elektrike që nga prilli i vitit 2025, nuk ka pasur rritje të çmimit të miellit, si produkt qenësor për prodhimin e bukës, as suplementet e tjera që përdorin furrëtarët për prodhimet e tyre nuk kanë shënuar rritje çmimesh. Çmimi i ujit është rritur shumë ditë pas rritjes së çmimeve të bukës dhe disa pjekurinave që në ditët e para të vitit 2026”, thonë vrojtues dhe njohës të ecurive të çmimeve.

Në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës, ai i deritashëm, rezulton të jetë shumë i lartë edhe kur krahasohet me çmimet ekzistuese të materialit riprodhues të nevojshëm për prodhimin e saj. Pra, sipas ekspertëve, furrëtarët kot ankohen se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre. Madje, edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind në prillin e vitit 2025 nuk ka pasur ndikim aq përcaktues në rritjen e çmimit të bukës dhe pjekurinave të tjera.

Sipas tyre, “ka gjasë që furrëtarët t’u jenë përgjigjur me nguti paralajmërimeve të autoriteteve dhe Qeverisë Kurti 3 se, me nisjen e funksionimit të institucioneve të reja të shtetit, është e domosdoshme të përcaktohen disa çmime të limituara, sidomos për produktet elementare ushqimore, ku bën pjesë edhe buka”.

Më saktësisht, furrëtarët që kanë rritur çmimet e bukës në këto ditë të janarit 2026, sërish keqpërdorën përtej çdo kuptimi vakumin institucional, ashtu siç kanë bërë edhe më herët.

Kjo ndodhi edhe në pranverën e vitit 2025, pikërisht në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës bëri publike konstatimin se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe koordinim”. Pikërisht atë ditë, shumë furra në kryeqytet e rritën çmimin e bukës. Më herët, që nga pranvera e vitit 2025, ishte rritur ndjeshëm edhe çmimi i të gjitha pjekurinave në të gjitha furrat e kryeqytetit.

Po del se edhe kësaj radhe furrëtarët në Prishtinë dhe në mbarë vendin nuk e patën për asnjë çast parasysh fuqinë blerëse të kosovarëve dhe varfërinë e skajshme të shumicës së tyre. Nuk u përfillën as kërkesat e pushtetit dhe as të Autoritetit të Konkurrencës, të cilët rekomanduan që gjatë rritjes së çmimeve të produkteve elementare ushqimore të mos shkelet Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të mos ketë marrëveshje të ndaluara – kartele – ndërmjet furrëtarëve.

Nëse kësaj radhe ka pasur bashkërendim të çmimeve mes furrëtarëve, siç ishte konstatuar nga Autoriteti i Konkurrencës në pranverën e vitit 2025, mbetet të vërtetohet. Autoriteti i Konkurrencës duhet të jetë më efektiv në parandalimin e shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të ndërmarrë masa konkrete ndaj shkelësve. Nëse shkeljet janë bërë, masat duhet të pasojnë pa humbur kohë. Në të kundërtën, rritja e çmimeve të bukës do të vazhdojë edhe më tej, bashkë me marrëveshjet e reja ndërmjet furrëtarëve, siç ndodhi edhe në ditët e para të vitit 2026.

Plagosja e biznesmenit në Pejë, Policia publikon fotografitë e tre të dyshuarve

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre personat e dyshuar për plagosjen e djeshme të biznesmenit Jeton Buquku në Pejë.

Bëhet fjalë për tre të dyshuarit, Arian Qelaj, Yll Qelaj dhe Altin Qelaj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ata janë nga fshati Maznik i Deçanit dhe dyshohen për “Vrasje e mbetur në tentativë”.
– ARIAN (Misin) QELAJ i lindur me 20.06.1981 nё fsh. Maznik-Deçan.
– YLL (Arian) QELAJ i lindur me 29.07.2003 nё fsh. Maznik-Deçan.
– ALTIN ( Rifat) QELAJ i lindur me 01.10.2005 nё fsh. Maznik-Deçan.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që kanë informacione për vendndodhjen e tyre, ta lajmërojë policinë.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.”, thuhet në kërkesën e Policisë.

Asamblisti i LDK’së në Vushtrri jep dorëheqje pasi humbi vendin e punës si mësimdhënës

Ramadan Parduzi, asamblist në Komunën e Vushtrrisë, ka dhënë dorëheqja nga pozita e anëtarit të kuvendit komunal pas humbjes së vendit të punës si mësimdhënës.

Parduzi përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se humbja e vendit të punës si mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Ulët 1 “pa sqarim dhe pa bazë ligjore” e detyroi ta merrte këtë vendim.

“Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Kuvendit Komunal në Vushtrri, si pasojë e një qasjeje të padrejtë dhe jo transparente nga institucionet komunale dhe ato qendrore. Në asnjë moment nuk jam njoftuar paraprakisht se duhej të zgjidhja mes ushtrimit të mandatit si anëtar i Kuvendit Komunal dhe vazhdimit të punës sime si mësimdhënës”, ka thënë ai.

“Mosruajtja e vendit tim të punës në Shkollën e Mesme të Ulët 1 (SHMU1), pa sqarim dhe pa bazë të qartë ligjore, më vuri përballë një fakti të kryer dhe më detyroi të marrë këtë vendim të vështirë. Kjo situatë dëshmon mungesë koordinimi, përgjegjësie dhe respekti institucional ndaj individëve që shërbejnë me ndershmëri si në arsim ashtu edhe në përfaqësim publik”, vijon reagimi i tij.