Krasniqi: Urani e ka përkrahjen e qytetarëve për Prishtinën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, konfirmoi se Uran Ismaili do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.

Gjithashtu, Krasniqi dha detaje edhe për kandidatët e komunave të tjera.

“Shumica dihen, ka me qenë Agim Aliu për Ferizaj, Shaqir Totaj për Prizren, Ferid Idrizi për Vushtrri…”, u shpreh Krasniqi në T7.

“Kemi situata në degë te caktuara ku munden me qenë dy apo më shumë kandidatë”, shtoi ai.

“Krejt Prishtina e dinë që Urani ka me qenë, jo vetëm ne në PDK, por edhe qytetarët që janë duke e kërku. Në kuptimin formal Urani do ta shpallë kandidaturën e tij shpejt, e s’po ja prishim me folë më shumë për atë shpallje”, tha Krasniqi.

“Në Mitrovicë nuk do të jetë Bedri Hamza, besoj që kryesia ja jep besimin Arian Tahirit – nënkryetarit të komunës”, tha Krasniqi për Mitrovicën.

Kritika e ashpër nga Haradinaj: Deputetët të testohen për drogë, shumë prej tyre janë konsumues

Deputeti i betuar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka folur për bllokimin e Kuvendit, i cili po vazhdon edhe më tej, duke thënë se ata kanë ofruar zgjidhje dhe janë të gatshëm për kompromis.

“Ne kemi ofruar, po ofrojmë zgjidhje, jemi të gatshëm të japim kompromis, kemi thënë pa asnjë kusht, nuk kemi asnjë pengesë për të dalur nga kjo situatë, por është e pandershme tash me kërku prej opozitën për egon e një individi që për 37 seanca insiston dhe e din që produkti është i njëjtë”, është shprehur ai në Klan Kosova.

Tutje, ai ka thënë gjithashtu se një pjesë e mirë e deputetëve janë narko-konsumues.

“Ka të drejt zonja Mihali kur thotë deputetët, sepse po shihet kush parfumoset e kush bën sfilitë. Nëse do të jemi ndonjëherë në pushtet, kushti i parë do të jetë testimi i narko konsumueve, mos me qenë deputet, sepse mendoj që një pjesë e mirë e tyre janë narko konsumues, edhe do të ishte shumë më mirë ajo me u përqëndru edhe me u fokusu tek deputetët që konsumojnë substanca”, u shpreh ai.

As Muja, as Bahtiri, ky është kandidati i VV-së për Mitrovicën

Faton Peci do të jetë kandidat i Vetëvendosjes për zgjedhjet e tetorit në Mitrovicë.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se kryetari i Guxo e ka fituar garën me Armend Mujën dhe Agim Bahtirin që synonin të ishin kandidatë në zgjedhjet lokale.

Kryeministri Kurti pritet të jetë nesër në Mitrovicë ku edhe do të bëhet nominimi i Pecit si kandidat për kryetar të komunës.

Kandidimi i Pecit pritet që të ketë kundërpërgjigje nga Agim Bahtiri, kandidati që lakmonte më së shumti nominimin si kandidat i VV-së.

Ka zëra që thonë se Bahtiri mund të dal si i pavarur në zgjedhjet e 12 tetorit.

Ngarkesa me mish të kontaminuar kthehet në Rumani – AUV: S’ka pasur rrezik për qytetarët

Raportimet për praninë e salmonelës në mishin e pulës së ngrirë, të ardhur nga Rumania dhe të blerë nga një kompani përpunuese në Kosovë, i ka sqaruar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës. Rasti kishte ndodhur vitin e kaluar, ndërsa u aktualizua në media gjatë kësaj jave. Sipas AUV-së, ngarkesa ishte paraqitur në pikën kufitare në Han të Elezit dhe, pas rezultateve laboratorike, u ndalua përpunimi dhe shitja e saj, e më pas u kthye në vendin e origjinës. Ndërkohë, pronari i kompanisë përpunuese, Burim Piraj, tha se ai mish ka qëndruar në depon e kompanisë së tij nën mbikëqyrjen e AUV-së dhe se ata nuk kanë përgjegjësi për cilësinë e mallit të importuar.

Pas raportimeve në media se një kompanie të mishit i është asgjësuar mish pule me salmonellë, Radio Kosova ka kontaktuar me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe me pronarin e kompanisë, Burim Piraj. Rasti me mishin e kontaminuar kishte ndodhur vitin e kaluar dhe, duke qenë se nuk paraqiste rrezik për qytetarët, AUV ka deklaruar se nuk ka parë të nevojshme ta bëjë publik.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kthyer një ngarkesë mishi pule të ngrirë, të importuar nga Rumania, pasi në analizat laboratorike është zbuluar prania e bakterit Salmonella spp.

“Ngarkesa ishte paraqitur në pikën kufitare në Han të Elezit më 10 qershor 2024, e shoqëruar me dokumentacion të rregullt dhe e kontrolluar nga inspektorët veterinarë. Pas marrjes së mostrave dhe analizimit në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, është konstatuar se mishi nuk ishte i sigurt për konsum. Më 21 qershor 2024, AUV ka ndaluar përpunimin dhe tregtimin e kësaj ngarkese, duke i dhënë kompanisë mundësinë që ta kthejë mallin në vendin e origjinës ose të kërkojë asgjësimin e tij. Më pas, me vendim të datës 5 gusht 2024, është përcaktuar që ngarkesa të kthehet”, thuhet në përgjigjen e AUV.

 

Agjencia e Ushqimit, thotë tutje se “Kompania ka kërkuar kthimin e mallrave në Rumani, dhe kjo është realizuar më 13 gusht 2024, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe sanitare. Gjatë gjithë kësaj kohe, ngarkesa ka qenë në depon tonë por nën mbikëqyrjen e AUV-së dhe e bllokuar në depo frigoriferike, pa pasur kontakt me tregun”.

AUV konfirmon se konsumatorët nuk kanë qenë të rrezikuar në asnjë moment, prandaj rasti nuk është konsideruar i nevojshëm për t’u bërë publik.

Ndërkohë, pronari i kompanisë përpunuese të mishit, Burim Piraj, i tha Radio Kosovës se kompania nuk ka faj për cilësinë e produkteve të importuara. Ai theksoi se, pas analizave në pikën kufitare në Han të Elezit, është konstatuar se mishi nuk është i sigurt dhe, për pasojë, është kthyer në vendin e origjinës.

“Bëhet fjalë për një import të rregullt të lëndës së parë dhe, në bazë të analizave mikrobiologjike që janë kryer në pikën kufitare, është konstatuar se produkti në fjalë nuk i ka plotësuar standardet për konsum. Për këtë arsye, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar që ky produkt ose të asgjësohet, ose të kthehet në vendin e origjinës. Ne kemi kërkuar që produkti të kthehet, sepse edhe neve na ka konvenuar një zgjidhje e tillë. Kjo mund t’i ndodhë çdokujt dhe nuk është faji i importuesit”, tha Piraj.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar për ruajtjen e shëndetit publik. Ditë më parë, ajo ka bërë thirrje edhe për kujdes ndaj sëmundjes së dhenve, duke marrë parasysh shpërthimin e sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë. AUV ka kërkuar kujdes të shtuar nga fermerët në zonat kufitare të Kosovës.

Pas armëpushimit Izrael-Iran, Sekretari i NATO-s indirekt i thotë Trumpit se është “Baba”

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, sot kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në kuadër të Samitit të NATO-s që po mbahet në Hagë, shkruan Express.

Në një moment, Trump duke folur për luftën mes Izraelit dhe Iranit dhe arritjes së marrëveshjes së armëpushimit, përplasjen mes dy vendeve e ka krahasuar me atë të dy fëmijëve kur zihen në shkollë.

“Ata patën një luftë të ashpër, si dy të fmijë në shkollë, po luftonin keq sa që s’mund t’i ndash”, ka thënë Trump.

Pastaj ka ndërhyrë Sekretari i NATO-s me humor , duke thënë se “pastaj babës i duhet ndonjëherë që të përdor gjuhë të ashpër”.

Sekretari i NATO-s ka vlerësuar bombardimin e caqeve nukleare të Iranit nga SHBA.

 

 

Qytetari alarmon me faturën: 715 euro rrymë për një market 170 metra

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka filluar të vë në pah efektet negative tek qytetarët.

Një person ka publikuar fotografinë e faturës së rrymës në rrjetet sociale, ku pretendon se ia kanë regjistruar 715 euro borxh për një lokal 170 metra katrorë, shkruan Insajderi.

Sipas tij, deri para një muaji, paguante energji 400-450 euro.

Shkrimi i plotë:

Si është e mundur me mbijetu me 715 euro rrymë?

Këtë muaj më ka ardhur fatura e rrymës 715 euro për një market prej 170 metrash katrorë. Deri para një muaji më ka ardhur nga 400 deri në 450 euro. Kjo rritje është e pakuptimtë dhe e papërballueshme për një biznes të vogël.

Na kanë zënë në gjumë si qytetarë të Kosovës. Sot, pasojat i ndjejmë ne – qytetarët dhe bizneset e vogla, por edhe ato të mëdha, sepse ky shtet mbahet nga bizneset private. Shtetërore nuk di çka ka që prodhon! Kjo qeveri nuk mendon për qytetarët, e më së paku për bizneset, prej të cilave vetë i merr të gjitha të hyrat dhe pagat.

Ky nuk është vetëm problem imi – është problem i të gjithëve!

Tërmet në Maqedoni të Veriut

Një tërmet me magnitudë sipas shkallës së Rihterit prej ML 2.4 ballë u regjistrua në orën 3 e 59 minuta të mëngjesit me epiqendër në Peshtani-Ohër-Strugë, rreth 115 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Observatori sizmologjik në Fakultetin e Shkencave natyrore- matematikore në Shkup kumtoi se, sipas të dhënave të deritashme, tërmeti u ndje në Ohër dhe zonën përreth me një intensitet prej III ballë sipas Shkallës evropiane makroseizmike, raporton Alsat M.

Nuk ka informacione për dëme materiale nga ky tërmet.

E dhimbshme: Vdes Besnik Klaiqi, ish-luftëtari i UÇK-së e ish i burgosuri politik

Ka vdekur ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besnik Klaiqi, i cili njëherit ishte edhe i burgosur politik së bashku me Ukshin Hotin. Klaiqi ishte edhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës në burgun e Dubravës.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët.

Të njëjtit njoftuan se i ndjeri vuante nga një sëmundje e rëndë tash e disa kohë.

“U shua para kohe nga kjo jetë, i dashuri shoku ynë Besnik Klaiqi, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të papritur. Zemrat tona sot janë të thyera… sepse humbëm jo vetëm një mik, por një bashkë luftëtar që ndriçoi çdo rrugë ku kaloi gjatë përpjekjeve për liri e bashkim kombëtar”, thuhet në një njoftim.

Haxhiu tregon nëse VV mund të japë emër tjetër për kryeparlamentar

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila është edhe e propozuara e partisë së saj për kryeparlamentare, ka përsëritur atë që dje ta shefi i saj, Albin Kurti, që “opozita po  ia zgjat mandatin e Qeverisë Kurti”.

Ajo ka bërë përgjegjëse deputetët e partive të tjera për bllokadën në Kuvendin e Kosovës, duke insistuar sërish se tashmë çështja është të mungesa e votimit për Komisionin zgjedhor që do të mundësonte votimin e fshehtë dhe jo te mungesa e votave për të.

E pyetur nëse Vetëvendosje mund të japë një emër tjetër për kryerparlamentar, Haxhiu tha se për këtë flet partia, por se fillimisht duhet të formohet Komisioni.

“Sa herë të flisni për propozimin e Vetëvendosjes, ta merrni përgjigjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo e ka dhënë propozimin e saj dhe në këtë drejtim më s’po flasim më për emrin, por për Komisionin për votimin e fshehtë. Kushedi, ndoshta Vetëvendosja do ta ketë një qëndrim tjetër. Por, opozita s’po lejon as të shkojë te propozimi i radhës, por që është e rëndësishme që të vazhdojmë”.

Haxhiu pretendoi se për të dhe partinë e saj është i rëndësishëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe më pas krijimi i qeverisë së re meqë Vetëvendosje insiston se ka numrat për qeverinë.

“E rëndësishme është që të përmbyllet konstituimi i Kuvendit dhe të vazhdojmë me qeverinë e re. Kemi shumë punë për të bërë”.

Ajo tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth ndryshimit të procedurës – nga votim i hapur në të fshehur – çështje të cilën e ka dërguar AAK për vlerësim.

“Urojmë që të dalë sa më parë. Do ta respektojmë vendimin e GJykatës Kushtetuese, por s’mund ta respektojë vetëm një parti. Problemi kryesor është që opozita ka vendosur të vijë në seancë e të mos votojë. Veprim i papërgjegjshëm politik – është edhe shkelje e aktgjykimit të GJK, por edhe duke ardhë në seancë dhe duke mos votuar ky është qëndrim barrikadues”.

Ky është 48 vjeçari që vdiq në aksidentin mes një veture dhe një motoçiklete në Lipjan

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot pasdite në Sllovi të Lipjanit, ku një motoçiklist u aksidentua me një automjet.

Drejtuesi i motoçikletës E.B., pësoi plagë të rënda trupore, të cilave nuk iu bëri ballë.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sot rreth orës 18:00 në fshatin Sllovi të Lipjanit, ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.

Po ashtu është publikuar fotoja e të ndjerit.