Këta janë zëvendëskryeministrat e propozuar nga mandatari Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca;

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e dytë, Donika Gërvalla;

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka.

Kurti: Ndoshta PDK do të bëhet bashkë me Listën Serbe

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare, duke hedhur dyshime se Partia Demokratike e Kosovës mund të bashkëpunojë me Listën Serbe.

“Si kanë arritur deri në numrin 64, kur PDK-ja dje deklaroi se nuk ka koalicion? Ndoshta përfshirë edhe Listën Serbe. Por kur dje u bë një deklaratë nga PDK-ja që nuk ka koalicion, kështu që hiqi 24 vota – ata opsionalisht mund të bëhen me Listën Serbe bashkë,” ka deklaruar Kurti.

Ai shtoi se kjo çështje mbetet në diskrecionin e presidentes, por qëndrimi i tij ndaj Listës Serbe mbetet i pandryshuar.

“E thashë që është në diskrecionin e presidentes. Qëndrimi im për Listën Serbe nuk ka ndryshuar,” tha Kurti.

Kurti flet për deklaratën ku u kërkonte partive ta testojnë nëse i ka votat për Qeverinë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur lidhur me deklaratën e tij ku kërkonte që të testohej nëse i ka numrat për Qeverinë, gjatë kohës kur u kërkonte partive tjera ta votonin Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit.

Kurti tha se është i bindur se po të votohej Haxhiu me votim të fshehtë, do të zgjidhej Kryeparlamentare, duke shtuar se numrat i kanë lëvizur nga pranvera, shkruan Reporteri.net.

“Unë jam i bindur që në atë kohë, Albulena i ka pas 61 vota me votim të fshehtë dhe insistimi im ka qenë më testoni, pra më provoni. Besoj që nga pranvera, vera e në vjeshtë numrat kanë lëviz. Prej 56 në 62-63, nga java në javë. Dje ishin 56, tash janë 3-4 deputetët që na e kanë thënë shumë qartë, bëni ju 60 vota e ne jemi i 61’ti. Kjo i bie që po të ishim 60, do të bëheshim 63-64. Por, jemi tash ku jemi”, deklaroi Kurti, në një konferencë për media.

Ai shtoi se në muajin maj, gjatë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit, kishte një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për të mos bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në muajin maj kur vijnë këto deklaratat tona vijnë atëherë kur dukej qartazi që kishte vullnet të mos ekspozoheshin ndaj krerëve të partive dhe mediave që e dhanë votën për konstituim të Kuvendit. Pra kishte një lloj trysnie të jashtëzakonshme mbi deputetët në muajin maj sivjet që kurrsesi të mos bëjnë as takime me LVV.”, tha ai.

Pas dështimit të djeshëm për votimin e Qeverisë, Kurti tha se për hapat e ardhshëm duhet pritur Presidentja Vjosa Osmani.

“Duhet ta presim Presidenten për hapat e mëtejshëm. Do të ishte mirë të ishim kursyer nga zgjedhjet në dhjetor”, tha Kurti.

Në votimin e djeshëm për Qeverinë, ishin vetëm 56 vota për.

Kurti tregon prapaskenat: “LDK e kërkoi PDK-në brenda qeverisë, kjo është e papranueshme”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në konferencë për media ka folur për dështimin e votimit të qeverisë së re të dielën e 26 tetorit. Ai tha se qeveria e re nuk u zgjedh përkundër tentimeve dhe gatishmërisë së VV-së, shkruan Reporteri.net.

Kurti përmendi se LDK-së i kanë bërë ftesë dy herë dhe se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën, por që të dyja s’kanë pranuar ofertën e bashkëpunimit.

“Dje Kuvendi siç e pamë nuk arriti të zgjedh qeveri të re përkundër tentimeve te disahershme shteruese dhe gatishmërisë tonë të hapur e të sinqertë, përpjekjet për shumicën nuk e dhanë rezultatin të cilin e synuam. Asnjëra nga partitë që ju kemi bërë ftesë nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar që duhej të kishte koalicion. I bëm ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt te vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Të pranonin ofertën tonë për bashkëpunim, jo vetëm që do t’i kishim numrat, por edhe do të mund të jepnim çështje zgjidhjes së Presidentit e cila na pret pas katër muajve”, tha ai.

“Duke parë disponimin elektorateve të VV-së dhe LDK-së, që duan ta shkëpusin LDK-në nga PDK-ja. Në vitin 2020 ja arritëm por vetëm për 51 ditë, e provuam përsëri me lidershipin e ri të LDK-së por pa sukses. E vetmja mënyrë se si LDK pranonte ishte që edhe PDK-ja të jetë aty brenda. Për neve kjo është e papranueshme. Katër vitet e këtij mandati na e kanë dëshmuar që qeveria është stabile, që përveç numrave në Kuvend i ka edhe në kuti të votimit”

“Dua të theksoj që unë dhe VV jemi të interesuar dhe angazhohemi të punojm që ta zhvillojmë shtetin. parnadja para çdo marrëveshje, ne zgjedhim zgjedhjet kjo është edhe arsyeja pse vendi, siç e pamë dje nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveç drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”, tha Kurti në konferencë për media.

Kurti: Përveç balotazhit, do të mund të kemi edhe dy herë zgjedhje

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se pas dështimit të djeshëm për votimin e Qeverisë, duket se s’ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Kurti bëri me dije se ende nuk kanë pranuar ftesë nga Presidentja Vjosa Osmani, teksa tha se edhe partitë tjera po përgatiten për zgjedhje.

“Ne nuk kemi marrë ende ftesë nga Presidentja. Do të konsultohemi me të. E dimë që per herën e dytë eventualisht është në diskrecionin e saj cështja e mandatarit për formimin e Qeverisë…Duket se që të gjithë tani po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhje të reja parlamentare”, ka deklaruar Kurti në konferencë.

Ai tha se përveç balotazhit, do të mund të mbahen edhe dy palë zgjedhje.

“I kemi vetëm katër muaj deri te zgjedhja e Presidentes”, teksa shtoi se kur dje nuk arritën t’i bëjnë 61 vota për Qeverinë, do ta kenë zor t’i bëjnë 80 për zgjedhjen e Presidentit.

“Është për të ardhur keq sepse përveç balotazhit, do të mund të kemi dy herë zgjedhje. Këto të dhjetorit kemi mujt t’i evitojmë, e t’i lëmë vetëm ato të pranverës”, shtoi Kurti

Abdixhiku deklarohet pas takimit me Limajn

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe ai i Nisma Socialdemokrate janë takuar sot gjatë ditës.

Abdixhiku e quajti takimin e shkëlqyeshëm.

“Ishte një takim i shkëlqyeshëm me një mik të shkëlqyeshëm siç është Fatmir Limaj. Me pasë dashtë ju me ditë, ju kishim thirrë në takim”, Abdixhiku.

Përfundon takimi Abdixhiku-Limaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe ai i Nisma Socialdemokrate janë takuar sot gjatë ditës, raporton Ekonomia Online.

Takimi mes tyre ka filluar në ora 14:00.

Një ditë pasi dështoi të votohet për kryeministër, Kurti thërret konferencë për media

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thirrur konferencë për media në ora 17:00 në objektin e Qeverisë.

Në njoftimin e Zyres së Kryeministrit nuk bëhet e ditur arsyeja.

Kjo konferencë vjen një ditë pasi Kurti dështoi ta krijonte qeverinë e re.

Vetëm 56 deputetë votuan për formimin e kabinetit të tij, 52 ishin kundër, ndërsa katër abstenuan. Kështu, Kurti nuk arriti shumicën e nevojshme prej 61 votash.

Zhvillime dramatike: Paralajmërohet formimi i Qeverisë Kurti…

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se gjatë ditëve të mbetura të afatit kushtetues ekziston mundësia që disa deputetë të ndryshojnë qëndrim dhe të mundësojnë formimin e Qeverisë Kurti, duke theksuar se disa deputetët nuk mund të jenë më në Kuvend.

Kusari-Lila, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se në mungesë të reflektimit politik, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Unë besoj që i vetmi ndryshim mund të jetë që në rast se ka vullnet të deputetëve të caktuar për të votuar qeverinë dhe mandatarin, në këtë rast kryeministri Albin Kurti mund të garantojë se i ka 61 vota dhe të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues. Kjo është e vetmja formë, por jam e bindur se nëse nuk ka ndryshim të qasjes apo të pozicioneve, zgjedhjet, siç po shihet, po shkojnë drejt atij drejtimi”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, edhe pse nuk ka shumë shpresë, deputetët kanë ende hapësirë për reflektim.

“Unë besoj që brenda këtij 24 orëshi deputetët e kanë pasur mundësinë, nëse do ta kenë edhe në ditët dhe orët në vijim hapësirën për të reflektuar. Procesi zgjedhor është proces zgjedhor dhe ne natyrisht përgatitemi, edhe prej më herët e kemi ditur se zgjedhjet, siç e kam deklaruar publikisht, janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme duke marrë parasysh edhe proceset tjera, zgjedhjen e presidentit. E vetmja mënyrë për një qeveri që të ketë një afat më të shkurtër ka qenë votimi ose pranimi i Qeverisë Kurti të propozuar dje në mënyrë që të tejkalohet kjo bllokadë me çështjen e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, theksoi ajo për Ekonomia Online.

Kusari-Lila ka theksuar se disa deputetë duhet ta kuptojnë se mund të jetë hera e fundit që janë pjesë e Kuvendit.

“Unë në veçanti nuk kam shpresë, por nëse ata kanë reflektime, le ta vlerësojnë vetë. Ka deputetë, fatkeqësisht, siç ju kam thënë edhe në seancë disave që e kanë parë për këtë periudhë të shkurtër Kuvendin ose kanë qenë e kanë marrë këtë mandat dhe do të jetë mandati më i shkurtër ndonjëherë në Kosovë për deputetë që janë zgjedhur disa për herë të parë ndoshta edhe të fundit. Disa nuk e di a do të kenë mundësinë që të zgjidhen prapë. Ka qenë një mundësi për të tejkaluar një ngërç të krijuar si rrjedhojë me pasoja të tjera për qytetarët dhe ndoshta me reflektim dhe konstruktivitet për deputetët. A do të ketë diçka të tillë nuk e di, por mundësi ekziston edhe 9 ditë të mbetura për këdo që mund t’i ketë 61 numra për Kurtin dhe VV-në”,  tha ajo.

Lidhur me hapat e mëtejmë, ajo tha se gjithçka mbetet në dorën e presidentes.

“Është në diskrecion të presidentes, do të thotë është në diskrecion të presidentes e cila mundet që në konsultim me partitë politike të pyesë se a është dikush i gatshëm që t’i sjell 61 numra të deputetëve, por gjithmonë mbetet diskrecion i saj,” tha ajo.

Duke folur për ngërçin politik në Kuvend, Kusari-Lila tha se bllokada ka nisur që nga votimi për kryeparlamentaren Albulena Haxhiu e deri te pamundësia për të siguruar shumicën për qeverinë.

“Prej kur ka filluar kjo ngecje në raport me procesin e votimit për fillimisht për kandidatin për kryeparlamentare, zonjën Haxhiu, pastaj vazhdimet e shumta të seancës te pjesa e votimit të komisionit për votim të fshehtë, e deri te ndërrimi i kandidatëve për Kryeparlamentar, u pa që nuk kemi arritur të kemi një shumicë minimale që duhet qoftë për votimin e kandidatëve të kryesisë së Kuvendit apo edhe për qeverinë”, tha ajo.

Ajo shtoi se edhe përkundër përpjekjeve për marrëveshje me deputetë nga Nisma dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, shumica e nevojshme nuk u arrit.

“Më shumë ka qenë perceptim që në momentin kur të konstituohet Kuvendi do të jenë votat për qeverinë, për shkak se mund të arrihet një marrëveshje, por pa sukses deri në momentin e arritjes së seancës për votimin e qeverisë. Fatkeqësisht, kemi pasur një kohë të gjatë humbje me kërkesat për Gjykatën Kushtetuese dhe masa dy herë të vendosur nga Gjykata, pa nevojë. Në një farë mënyre është stërzgjatur ky proces që ka mundur të përmbyllet shumë më shpejt”, theksoi ajo.

Kusari-Lila shtoi se në mungesë të kompromisit, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.

“Që nga seanca e shtatë ose e tetë, kur e kam parë mungesën e vullnetit dhe gatishmërisë për të biseduar, kam thënë që në këtë frymë politike, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Tash po shihet se pa shmangshëm po hyjmë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare”, tha ajo.

Ajo tha se edhe pse opozita ka tentuar ta paraqesë si përgjegjësi të Vetëvendosjes, bllokimi është pasojë e mungesës së vullnetit për dialog nga partitë e tjera.

“Unë besoj që do të kemi një rezultat më të mirë se zgjedhjet e 9 shkurtit. Ajo është çka ne jemi përpjekur vazhdimisht që të tregojmë edhe konstruktivitetin edhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe, përkundrejt se kemi pasur shpeshherë situata ku partitë e deritanishme opozitare as nuk kanë marrë pjesë në proces votimi, ku tri herë kanë dërguar lëndë në Gjykatë Kushtetuese, ku e gjithë kjo vonesë, përkundrejt se po mundohet të na faturohet ose t’i thuhet se është përgjegjësi e Grupit Parlamentar të VV-së, ndoshta në këto rrethana ka qenë pjesa më e vogël e përgjegjësisë, si rrjedhojë e këtyre mungesave të diskutimeve, mungesës së vullnetit, qoftë edhe refuzimit që të ulesh në tavolinë dhe të diskutosh për situatën”, tha ajo.

Sipas saj, zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme dhe pritet të mbahen gjatë dhjetorit.

“Edhe pse vazhdimisht ju kemi thënë që na sfidoni, të hyjmë në afatet kushtetuese, shumë më e thjeshtë do të ishte që të bëhej më herët (shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare). Shumë më e lehtë do të ishte të menaxhohej në aspektin kohor edhe për vendin, edhe për proceset, edhe për motin, edhe për fushatën, sikur i gjithë ky proces edhe nëse nuk do të arrinim t’i kishim shumicën, të ndodhte më herët dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të radhës të kryheshin më herët. Por ishte kjo qasje e tyre që kanë kalkuluar edhe me rezultatin e zgjedhjeve lokale, pashmangshëm, dhe tashmë kanë ardhur në këtë pikë ku nuk mund të shtyhet më dhe tash e kuptuam që në muajin dhjetor do të mbyllet edhe viti, edhe proceset zgjedhore të hapura për vitin 2025”, tha ajo”, përfundoi Kusari-Lila.

Kushtetuesja flet për ankesën e Listës Serbe, rreth zgjedhjes së nënkryetarit

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim sa i përket kërkesës së Listës Serbe rreth formës së zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Nga Kushtetuesja për RTV21 kanë thënë se kjo kërkesë është në shqyrtim.

“Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigje.