Hamasi gati të pranojë marrëveshjen 60-ditore për armëpushim me Izraelin

Hamasi thuhet se është i gatshëm të pranojë një propozim të ri për armëpushim me Izraelin, i cili parashikon një marrëveshje të detajuar 60-ditore të ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas transmetuesit egjiptian Al-Rad, marrëveshja përfshin garanci ndërkombëtare dhe një angazhim personal nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili do të luajë një rol mbikëqyrës në zbatimin e saj.

Plani parashikon që në ditën e parë të armëpushimit, Hamasi të lirojë tetë pengje të gjallë, ndërsa ushtria izraelite do të nisë tërheqjen graduale nga pjesa veriore e Rripit të Gazës. Brenda javës së parë do të kthehen trupat e pesë pengjeve të ndjerë, dhe në ditën e dhjetë, Hamasi do të ofrojë të dhëna mjekësore për pengjet e mbetura, ndërsa Izraeli do të publikojë informacione mbi palestinezët e arrestuar pas 7 tetorit 2023.

Marrëveshja përfshin edhe lirimin e dy pengjeve në ditën e 50-të, si dhe dorëzimin e trupave të tjerë në ditën e 30-të dhe 60-të. Ndërkohë, Izraeli do të lejojë hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza dhe do të vazhdojë tërheqjen graduale drejt jugut.

Kjo është gruaja që u gjet pa shenja jete në banesën e saj në Prishtinë

Një rast i vdekje së dyshimtë ka tronditur lagjen në rrugën “Imzot Nik Prelaj” në Prishtinë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Sevdije Musa Dibrani, 80 vjeçare. Rasti është raportuar më 3 korrik 2025, rreth orës 14:00, nga A.Q., 20 vjeçare, e cila e ka gjetur viktimën në gjendje të rëndë në shtëpi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit si “Hetim mbi vdekjen”.

Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rrethanat e vdekjes mbeten nën hetim.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar edhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar se viktima, grua rreth 80 vjeç, është pa shenja jete. Aktualisht policia me kujdes të shtuar po trajton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”..Sinjali

Fillon ‘bllokada totale e Serbisë’, Vuçiq u “lutet” studentëve të dorëzohen

Studentët në Seri u bënë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen sot në aksionin “Bllokadë totale e Serbisë”, me mesazhin “Nuk do të na shkelni”, për shkak të ndërhyrjeve të dhunshme të policisë në protestat e mëparshme.

Bllokadat në Novi Sad filluan në orën 06:00 të mëngjesit, në Çaçak në orën 6:30 të mëngjesit dhe në Beograd, Nish, Kragujevc dhe Novi Pazar në orën 07:00 të mëngjesit. Bllokada janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje studentëve të heqin dorë nga bllokada e qyteteve, duke kërkuar “të mos shkatërrohet Serbia” dhe duke thënë se “shteti dëshiron të lejojë të gjithë lirinë e tubimit dhe shprehjes”.

Ai u kërkoi studentëve dhe qytetarëve të braktisin bllokadat e paralajmëruara, duke thënë se shteti nuk dëshiron të reagojë dhe se shmang përdorimin e forcës, por tha se “shteti nuk mund dhe nuk duhet të lejojë këtë lloj dhune, sepse atëherë nuk është më shtet”.

Studentët dhe qytetarët e Serbisë kanë protestuar masivisht në rrugët e shumë qyteteve të vendit që nga e shtuna, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, lirimin e të gjithë protestuesve të arrestuar dhe heqjen e kampit të improvizuar në Parkun Pionirski në Beograd, ku po qëndrojnë të ashtuquajturit “studentë që duan të mësojnë” pranë qeverisë së Vuçiqit.

Protestat në Serbi kanë vazhduar, me ndërprerje të herëpashershme, që nga 1 nëntori i vitit të kaluar, kur 16 persona vdiqën në shembjen e një tendë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, për të cilën demonstruesit e mbajnë përgjegjës sistemin shtetëror “të korruptuar”.

Isa Mustafa i reagon Kurtit për deklaratën për Thaçin e Veselin: Nuk bëhet politikë me njerëzit të cilët luftuan për këtë vend

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili ka sulmuar dy ish-kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Kurti tha në një intervistë mbrëmë se “janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike. PDK-ja nuk është reformuar”.

Duke komentuar këtë deklaratë, Mustafa tha se “nuk bëhet politikë me njerëz, të cilët luftuan për këtë vend e që janë në arrest qe pesë vite i cili më shumë po përngjanë në pengmarrje sesa në drejtësi”.

“Unë mund të paramendoj kompleksin e Albin Kurtit ndaj Thaçit, por akuzat ndaj tij dhe Veselit në kontekstin e situatës së tanishme politike dhe bllokimit të konstituimit të Kuvendit janë të pakuptimta, përveç se ua ngjesin dorën akuzuesëve të cilët duan ta barazojnë luftën e UÇK-së me krimet makabre të Millosheviqit në Kosovë”.

Ai mes tjerash tha se nuk është Kurti mentor i reformimit të partive politike në Kosovë, që ai të flas për reformat.

“Ai mund të flas për mashtrimin, për luftën hibride me gënjeshtra ndaj kundërshtarëve politik dhe për autorësinë e tij të konceptit të “ analfabetëve funksional”, të cilët po i ushqen me popullizëm dhe po e votojnë. Kjo është reforma e tij dhe kontributi i tij në reformimin politik, për të cilin kontribut po i japin merita ata që s’ia duan të mirën këtij vendi, sipas bindjes time”, shtoi Mustafa.

Deklaratat e Kurtit për Thaçin e Veselin, reagon ashpër OVL e UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin.

Në reagimin e kësaj organizate, thuhet se deklarimi i Kurtit, për Thaçin e Veselin, është një dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës.

“Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish-kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”, thuhet në reagim.

Ndërkaq në reagim, OVL e UÇK-së, thekson se ky deklarim publik është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe politikisht i rrezikshëm, veçanërisht në një kohë kur ndaj Thaçit dhe të tjerëve është ngritur një aktakuzë e re, që përfshin pretendime për frikësim, pengim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve, nëpërmjet komunikimeve të mundshme nga institucioni i paraburgimit.

Gjermania s’lejon valëvitjen e Flamurit të Krenarisë, Merz: Bundestagu nuk është cirk për të valëvitur flamuj sipas dëshirës

Kancelari gjerman Friedrich Merz shkaktoi zemërim tek disa në publik  me deklaratën e tij se Bundestagu “nuk është një cirk për të valëvitur flamuj sipas dëshirës në të”.

“Është një deklaratë shumë e paqëlluar dhe kancelari duhet ta mendojë përsëri”, tha Armand Zorn, nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

Zorn beson se në kohën kur anëtarët e komunitetit LGBTQ përjetojnë armiqësi të hapur, deklarata e Kancelarit “nuk është e duhur”.

Edhe nga radhët e Unionit të tij Kristian Demokrat CDU/CSU, Merz po përballet me kritika. “Mendoj se deklarata është e gabuar dhe do ta diskutoj personalisht me kancelarin”, tha Soenke Siegman, presidente e Federatës së Lezbikeve dhe Homoseksualëve brenda Unionit.

Në të njëjtën kohë, kryetari i grupit parlamentar të Demokristianëve dhe një nga politikanët më të shquar gjermanë që nuk e ka fshehur kurrë se jeton në një marrëdhënie homoseksuale, Jens Spahn, e mori kancelarin në mbrojtje.

“Kancelari ka plotësisht të drejtë. Nuk mendoj se ky debat i zgjatur mbi këtë temë po kontribuon që komuniteti LGBTQ në Gjermani të gëzojë më shumë liri”, tha Spahn.

Kancelari gjerman Merz (Unioni Kristian Demokrat CDU) mbrojti Presidenten e Bundestagut, Julia Kloeckner mbrëmë në një intervistë për shërbimin publik ARD, e cila refuzoi të varte flamuj ylberi në ndërtesën e Bundestagut gjatë paradës në Berlin në fund të korrikut.

“Bundestagu nuk është një tendë cirku mbi të cilën mund të varen flamuj sipas dëshirës”, tha Merz.

Merz, i cili ka qenë në krye të qeverisë Demokristiane-Socialdemokrate që nga fillimi i majit, njihet brenda partisë së tij CDU, të cilën ai e drejton, si anëtar i krahut konservator.

“Me Vuciqin thojshin ‘we are not problematic guys”, Kurti i sulmon Hashim Thaçin e Kadri Veselin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Tëvë 1 se nuk bëjnë koalicion me PDK-në.

Kurti tha se PDK-ja nuk është informuar sepse sipas tij ka katër apo pesë kryetarë.

Madje, ai involvoi edhe dy ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli që po gjykohen në Hagë që 5 vjet.

Por, Kurti thotë se PDK-ja konsultohet akoma me ta. Rrjedhimisht thotë se nuk mund të ketë koalicion.

“PDK nuk e di a i ka 4 apo 5 kryetarë, por jam i sigurt që nuk i ka 3, 2 e as 1. PDK e di prej përvojës është një shoqëri aksionare me papërgjegjësi pakufizuara dhe aty nuk merresh vesh pse ke fol me një person. Prandaj Enver Hoxhaj thotë diçka tjetër, prandaj e patë çfarë tha kryetari Drenasit Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputetit të PDK-së. Janë dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”, ka thënë Kurti.

“Janë të njëjtin njerëz që me Vuciqin i thojshin ‘we are not problematic guys”, e sot thojnë Albulena Haxhiu s’vjen shprehje, e thonë problem është Albin Kurti”,

Qe 5 vjet janë në burg, Kurti i sulmon Hashim Thaçin e Kadri Veselin: PDK i ka dy kryetarë në Hagë, atje u shkojnë për konsultime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Tëvë 1 se nuk bëjnë koalicion me PDK-në.

Kurti tha se PDK-ja nuk është reformuar sepse sipas tij ka katër apo pesë kryetarë.

Madje, ai involvoi edhe dy ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli që po gjykohen në Hagë që 5 vjet.

Por, Kurti thotë se PDK-ja konsultohet akoma me ta. Rrjedhimisht thotë se nuk mund të ketë koalicion.

“PDK nuk e di a i ka 4 apo 5 kryetarë, por jam i sigurt që nuk i ka 3, 2 e as 1. PDK e di prej përvojës është një shoqëri aksionare me papërgjegjësi pakufizuara dhe aty nuk merresh vesh pse ke fol me një person. Prandaj Enver Hoxhaj thotë diçka tjetër, prandaj e patë çfarë tha kryetari Drenasit Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputetit të PDK-së. Janë dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”, ka thënë Kurti.

Publikohet udhëzuesi për përfitimin e shtesave për fëmijë dhe lehona

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka miratuar udhëzuesin rreth zbatimit të Shtesave për Fëmijë dhe Lehona.

Në udhëzuesin e përditësuar përmenden informatat si në vijim:

Shtesat për fëmijë

Të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç që janë rezident në Kosovë kanë të drejtë në përfitim nga shtesat për fëmijë;

Familjet me 1 ose 2 fëmijë – përfitojnë 20€ në muaj për secilin fëmijë;

Familjet me 3 ose më shumë fëmijë – përfitojnë 30€ në muaj për secilin fëmijë;

Aplikimi bëhet nga nëna e fëmijës përmes platformës eKosova, dhe mjetet kalojnë në llogarinë e saj bankare.

Në rastet kur nëna ka ndërruar jetë apo nuk është shtetase e Kosovës, babai ose kujdestari ligjor mund të aplikojë me dokumentacionin përkatës.

Në situata specifike si:

Prindër të divorcuar;

Nëna ka braktisur fëmijën;

Kujdestaria i është dhënë babait me vendim gjykate apo nga QPS – aplikimi bëhet nga babai në rolin e kujdestarit ligjor.

Në rastet kur fëmija është në strehim rezidencial, atëherë aplikimi bëhet nga entiteti strehues përkatësisht punonjësi i autorizuar nga entiteti i cili hap një llogari bankare për fëmijën ku depozitohen mjetet e shtesave për fëmijë.

Shtesat për lehona

Të drejtë për përfitim kanë të gjitha lehonat rezidente në Kosovë:

Lehonat e papuna – përfitojnë 325.9€ në muaj për 6 muaj me radhë, nëse kanë qenë të papuna për së paku 9 muaj nga 12 muajt e fundit para lindjes (sipas të dhënave të ATK).

Lehonat e punësuara – përfitojnë 325.9€ për 3 muaj me radhë.

Aplikimi bëhet brenda 90 ditëve nga data e lindjes së fëmijës.

Verifikimi i plotësimit të kritereve për përfitim

Nëse fëmija është i lindur në Kosovë dhe aplikimi për shtesa bëhet brenda 3 muajve nga lindja, përfitimi miratohet automatikisht pa pasur nevojë për verifikim shtesë.

Ndërsa në rastet kur fëmija është i lindur jashtë Kosovës, apo kur aplikimi bëhet pas 3 muajve, atëherë lënda kalon në procedurë të verifikimit, ku kërkohen dokumente plotësuese për të vlerësuar të drejtën në përfitim.

Departamenti i Skemave Sociale (DSS) ka të drejtë të kërkojë dokumentacion për verifikim të kritereve:

Certifikatë të vendbanimit;

Dëshmi nga shkolla për vijim të rregullt;

Dëshmi vaksinimi nga institucionet shëndetësore;

Faturë të rrymës;

Regjistrim të bashkësisë familjare në ASK, etj.

Në rast të mospërmbushjes së dokumentacionit, mund të ndodhë pezullimi i përkohshëm i përfitimit deri në përmbushjen e kërkesave apo ndërprerja e përfitimit në rast se rezidenca e përfituesit nuk verifikohet.

Nëse ndodh pezullimi apo ndërprerja e përfitimit pa një vendim të arsyetuar, përfituesi ka të drejtë të dërgojë ankesë në Komisionin e Ankesave brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit.

Për më shumë informata për mënyrën e aplikimit, procedurën e verifikimit apo kriteret që duhet të plotësoni për të përfituar nga shtesat për fëmijë dhe lehona, ju lutem vizitoni vegëzën në vijim:

https://mfpt.rks-gov.net/desk/content/media/6a0302bd-eec7-4525-8e17-14b9dbca8cd7.pdf

SBASHK-u paralajmëron grevë nga shtatori

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar se viti i ri shkollor mund të nisë me greva të përgjithshme.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se SBASHK-u ka analizuar situatën aktuale politike, nga ku ka kritikuar qasjen e partisë fituese të zgjedhjeve.

Kjo sindikatë ka theksuar se për shkak të mosformimit të institucioneve po lihen anash interesat e punëtorëve të sektorit publik e privat.

“Në vend të trajtimit serioz të kërkesave të grupeve të punësuar, përfshirë edhe ato të punëtorëve të arsimit, kjo parti po i jep më shumë rëndësi çështjeve të emërimeve sesa zgjidhjes së problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Si pasojë, është krijuar një boshllëk institucional, ku nuk ka se kujt t’i adresohen kërkesat e punëtorëve arsimor”, thuhet në njoftim

Bëhet e ditur se SBASHK-u ka intensifikuar komunikimin me udhëheqësit sindikalë  nëpër komunat e vendit, nga çerdhet, shkollat fillore e të mesme, deri te universitetet, dhe unanimisht është vendosur që të nisin përgatitjet për mbajtjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm.

“Ky Kongres do të ketë karakter vendimmarrës për veprime të mëtejshme sindikale. Në të do të shqyrtohet dhe vendoset qartë nëse muaji shtator do të shënojë fillimin e vitit të ri shkollor, apo do të jetë fillimi i veprimeve sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor të Kosovës. SBASHK-u mbetet i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo punëtori të Arsimit dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me përgjegjësi, të hapin rrugë dialogut dhe të japin zgjidhje konkrete për kërkesat e punëtorëve arsimorë”, thuhet në njoftim.