div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-351 category-paged-351 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Momenti kur sulmohet brutalisht ish-komandanti i UÇK-së

Një rast i lëndimit të lehtë trupor i ndodhur në rrugën “Ymër Pula” në Gjakovë, më 04 gusht 2025 rreth orës 18:30, ka çuar në arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

Viktimë në këtë rast është ish-komandanti i UCK Hekuran Hoda, ndërsa të dyshuar për përfshirje në rrahje janë Beg Bushati, 21-vjeçar dhe Bajram Bushati, 23-vjeçar.

Hetimet janë zhvilluar nga Njësia e Hetimeve Gjakovë, e cila më 06 gusht 2025 ka shoqëruar të dyshuarin nr. 1 në stacionin policor, ku pas analizimit të pamjeve filmike, është konfirmuar pjesëmarrja e tij aktive në rrahje.

I dyshuari Beg Bushati ka pranuar përfshirjen në ngjarje gjatë intervistimit në prani të avokatit dhe me vendim të Prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërsa Bajram Bushati, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është ende nën hetime.

Sinjali ka siguruar pamje nga momenti kur komandanti Hekuran Hoda rrahet në mënyrë ç’njerëzore në Gjakovë

 

Lushtaku për protestën e sotme: Mos hesht! Sepse kush hesht sot, nesër do ta qajë lirinë e humbur
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën e nesërme, që do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në ora 17:00, kundër Gjykatës Speciale, raporton GazetaBlic.Lushtaku ka theksuar se kjo protestë është kundër padrejtësisë që po u bëhet heronjve të luftës, ata që udhëhoqën për lirinë e Kosovës.

Ai ka kujtuar sakrificën dhe dhimbjen e popullit shqiptar dhe ka bërë thirrje për qëndresë dhe mbrojtje të të vërtetës dhe dinjitetit.

“Mos hesht! Dil në protestë për lirinë tonë!” tha Lushtaku.

 

 

 

 

Sot protesta kundër Gjykatës Speciale

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë organizuar sot një protestë gjithëpopullore në ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shprehur kundërshtimin ndaj, siç u cilësua, mbajtjes së padrejtë në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Zyrtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL – UÇK) theksuan se kjo protestë është një thirrje për drejtësi dhe për respektimin e vlerave të luftës çlirimtare. Ata bënë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet për të mundësuar pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve nga e gjithë Kosova, transmeton Klankosova.tv.

“Kemi komunikuar me strukturat tona dhe me shumë qytetarë. Për ata që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë me autobusë, kemi vendosur që parkingu ‘Prishtina’ pranë Pallatit të Rinisë do të jetë i gatshëm për pritjen e tyre”, tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL – UÇK-së.

Ai theksoi rëndësinë e protestës si një akt simbolik për të shprehur mbështetjen ndaj ish-liderëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.

“Është e rëndësishme që të dërgojmë një mesazh të qartë: kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj tyre, por edhe ndaj historisë sonë”,  tha Syla.

“Veç VV-ja e Lista Serbe s’kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë ndaj Speciales

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe, janë dy partitë e vetme politike që s’kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e sotme kundër Gjykatës Speciale.

Hasani tha se katër zyrtarë të VV-së kanë deklaruar se para se qytetarët të dalin nesër në protestë, duhet ta kujtojnë gushtin e vitit 2015.

“Nesër Prishtina do të jetë pjesë e lajmeve të të gjithë botës. Unë e shoh që vetëm dy subjekte politike që nuk kanë marrë dhe nuk kanë bërë thirrje për të marrë pjesë në protestën e nesërme për mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Veç Vetëvendosjen akoma nuk e kam parë që ka dalë të bëjë thirrje dhe Listën Serbe. Kjo është e tmerrshme. Plus kemi parë deklarata të tyre kundër”.

“Thaçi ka thënë se do të jetë i pari që do të shkojë në Hagë dhe do të përballet me luftën për ta mbrojtur luftën. Me luftën në Gjykatë Speciale për ta mbrojtur luftën e UÇK-së”, tha Hasani në Edicionin Special në Klan Kosova.

Tutje, ai u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje sot e sheh rrezikun e humbjes së pushtetit nga lirimi i ish-krerëve të UÇK-së.

“Ata që sot janë në pushtet, e shohin rrezikun e humbjes së pushtetit dhe i kanë këto reagime. Sepse momenti po vjen për lirimin e tyre por këta e shohin rrezikun e tyre sepse do të ikin nga pushteti”.

Qyteti spanjoll ndalon festën e Fitër dhe Kurban Bajramit në vende publike

Partia Popullore Konservatore në Jumilla votoi për të ndaluar përdorimin e qendrave qytetare dhe palestrave për aktivitete “të huaja për identitetin tonë”.

Një autoritet lokal në Spanjën juglindore u ka ndaluar myslimanëve përdorimin e objekteve publike si qendrat qytetare dhe palestrat për të festuar festat fetare të Fitër Bajramit, i cili shënon fundin e Ramazanit, dhe Kurban Bajramit.

Ndalimi në Jumilla, në Murcia, është i pari në Spanjë. Ai u prezantua nga Partia Popullore Konservatore (PP) dhe u miratua me abstenimin e partisë së ekstremit të djathtë Vox dhe kundërshtimin e partive lokale të majta, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Propozimi thotë se “objektet sportive komunale nuk mund të përdoren për aktivitete fetare, kulturore ose shoqërore të huaja për identitetin tonë, përveç nëse organizohen nga autoriteti lokal”.

Partia lokale Vox postoi në X: “Falë Vox, masa e parë për të ndaluar festat islamike në hapësirat publike të Spanjës është miratuar. Spanja është dhe do të jetë përgjithmonë vendi i njerëzve të krishterë.”

LAJM I FUNDIT: Arrestohen dy shtetas serbë në Koshare

Pasditen e djeshme në Koshare të Gjakovës janë arrestuar dy shtetas serbë. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e fshatit Batushë të Gjakovës.

Sipas dëshmitarëve okularë, disa çiklistë kanë vërejtur një veturë me targa të Serbisë (SJ-032-IT) dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Gjakovës. Policia ka reaguar me shpejtësi, duke u nisur drejt fshatit Koshare, ku edhe ka arrestuar dy personat e dyshuar, shtetas të nacionalitetit serb.

Arrestimi është kryer në fshatin Batushë, ndërsa sipas burimeve të gazetës “Epoka e Re”, të dyshuarit aktualisht ndodhen në stacionin policor të Gjakovës. Ndërkohë, automjeti i tyre është tërhequr me automjetin “marimangë” dhe është dërguar për në Gjakovë.

LAJMI I FUNDIT: 30 ditë paraburgim për kolonelin Nexhmi Krasniqi

Koloneli i stacionit policor të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi dhe tre persona të tjerë u arrestuan nga Policia e Kosovës për vepren penale “detyrimi”.

Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë, duke iu caktuar 30 ditë paraburgim Nexhmi Krasniqit, dhe tre të tjerve.

Përveç Krasniqit, të arrestuar janë edhe Xhevat Sallauka, Liman Sallauka dhe Ramadan Paçarizi.

Prokuroria në kërkesën për paraburgim ka thënë se koloneli Krasniqi dhe të tjerët detyruan viktimën që ta shiste një parcelë 250 mijë euro, përkundër që vlera e saj shkonte në treg deri në 500 mijë euro.

Arrestimi i Nexhmi Krasniqit- Kush tjetër u kap bashkë me të (EMRAT“I dëmtuari nga frika dhe presioni, dhe me miratimin e dëshmitarit E.E., si pronarë i pjesës të kësaj ngastre vendosin të tërhiqen në dobi të R.P., i cili më pas e blenë këtë parcelë nën çmimin e tregut për 250,000 euro, e cila pronë realisht kishte vlerë prej 400 mijë deri në 500 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për Ramadan Paçarizin, prokuroria thotë se i është shmangur tatimit në vlerë prej 130 mijë eurosh.

“Gjithashtu, i pandehuri R.P., në muajin dhjetor të vitit 2024 në Prizren, me qëllim të që t’i shmanget, pagesës reale të tatimit, i cili obligim kërkohet me ligj, i njëjti nuk ka deklaruar në ATK qarkullimin real ekonomik të cilin e ka pasur në kuadër të blerjes së paluajtshmërisë së lartëcekur, ku si rezultat i shmanget tatimit në vlerë prej 130,000.00 euro, me ç’ rast i shkakton dëm material Administratës Tatimore të Kosovës, respektivisht buxheti i Republikës së Kosovës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” sipas KPRK”, thuhet tutje në njoftim.

Këto janë pronat që Prokuroria po kërkon të bllokojë në rastin e Nexhmi Krasniqit
Prokuroria Themelore në Prizren, lidhur me këtë rast ka bërë ngrirjen e xhirollogarive në vlerë prej 126 mijë e 997 euro, ka sekuestruar të holla kesh gjatë bastisjes në vlerë prej 8 mijë e 850 euro, dhe ka ngrirë një pronë me sipërfaqe të përgjithshme prej 58,7 ari.

“106 autobusë do të vijnë në Prishtinë për protestën e nesërme“

Organizatat e dala nga lufta gjatë ditës së nesërme do të organizojnë protestë kundër Gjykatës Speciale.

Lidhur me protestën e nesërme ka folur edhe Hysni Gucati- kreu i kësaj organizate.

Ai për RTV Dukagjini u shpreh se në Prishtinë do të vijnë 106 autobusë për protestën e nesërme.

”106 autobusë janë që do të vijnë nga qytetet e ndryshme të Kosovës.Po kemi marrë informata që do të vijnë protestues edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut” ka thënë ai.

Protesta nis nga ora 17:00 në sheshin ”Skëndërbeu” .

Gucati tha se për protestën e nesërme kanë marrur përkrahje nga të gjitha partitë politike pos LVV-së.

Ish-deputeti i VV-së Korenica rrëfen përvojën tronditëse në QKUK: “Vajza ime hyri në sallë operimi, me thanë s’ka pej e as aspirator”

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka ndarë një rrëfim të rëndë personal mbi gjendjen e sistemit shëndetësor në vend.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ka kujtuar një ngjarje të ndodhur më 24 prill 2023, kur vajza e tij u fut në sallën e operimit në QKUK pa asnjë përgatitje psikologjike dhe pa pajisjet më elementare mjekësore.

“Kur mendoja që më e rënda kaloi, del mjeku dhe më thotë: ‘S’kemi pej as aspirator. Duhet me i ble vetë’”, ka shkruar ai, duke theksuar se ishte i detyruar t’i siguronte vetë mjetet për operim.

Ai ka shtuar se një tjetër mjek i kishte treguar se mungonin edhe mantela njëpërdorimshme.

“E informova ministrin e atëhershëm, Arben Vitia, për gjithçka. Nuk e bëra publik, me shpresë se do të përmirësohej situata”, shtoi ish-deputeti.

Sipas tij, pavarësisht pritjeve, gjendja në shëndetësi nuk është përmirësuar.

“Në fakt, kemi një ‘përmirësim’: Qeveria në detyrë po na bën me dije që të mos ankohemi për barna. Pra, leji ti albuminat…”, përfundon ai postimin, duke ironizuar me deklaratat e fundit të përfaqësuesve të Qeverisë Kurti.

Dodiku shpall referendum

Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, të cilit gjatë ditës iu hoq mandati si president i Republikës Sërpska nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë, ka shpallur referendum për pozitën e tij në krye të këtij entiteti.

Pas njoftimit të Komisionit, Dodiku ka mbledhur partnerët e koalicionit. Ai ka thënë se unanimisht kanë vendosur që të thirrin referendum.

“Mandati më është dhënë nga populli, prandaj do t’i dëgjoj në referendum, që do të mbahet në periudhën e ardhshme dhe që do të vendosë për mua”, ka thënë ai.

Dodiku më herët gjatë ditës reagoi ndaj vendimit duke thënë se nuk e njeh Komisionin.

Vendimi i Komisionit ndaj Dodikut u mor pas dënimit të tij me një vit burg dhe ndalimit për gjashtë vjet që ta ushtrojë funksionin e presidentit, vendim ky që ka ndikuar drejtpërdrejt në legjitimitetin e tij për të vazhduar mandatin.

Mbrojtja e Dodikut ka të drejtë të apelojë vendimin në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila trajton ankesat lidhur me proceset zgjedhore. Ankesa mund të bëhet brenda dy ditëve nga pranimi i vendimit. Pas përfundimit të procesit të ankesës, vendimi do të bëhet përfundimtar.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit, KQZ-ja pritet të marrë një vendim për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Republikën Sërpska.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, ka paralajmëruar se do të kërkojë një masë të përkohshme për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit dhe do të bëjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.