Mustafa i LDK-së: Për Vetëvendosjen o zgjidhet Albulena Haxhiu, o flaka i daltë këtij vendi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar menjëherë pas nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehet në kornizën kushtetuese për të tejkaluar bllokadën institucionale, shkruan Gazeta Sinjali.

“LDK e ka një propozim. Ju lutem kthehuni në kornizën kushtetuese ta tejkalojmë këtë show dhe cirk politik që po e bëni tash e 43 herë,” deklaroi Mustafa nga foltorja e Kuvendit.

Tutje, pas përfundimit të seancës, ai shtoi:

Për Vetëvendosjen o zgjidhet Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, o flaka i daltë këtij vendi. Ne nuk mund të pranojmë një qasje të tillë”, tha ai.

Policia jep detaje për vdekjen të riut nga Lipjani

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka ndërruar jetë pasi dyshohet se ishte duke sulmuar automjete dhe kalimtarë në gjendje të dehur.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami”.

“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka thënë ai për IndeksOnline.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, shtoi ai.

Policia dhe prokuroria janë duke trajtuar rastin me prioritet, ndërsa rrethanat e plota pritet të sqarohen pas përfundimit të hetimeve.

Izraeli sulmon Jemenin, godet tre porte dhe një termocentral

Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj tre porteve dhe një termocentrali në zonat e kontrolluara nga rebelët Huthi në Jemen, në kuadër të “Operacionit Flamuri i Zi”.

Objektivat përfshinin edhe anijen Galaxy Leader, e rrëmbyer nga Huthit në vitin 2023 dhe e përdorur për vëzhgim detar.

Pas sulmeve, dy raketa u lëshuan nga Jemeni drejt Izraelit. Ushtria izraelite aktivizoi sirenat në disa zona dhe tha se përgjimet janë “nën shqyrtim”.

Huthitë thanë se përdorën raketa tokë-ajër të prodhuara në vend për t’u mbrojtur. Mediat e tyre raportuan goditje në portin Hudaydah, por pa detaje për viktima apo dëme.

Ministri i Mbrojtjes Izrael Katz paralajmëroi se Huthitët “do të vazhdojnë të paguajnë një çmim të lartë për veprimet e tyre”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

 

Peci publikon foto nga veriu: Freski, qetësi e siguri

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, njëherit kandidat për kryetar të Mitrovicës nga Vetëvendosje, ka publikuar një foto nga veriu.

Ai ka shkruar se në veri është jo veç freski, por ka edhe siguri, shkruan Reporteri.net.

“Freski, qetësi e siguri në Veri!”, ka shkruar ai.

E rëndë: Humb jetën në rrethana të dyshimta i riu nga Lipjani

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në familjen Zejnullahu të fshatit Banullë në Lipjan, pasi i riu Agon Zejnullahu ka humbur jetën në moshën 27-vjeçare, raporton GazetaDemos.

I njëjti dyshohet se ka humbur jetën në rrethana të dyshimta mëngjesin e sotëm.

Rastin e ka konfirmuar edhe vetë komuna, ku kryetari Imri Ahmeti i dërgoi telegram ngushëllime familjes.

“Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agon Zejnullahut nga fshati Banullë.

E nderuar familje Zejnullahu,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahut, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit.

Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin”, thuhet në telegram.

Gruaja e godet me thikë bashkëshortin në Prizren

Një burrë ka pësuar lëndime të rënda trupore pas një sulmi me thikë në Prizren.

Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 23:30, ku pas një mosmarrëveshjeje, viktima është goditur nga gruaja e tij.

Burri është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara ndodhet në kërkim nga policia.

E rëndë: Vdes një foshnjë gjatë lindjes

Një rast i rëndë ka ndodhur në Gjakovë.

Raportohet se gjatë procesit të lindjes një foshnjë ka ndërruar jetë. Sipas raportit policor rasti ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 12:30 minuta.

Policia bën të ditur përmes raportit se lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

Po ashtu është bërë e ditur se rasti po hetohet nga ekipet relevante.

Rasti është cilësuar si HETIM I VDEKJES.

IHMK del me njoftim: Nga kjo ditë priten reshje shiu e breshëri

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vala e të nxehtit afrikan do të vazhdojë të ndikojë mbi vendin sot edhe nesër, për t’u zëvendësuar nga një front i freskët që do të sjellë reshje, stuhi dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Ndryshimi i madh pritet të ndodhë nga dita e mërkurë, kur një front i freskët atmosferik do të sjellë reshje shiu, breshër dhe shkarkime rrufesh

Sipas IHMK-së sot mbi vend do të ketë mot me diell dhe vranësira të pakta.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-37 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-5m/s.

Lajm i hidhur: Vdes në moshë të re minatori i Trepçës

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur se me dhimbje të madhe ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të minatorit dhe anëtarit të kësaj sindikate, Rexhep Pllana.

I ndjeri ishte pjesë e Ndërmarrjes Trepça – Flotacion Stan-Tërg, ku njihej për përkushtimin dhe punën e palodhshme në shërbim të sektorit minerar.

Sindikata ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Pllana, bashkëpunëtorët dhe të gjithë kolegët minatorë, duke e cilësuar këtë një humbje të madhe për komunitetin e tyre.

E rëndë: Vdes një 27-vjeçar, ishte nën ndikim të alkoolit sulmonte kalimtarët, më pas ndërron jetë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta pas një incidenti në rrugë.

Gazeta Sinjali mëson se viktima është një 27 vjeçar, i cili rreth orës 00:00, në rrugën “Haradin Bajrami”, ishte parë nën ndikim të alkoolit duke dalë në shiritin rrugor dhe duke sulmuar vetura dhe kalimtarë të rastit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilat kanë vendosur situatën nën kontroll, ndërsa në lokacion ka arritur edhe emergjenca mjekësore. Megjithatë, mjekët kanë konstatuar se 27-vjeçari kishte ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë: Hetuesit policorë, Njësitë relevante, dhe Prokurori i krimeve të rënda, i cili ka urdhëruar që të kryhen veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë kontrollin e kamerave të sigurisë që mbulojnë zonën.

Lidhur me rastin është intervistuar edhe një dëshmitar i cili ka deklaruar se ishte sulmuar nga viktima para se ky i fundit të ndërronte jetë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen – Trup i pajetë”, ndërsa trupi i të ndjerit është dërguar në IML për obduksion.

Hetimet janë në vazhdim.