div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-250 category-paged-250 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
E hidhur: Vdes ish-ushtari i UÇKsë

Ka vdekur sot Bejtush Hoxha, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në një njoftim në Facebook, faqja Zona Operative e Llapit “Zoll” ka bërë të ditur vdekjen e Hoxhës, duke i shprehur ngushëllime familjes dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij.

Tutje, theksohet se nga moskujdesi institucional për rehabilitimin e luftëtarëve të lirisë po bën që shumë prej tyre ta humbin betejën me jetën dhe të ikin në amshim.

“Të dashur bashkëluftëtarë, sot u nda nga kjo botë edhe një vëlla i armës. Për kohën e varrimit do të ju njoftojmë me kohë”.

“Nderime, bashkëluftëtar! Të qoftë i lehtë dheu i lirisë, Bejtush Hoxha”, thuhet në shkrimin e lëshuar nga Zona Operative e Llapit “Zoll”.

Gjenerali serb i dënuar për krime lufte në Kosovë lirohet nga burgu

Gjenerali serb, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka shkuar në Serbi, bëri të ditur kryeministri serb, Gjuro Macut, më 28 shtator.

Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, me vendim të formës së prerë ishte dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës më 1999.

Macut tha se është plotësuar kërkesa e Qeverisë së Serbisë që Pavkoviqit, “për shkaqe shëndetësore, t’i mundësohet lirimi i parakohshëm”.

Ai shtoi se me këtë “akt konfirmohet se shteti kujdeset për qytetarët e vet dhe se angazhohet për parime humane në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Sipas kryeministrit të Serbisë, Pavkoviq do të vazhdojë trajtimin mjekësor në Serbi.

Lirimin e tij nga burgu e kishte paralajmëruar më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Pavkoviq u shpall fajtor në vitin 2009 për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.

Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniq dhe Llazareviq me nga 15 vjet.

I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.

Të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht.

Mekanizmi në Hagë, deri më tani nuk ka njoftuar për lirimin e Pankoviqit.

Në mesin e muajit gusht, avokati Aleksandar Alleksiq, dorëzoi një kërkesë urgjente për lirimin e parakohshëm të Pavkoviqit, duke përmendur si arsye gjendjen shëndetësore.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në maj 2022, e kishte refuzuar kërkesën e Pavkoviqit për lirimin e parakohshëm, për shkak të “rëndësisë së madhe të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit”. /REL

Tragjedi në Lubeniq – një person bie në bunar, dyshohet se ka humbur jetën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në fshatin Lubeniq të komunës së Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se rasti ka ndodh rreth orës 14:30, kur një qytetar ka njoftuar se një person kishte rënë në një bunar që po hapej në afërsi të varrezave të fshatit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Pejës, sipas të cilës viktima dyshohet se është pa shenja jete, por se trupi i tij ende nuk është nxjerrë nga bunari rreth 20 metra.

Ekipet e emergjencës dhe njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin.

Ende nuk dihen rrethanat e plota të këtij incidenti, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe identitetin e personit të përfshirë.
Blushi shpërthen kundër njohjes së Palestinës: “Shpërblim për një popull që ka zgjedhur terrorizmin”

Sipas Blushit, njohja e Palestinës pa kushte është shpërblim i pamerituar për një popull që ka refuzuar paqen, ka zgjedhur terrorizmin dhe nuk ka ndërtuar institucione demokratike.

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të disa vendeve europiane, si Franca dhe Britania, për të njohur shtetin palestinez. Sipas tij, një akt i tillë nuk është as zgjidhje dhe as ndihmë për paqen në Lindjen e Mesme, por një shpërblim i gabuar për një popull që ka refuzuar historikisht çdo mundësi për të pasur shtetin e vet.

Blushi kujton se palestinezët kanë refuzuar planin e OKB-së të vitit 1947 për krijimin e dy shteteve, kanë humbur të gjitha luftërat kundër Izraelit dhe madje në vitin 2000 refuzuan edhe marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Bill Clinton. “Izraeli ka refuzuar më pak shtetin palestinez sesa vetë palestinezët,” thekson ai.

Ai nënvizon diferencat e mëdha mes dy popujve: ndërsa Izraeli është kthyer në një demokraci të fortë me ekonomi prej 600 miliardë dollarësh në vit dhe një fuqi teknologjike botërore, Palestina ka mbetur e varfër dhe e qeverisur nga Hamas, një organizatë terroriste që nuk lejon zgjedhje prej vitit 2005.

“Palestinezët e adhurojnë Hamasin, i shpallin terroristët martirë dhe nuk ngrihen kurrë kundër tij. Për këtë arsye, njohja e Palestinës pa kushte është një shpërblim që ky popull nuk e meriton,” shkruan Blushi, duke shtuar se vetëm zhdukja e Hamasit dhe pranimi i demokracisë mund t’i japë palestinezëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre.

Sipas tij, çështja palestineze nuk lidhet vetëm me Izraelin, por me moralin e kohës: “Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me pjesën tjetër të botës së qytetëruar.”

Ditë emocionuese për Jakup Krasniqin në Hagë

Altin Krasniqi ka udhëtuar sot drejt Hagës për ta vizituar babanë e tij, Jakupin, i cili po mbahet në paraburgim tash e disa vjet.

Bashkë me Altinin, ishte edhe Doari, hera e parë e tij në vizitë tek xhaxhai, ndaj dita e sotme ishte shumë emocionuese.

“Sot, bashkë me Doarin, ishim për vizitë në Hagë. Hera e parë për Doarin te axhi Jakup ishte shumë emocionuese”, ka shkruar djali i Jakup Krasniqit në Facebook, kur ka postuar edhe një fotografi.

Ditë emocionuese për Jakup Krasniqin në Hagë - Insajderi - 556414714 10231173122177775 4087213765664777517 n

 

Fotografia nga varrimi i vëllait të Gjestit që po merr komente negative në rrjete sociale

Ceremonia mortore e Eldion Kelmendit, vëllait të Gjestit, u shënua nga një moment i dhimbshëm dhe shumë emocional, kur Egli Tako u pa duke përqafuar e ngushëlluar Gjestin pranë varrit të të ndjerit.

Pamje që në vetvete mbartnin një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje, fatkeqësisht u kthyen në një skenë për kamerat dhe telefonat e shumtë të pranishëm.

Në një fotografi të publikuar nga ceremonia, shihet qartë se dhjetëra persona, në vend që të respektonin privatësinë dhe dhimbjen e familjes, mbanin celularët e tyre në duar duke filmuar apo fotografuar këtë moment.

Fotografia nga varrimi i vëllait të Gjestit që po merr komente negative në rrjete sociale - Insajderi - image 235

Ngjarja është cilësuar nga shumë njerëz si e papërshtatshme dhe e gabuar, duke theksuar se një varrim nuk është vend për të bërë regjistrime apo për të ndarë momente intime të dhimbjes së dikujt.

Shumë reagime në rrjete sociale dënuan këtë sjellje, duke e quajtur jo vetëm mungesë respekti për Gjestin dhe familjen Kelmendi, por edhe një tregues shqetësues të mënyrës si teknologjia shpesh tejkalon ndjeshmërinë njerëzore.

Sipas tyre, ngushëllimi i sinqertë dhe dhimbja e ndarjes nuk duhet të shndërrohen në përmbajtje për publik.

Kjo situatë hap sërish debatin mbi etikat e përdorimit të telefonave gjatë ngjarjeve të tilla të ndjeshme.

Ceremonia e djeshme tregoi se, përtej dhimbjes së madhe të një familjeje, shoqëria shpesh dështon të vendosë kufirin mes respektit dhe kuriozitetit.

Ja kur pritet të formohet Qeveria Kurti 3
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku është shprehur i bindur që Lëvizja Vetëvendosje si forca e parë politike që doli në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, do ta formojnë Qeverinë Kurti 3.

Çeku në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se aktualisht po presin vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masën e përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.

“Ne po presim vendimin përfundimtar më 30 shtator, kështu është paralajmëruar nga Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet konstituimi apo të konstatohet konstituimi nga Gjykata Kushtetuese, pastaj ne e kemi 15 ditëshin tonë dhe unë jam shumë i sigurt që momentin që konstituohet Kuvendi brenda atij afati do ta kemi qeverinë Kurti3”, ka deklaruar ai.

Sa i takon vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku ka theksuar se Serbia ka qenë shkaku kryesor që ekzekutivi kosovar ka pas dallime me partnerët ndërkombëtarë.

“Sa herë që kemi pas dallime në mendime, në qasje me partnerët tanë ndërkombëtarë kjo është lidhur me një temë vetëm me Serbinë dhe me asgjë tjetër. Dhe me kërkesat specifike të një regjimi atje që dita ditës po bëhet edhe më autokratik dhe diktatorial në raport me qytetarët e vetë“, është shprehur Çeku.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme mbi bazën e ankesës së Listës Serbe, e cila erdhi pasi kryeparlamentari, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.

Basha në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Çfarë do të ndodh sot në Kosovë

Edicioni i 24-të i Maratonës Prishtina 2025 (sheshi në Prishtinë, ora 09:00).

Epopeja e Jezercit, Dita e Dëshmorëve të Komunës së Ferizajt – Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Komunës së Ferizajt (ora 10:00).

Homazhe pranë varrit të Gjeneralit Imri Ilazi – Komandant Ferrit (ora 10:30).

Akademia Përkujtimore, (Teatri “Adriana”, Ferizaj, ora 11:00).

Gara në motocross në Mollopollc. (Shtime, ora 11:00).

Përurohet rruga në Devetak. (Shtime, ora 13:00)

Finalja e turneut memorial në futsall (Salla e sporteve “Bill Clinton” – Ferizaj, ora 18:00)./Kosovapress/

Zvicra mbulohet nga bora

Vështirësi të mëdha janë shënuar sot në trafikun rrugor si pasojë e motit të lig. Në Bettmeralp të kantonit Wallis dhe në maloren First në Grindelwald të kantonit Bern, qytetarët u zgjuan me një peizazh të mbuluar nga bora.

Sipas “Meteo Schweiz”, kufiri i borës luhatet mes 1800 dhe 2100 metrave, ndërsa në Alpet perëndimore dhe jugore ka rënë deri në 50 centimetra borë.

Për shkak të reshjeve, kalimi i rrugës së Gotthardit është mbyllur në të dy drejtimet, ashtu si edhe rrugët Tiefenbach–Gletsch dhe Wassen–Meiringen, të cilat mbeten të pakalueshme.

Ndërkohë që në male ka reshje bore, në zonat e ulëta të Zvicrës ka rënë shi. Parashikimet tregojnë se e diela do të jetë kryesisht e thatë, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 18 gradë në disa zona.

 

Policia arreston dy serbë në Koshare, njëri nga është ushtar aktiv në Serbi – U kapën nga dy ish pjesëtarë të UÇK-së

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia pë Reagim të Shpejtë NJ.R.SH e Policisë kufitare në Ponashec ka arrestuar dy serbë në Koshare.

Dy serbët, babai dhe djali i tij i cili është edhe ushtar aktiv në Serbi, kanë hyrë nga pika kufitare në Kullë, fillimisht kanë qenë në Manastirin e Deçanit dhe më pas kanë vazhduar rrugën për në Koshare.

Të njëjtit u arrestuan nga disa policë që kanë qenë edhe pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë kontrollit janë gjetur uniforma, simbole nacionaliste, emblema të ndryshme të Serbisë dhe iu është konfiskuar edhe vetura me të cilën po lëviznin.