Vdes gazetari kosovar, ishte edhe aktivist i LDK-së

Ka vdekur ish-gazetari kosovar, Mehmet Spahiu.

Ai ishte Asamblist i Kuvendit Komunal të Dragashit nga radhët e LDK-së.

Lajmi është bërë i ditur nga një faqe lokale e kësaj komune.

 

Kurti tregon kur do të konstituohet legjislatura e re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar javën e fundit të korrikut si kohën kur duhet bërë konstituimi i Kuvendit, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin e legjislaturës së re”, tha Albin Kurti pas një takimi që e pati sot me presidenten Vjosa Osmani.

Kurti tha se do të bëjmë “çmos” që “në frymën e bashkëpunimit” të arrihet kjo.

Ai tha se në takim u përmendën “të gjitha elementet përbërëse”. Pas takimeve që Osmani do t’i ketë edhe me liderët e partive tjera politike, ai tha se do të kuptohet “sa kemi bërë përparim”.

“I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike, e mbase në fund do të mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Unë besoj që duhet t’ua japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”.

Situatën me ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të enjten pasdite, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Presidentja Vjosa Osmani po zhvillon takime me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit. Ajo “pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, ka thënë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Nëse e shihni këtë grua lajmërone policinë

Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Graçanicë, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim nga qytetarët, në lidhje me identifikimin e një gruaje të dyshuar për përfshirje në një vepër vjedhjeje, raporton Gazeta Sinjali.

Policia ka publikuar një fotografi të të dyshuarës dhe kërkon informacion nga qytetarët që mund të ndihmojnë në identifikimin e saj.

“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com.”, thuhet në njoftim.

 

Vuçiq proteston te Perëndimi për urat në Mitrovicë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

“Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq për televizionin Informer, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Më 1 korrik, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, i cilin ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe në pjesën veriore të banuar me serbë.

Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete.

Autoritetet kosovare thanë se projekti, me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit.

Megjithatë, reagimet në terren janë të ndryshme – disa e përkrahin këtë iniciativë, ndërsa të tjerët e shohin si të panevojshme.

Urat e reja do të vendosen në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Megjithatë, nga BE-ja i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.

Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje./REL/

Vdes një person në QKUK

Një person ka ndërruar jetë në QKUK, ku ishte duke marrë trajtim mjekësor.

Viktima nga Mitrovica – jugu ndërroi jetë dje rreth orës 05:00, raporton IndeksOnline.

Sipas familjarëve, viktima kishte pësuar lëndime trupore.

Nga policia bëjnë të ditur se, më urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

Rasti i iniciuar si “Vdekje e dyshimtë” është duke u hetuar nga organet kompetente.

E dhimbshme: Ky është i riu që vdiq pas vetaksidentit Pejë

Një vetaksident me fatalitet ka ndodhur në orët e mesnatës në rrugën Pejë-Treboviq.

Një person ka vdekur derisa dy të tjerë janë lënduar rëndë.

Viktima është Metlind Neziri nga fshati Treboviq.

Nuk është fjalimi i Kurtit që bëri bujë, por veprimi i deputetit të tij

Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i është dhënë një fjalë rasti para finales së turneut të futbollit “Ali e Lutfi Grainca”.

Megjithatë, fjalimi i tij nuk e merr të gjithë vëmendjen. Ajo çka është interesant është “magjepsja” e deputetit Valon Ramadani gjatë kohës sa Kurti flet, shkruan Insajderi.

Në pamjet e publikuara nga turneu, Ramadani shihet duke e incizuar Kurtin me telefonin e tij personal, teksa ky i fundit flet.

Kurti nga radhët e zyrtarëve të ftuar për ta përcjellë turneun vjen i fundi, me prezencë të truprojeve.

Ndiqeni momentin nga minuta 01:39:00:

 

Trump jep shpresë për Gazën – zbulon kur mund të ndodhë armëpushimi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se shpreson që një armëpushim në Gaza do të arrihet “dikur javën e ardhshme”.

Para tre ditëve, kreu i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se një marrëveshje do të arrihej “brenda javës së ardhshme”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Trumpi thotë se do të diskutojë për Gazën dhe për “suksesin e madh që e patëm me Iranin” gjatë vizitës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.

 

 

“Ne duam që t’i kthejmë pengjet”, – shtoi amerikani.

Edhe rreth 50 pengjeve ndodhen ende në Gaza, ndërsa më pak se gjysma besohet se janë ende gjallë.

“Takime sy me sy”: Presidentja Osmani ndërron formatimin e takimeve me liderët, nesër i takon…

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të aktivizohet serish për zgjidhjen e ngërçit politik.

Shefja e shtetit nesër do të takojë liderët e partive politike me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit dhe tejkalimin e krizës politike.

Ndryshe nga hera e fundit, kësaj radhe presidentja Osmani liderët do t’i takojë në mënyrë individuale.

Ajo do të bisedojë sy me sy me kryetarët e partive politike për gjetjen e një zgjidhje.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se nesër do të ketë takim te presidentja Vjosa Osmani.

Ai ka treguar se cili do të jetë qëndrimin i PDK-së në këtë takim.

Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek preisdetja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneqësisë politike të VV-së“, ka thënë Krasniqi.

Pas Krasniqit, Osmani do ta takojë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurse, në ora 16:00, Osmani do ta takojë liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërsa, takimet me liderët e partive të komuniteteve pakicë Osmani do t’i organizojë një ditë më pas.

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balja, ka konfirmuar se ka marrë një ftesë nga presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka treguar se takimi me Osmanin do të mbahet të enjten në ora 11:30.

Me qëllim të daljes nga kriza, presidentja Osamni kishte takuar liderët politik edhe më 15 maj. Aso kohe ajo liderët i kishte takuar në një takim të përbashkët.

Pas takimit me Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinaj, ajo kishte përgëzuar ata për konstruktivitetin.

Dua t’i përgëzoj liderët për qasjen e tyre konstruktive në këtë takim, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërrmuese të temave. Secili prej tyre tregoi vullnet të mirë për një zgjidhje përpara, që të konstituohet kuvendi sa më parë”, kishte thënë Osmani.

Ajo kishte paralajmëruar se nëse është e nevojshme do t’i takonte sërish deputet.

Shtyhet gjykimi ndaj Naim Murselit, kjo është arsyeja

Dy seanca të planifikuara në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, janë anuluar për shkak se Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Murseli.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekspertim. Trupi gjykues ka vendosur të zgjasë afatin për ekspertimin e të akuzuarit Naim Murseli”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” gjykatësja Fatime Dermaku.

Kështu, seancat e planifikuara për 2 dhe 9 korrik 2025, janë anuluar.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.