Pas sulmit iranian në Doha, Katari paralajmëron kundërpërgjigje

Katari ka thënë se rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Gjithashtu është thënë se nuk ka viktima në bazën ushtarake amerikane al Udeid në Doha, pas sulmit të Iranit ndaj kësaj strukture.

Katari tha se mbrojtja e tij ajrore ka interceptuar një sulm me raketa.

Ndërkohë presidenti i SHBA, Donald Trump ndodhet në Dhomën e Situatave ndërsa Shtëpia e Bardhë thotë se po ‘monitoron nga afër’ kërcënimet ndaj bazës.

Dalin pamjet: Sulmi iranian ndaj bazave amerikane

BBC ka publikuar pamje nga momenti i sulmit të Iranit me raketa ndaj bazës amerikane në Katar.

Në pamjet e publikuara shihet si bëhet mbrojtja ajrore.

Katari dënoi ashpër më herët sulmin, teksa tha se e ka ndaluar përmes mbrojtjes ajrore.

Sipas tyre, nga sulmi nuk ka as të vdekur e as të plagosur.

LAJMI I FUNDIT: Sulmi i Iranit, vjen reagimi nga SHBA-ja

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara ka thënë për BBC-në se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes “janë në dijeni dhe po i monitorojnë nga afër kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar”.

Reagimi i tyre vjen pas raportimit se shteti i Iranit ka nisur operacion ndaj bazave amerikane.

BBC raportoi për disa shpërthime në Doha.

Shpërthime në Katar, dyshohet se Irani ka goditur një bazë amerikane

Irani ka lëshuar gjashtë raketa drejt bazave amerikane në Katar, ka thënë një zyrtar izraelit për Axios, shkruan Reuters.

Më herët u raportua se Katari ka pezulluar përkohësisht trafikun në hapësirën e tij ajrore.

Në një postim në mediat sociale nga Ministria e Jashtme e vendit, thuhet se kjo është pjesë e një sërë masash paraprake që po merren bazuar në zhvillimet në rajon.

Katari është shtëpia e bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, Bazës Ajrore Al Udeid. Rreth 8,000 qytetarë amerikanë jetojnë atje, sipas Departamentit të Shtetit.

E dhimbshme: “Ishalla ma bënë hallall që ta mora jetën pa dashje”, Reagon 21 vjeçari që e goditi aksidentalisht 4 vjeçarin

Një fëmijë i moshës katër vjeç ka vdekur tragjikisht në fshatin Dardani të Ferizajt.

Një 21 vjeçar, djali i dajës së viktimës po dyshohet se e ka goditur aksidentalisht 4 vjeçarin për vdekje, pasi nuk e ka parë që i ishte vënë nga prapa.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani në oborrin e shtëpisë, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar.

“Me datën 22.06.2025 rreth orës 18:45, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani, në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi – ka lidhje familjare me viktimën”, ka bërë të ditur Veseli.

E rreth këtij rasti, një profil në TikTok me emrin Genti, ka ndarë një video, duke pretenduar se është 21 vjeçari në këtë rast, djali i dajës së viktimës.

Ai ka shprehur ngushëllime, duke i kërkuar falje 4 vjeçarit, dhe duke theksuar se ia “ia mori jetën pa dashje”.

“Zoti në xhenet vlla, ishalla ma ban hallall që ta mora jetën pa dashje. Ishalla takohmi në botën tjetër. Ki mem mungu gjatë gjithë jetës, të dua shumë, mfal”, shkruan ai teksa ia ka bashkangjitur një foto me 4 vjeçarin.

Pas SHBA-së, edhe Britania u kërkon shtetasve të saj në Katar të strehohen

Pas një paralajmërimi nga Ambasada e SHBA-së në Katar, edhe qeveria britanike u ka kërkuar shtetasëve të saj në Katar të qëndrojnë të strehuar deri në një njoftim të dytë.

Përmes një postimi në X, Britania u ka kërkuar shtetasëve të saj në Katar të strehohen, duke thënë:

“Pas një paralajmërimi sigurie të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara për shtetasit amerikanë në Katar, dhe për shkak të kujdesit të shtuar, ne u rekomandojmë shtetasve britanikë që ndodhen në Katar të qëndrojnë të strehuar dhe të mos dalin deri në një njoftim të dytë”.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës Ambasada e SHBA-së në Katar lëshoi një paralajmërim urgjent sigurie, duke i këshilluar shtetasit amerikanë të qëndrojnë në një vend të sigurt dhe të shmangin lëvizjet jashtë për shkak të një kërcënimi të paidentifikuar, të cilin autoritetet nuk e specifikuan. Alarmimi erdhi ndërkohë që tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm për shkak të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

E pas këtij paralajmërimi, edhe qeveria britanike reagoi duke dhënë të njëjtën këshillë për shtetasit e saj në Katar.

Haliti: Albulena Haxhiun do ta kisha votuar çdo herë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se po të ishte ai deputet I kësaj legjislature do ta votonte Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Haliti ka theksuar se do ta bënte një veprim të tillë për shkak të vlerësimit që ka për familjen e Haxhiut, por edhe për shkak se siç është shprehur ‘Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese i takon ky post’.

“Unë po të isha deputet do ta votoja Albulena Haxhiun sepse atyre iu takon kryetari I Kuvendit. Ata kanë të drejtën me propozu dhe do ta hapja betejën në drejtim të krijimit të Qeverisë dhe nëse Albini nuk mundet t’i bëj 61 vota, atëherë presidentja është e obliguar që t’ia jap mandatin dikujt tjetër që i garanton 61 vota. Unë Haxhiun e kisha votu çdo herë sepse kam njëfarë emocioni për Haxhiun për shkak të familjes së saj, por në politikë njerëzit janë të obliguar të zbatojnë vendimet e partive”, ka thënë Haliti në Tëvë1.

Ai tutje ka mohuar se brenda PDK-së mund të ketë deputetë të cilët do ta votonin Haxhiun por që për shkak të qëndrimeve të partisë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Nuk e di nuk më ka thënë dikush që do ta votojë Haxhiun, por unë besoj që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk mund ta votojë atë dhe askënd tjetër në qoftë se nuk ka një vendim të tillë nga ky grup dhe nga kryesia e PDK-së. Ne atëherë kemi pasur një qëndrim strikt sa i përket kësaj çështje dhe kjo besoj nuk do të ndryshojë”, ka shtuar Haliti.

Tensionet me Iranin, reagon edhe NATO

Para samitit të NATO-s, Mark Rutte theksoi se aleatët e NATO-s janë të bashkuar në qëndrimin se Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai shtoi se aleatët vazhdimisht i kanë kërkuar Iranit të respektojë detyrimet e tij sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, duke nënvizuar rëndësinë e diplomacisë për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme në rajon.

Gjendet një trup i pajetë në rrjedhën e lumit Shkumbin

Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar lokal

Policia shqiptare ka rrethuar zonën dhe për nxjerrjen e kufomës po kërkohet ndihma e palombarëve, raporton A2 CNN. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme jo shumë larg nga qendra e qytetit të Elbasanit, ku një trup i pajetë është zbuluar në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë zonës së Katundit të Ri.

Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar. Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave.

Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e palombarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.

Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mbytje aksidentale apo një ngjarje me motive kriminale.

NATO i kërkon Serbisë t’i nxjerrë para drejtësisë grupin e Banjskës dhe personat që kishin sulmuar KFOR’in në Zveçan

NATO vazhdon të kërkojë nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023.

Kështu deklaroi një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore, një ditë para fillimit të samitit të NATO-s që mbahet në Hagë.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, u shpreh zyrtari për gazetarët.

Ai përmendi sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, si dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.

Sipas zyrtarit, Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n dhe qëndron “lart në agjendën” e aleancës.

“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, theksoi ai.

Zyrtari përkujtoi se NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990 dhe se përkushtimi i aleancës “mbetet i fuqishëm” dhe nuk do të lejojë krijimin e “vakumit të sigurisë”.

Ai konfirmoi përkrahjen e NATO-s për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.

“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e vet në mënyrë të paanshme dhe në çdo moment.

“Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në veri. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit”, deklaroi ai.

Samiti dyditor i NATO-s fillon nesër në Hagë dhe pritet që udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të arrijnë marrëveshje për rritje të ndjeshme të investimeve në mbrojtje, shtim të prodhimit industrial në sektorin e mbrojtjes dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin besohet se do të qëndrojë vetëm shkurtimisht në samit, ka kërkuar nga aleatët që të bien dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në pesë për qind të bruto produktit të brendshëm.