Mustafa “godet” keq Kurtin: Bllokuesit s’kanë investuar në pavarësinë e Kosovës, zgjedhjet e vetmja zgjidhje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Megjithatë, edhe pas këtij aktgjykimi, deputetët dështuan për të 37-tën herë t’ia qesin pikën kësaj pune.

Lidhur me këtë ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke e vlerësuar krizën në Kuvend si bllokadë nga papërgjegjësit.

Mustafa ka deklaruar se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, megjithatë ai thotë se po interpretohet nga keqdashës.

“Nuk më takon mua të përcaktoj përgjegjësinë se kush po e bllokon Kosovën në konstutuimin e institucioneve. Sepse për ata që kanë mend po shihet qartë. Pavarësia nuk është investim, ose është më së paku investim, i bllokuesve të tanishëm, prandaj edhe bllokojnë pa asnjë ndjenjë dhe përgjegjësi”.

Ai fajëson Vetëvendosjen për mosinteresim të konstituimit të Kuvendit.

Por edhe nëse ndodh kjo, Mustafa ka thënë se asjëra palë nuk i kanë votat për të qeverisur.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, por në çdo tekst gjendet hapësirë për interpretim subjektiv keqdashës, siç po bëhet tani nga llojlloj diletanti. Dihet qartë se partia që doli e para nuk është e interesuar ta konstituojë Kuvendin. Por edhe sikur të konstituohet as pozita e deridjeshme dhe as opozita nuk kanë vota për të qeverisur”, ka thënë ai.

E për këtë ai sugjeron që partitë të gjejnë zgjidhje për zgjedhje të reja.

“Partitë do duhej të gjejnë një zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të reja, gjithsesi jo së bashku me ato lokale. Modalitete ka nga vendet e tjera, përmes një qeverie kalimtare me afat të caktuar”, ka shtuar ai.

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kur ishte pjesë e politikëbërjes s’janë pajtuar me njëri tjetrin, por kanë gjetur rrugë për zgjidhje.

“As ne në të kaluarën nuk jemi pajtuar me njëri-tjetrin. Por kemi folë, kemi komunikuar, jemi ulë në zyra, në restorante, në shtëpi dhe kemi biseduar pa ngarkesa. Nuk kemi biseduar për tu dorëzuar, ashtu siç po predikojnë disa sot, por për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Mustafa për Periskopin.

Polici e rrah keq qytetarin e prangosur në Klinë, dy të tjerë e mbajnë, dalin pamjet

Tre policë i kanë shkelur autorizimet e tyre duke ushtruar dhunë ndaj një qytetari të shtunën në Klinë.

Njëri nga policët, siç shihet në pamjet e publikuara nga Indeksonline, e godet pa ndalur në trup dhe fytyrë qytetarin e prangosur, i cili nuk reziston.

Inspektorati Policor i Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka rekomanduar suspendimin e tre policëve.

“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK ka paralajmëruar se në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

 

Gjykata merr këtë vendim për Valon Sylën

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht të shtunën, më 28 qeshor, se gazetari Valon Syla është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëjetueses së tij.

Sipas të dhënave policore, viktima E.N. ka deklaruar se është sulmuar fizikisht dhe ofenduar rëndë nga i dyshuari, për çka ka pranuar trajtim mjekësor dhe është fotografuar për dëshmitë e lëndimeve.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.

Caktimin e masës së sigurisë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi

Në deklarimin e saj të dytë, viktima ka konfirmuar pretendimet fillestare, ndërsa dëshmitarja, motra e saj E.N., 24 vjeçare, ka dorëzuar video-incizime të momentit të incidentit, të cilat do të përdoren si provë në rastin penal.

Bllokada në Kuvend, Presidentja Osmani pritet të marr këtë veprim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë në ditët në vijim liderët e partive politike në takime konsultative, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pas dështimit të njëpasnjëshëm për konstituimin e Kuvendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, tha për Sinjalin se presidentja pret që partitë politike të zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuta.

“Presidentja do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Ajo pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, ka deklaruar Kupina për Sinjalin.

Alarm në Evropë: Variant i ri i Covid zbulon simptomë jo të zakonshme

Një variant i ri i Covid-19, i njohur si Stratus (më parë Xfg), po përhapet me shpejtësi në Evropë, duke zëvendësuar variantin Nimbus. Stratus njihet për aftësinë e tij më të madhe për të shmangur antitrupat dhe po monitorohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ky variant ka qenë dominant në Indi gjatë pranverës dhe karakterizohet nga një simptomë e veçantë: ngjirja e zërit. Ndryshe nga variantet e mëparshme, ku humbja e shijes dhe nuhatjes ishte më e shpeshtë, tani pacientët raportojnë kollë të thatë, dhimbje fyti dhe ngjirje zëri.

Në Mbretërinë e Bashkuar, simptomat përfshijnë dhimbje të forta të fytit dhe vështirësi gjatë gëlltitjes. Të tjera simptoma të zakonshme janë lodhja, ethet, dhimbjet muskulore dhe bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes.

Në rajonin evropian, prania e Stratus është rritur nga 10.6% në 16.7%, ndërsa në Azinë Juglindore ky variant ka arritur dominim prej 68.7%.

OBSH-ja thekson nevojën për veprime specifike për të adresuar pasigurinë lidhur me përhapjen dhe efektet e këtij varianti.

Vetëvendosje e akuzon PDK’në se i bleu tortë Simiqit për ditëlindje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka akuzuar deputetët e grupit parlamentar të PDK’së se i kanë bërë dhuratë një tortë deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq.

Zyba këtë akuzë e ka hedhur me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, ku pretendoi se torta erdhi përmes një asistenti të një deputeti të PDK’së.

“Befasia e seancës së sotme nuk ishte mosvotimi nga ana e opozitës, por ‘befasia’ që grupi parlamentar i PDK-së i kishin bërë deputetit të Listë serbe, Slavko Simiq, për ditëlindjen e tij. Tortja për të erdhi përmes një asistenti/këshilltari të grupit parlamentar të këtij subjekti”, thuhet në postimin e tij.

Postimi i Zybës është shpërndarë edhe nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“PDK-ja tortë për Listën Serbe?”, ka mbishkruar Murati.

Në anën tjetër, koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, ka përmendur emrin e deputetit Elmi Reçica.

“Elmi Reçica nuk rri duarkryq”, ka shkruar ajo.

Sidoqoftë, ish-kryesuesja e grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Mimoza Kusari, ishte koordinuar me deputetin në fjalë lidhur me projektligje të ndryshme, përfshirë edhe atë të veteranëve. Për këtë ishin publikuar edhe përgjime

E dhimbshme: Ndërron jetë i riu, Mirzatin Berani

Ditën e premte, më 27 qeshor është raportuar për një aksident trafiku që ka ndodhur rreth orës 21:45 në rrugën “Bekim Berisha Abeja” në Pejë, ku janë përfshirë një motoçikletë dhe një biçikletë, shkruan Gazeta Imazhi.

Bëhet e ditur se ngasësi i motoçikletës, Mirzatin Berani, i riu nga Peja ka ndërruar jetë.

Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, plagët e rënda që pësoi nga aksidenti rezultuan fatale.

Lajmi për vdekjen e tij ka prekur thellë familjarët, miqtë dhe komunitetin në Pejë, ku Berani ishte i njohur dhe i respektuar.

Policia e Kosovës shpall konkurs për vende të reja pune

Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për disa pozita të lira pune në kuadër të njësive dhe drejtorive të saj në qytete të ndryshme të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftim thuhet se janë të hapura këto pozita:

Zyrtar për Drejtimin e Mjeteve të Rënda – tri (3) vende të lira pune në Njësinë e Transportit, në kuadër të Drejtorisë së Logjistikës në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse.

Infermier (Bachelor) – një (1) vend i lirë pune në Sektorin e Mjekësisë dhe Promovimit të Shëndetit, në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore.

Teknik Medicinal – një (1) vend i lirë pune në Zyrën e Këshillimit dhe Përkrahjes në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri.

Teknik Medicinal – një (1) vend i lirë pune në Zyrën e Këshillimit dhe Përkrahjes në Sektorin Rajonal të Resurseve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

Të interesuarit mund të aplikojnë sipas kritereve të përcaktuara në konkursin zyrtar të publikuar nga Policia e Kosovës.

👉 www.kosovopolice.com

Muharremi: LVV-ja preferohet më shumë nga votuesit me të ardhura nga 151 e deri në 300 euro

Analisti Shenoll Muharremi, ka ndarë rezultatet e matjes së fundit të qershorit, ku tregohet se Lëvizja Vetëvendosje, është më e preferuar tek votuesit me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Nga rezultatet e matjeve, del 49.5 për qind e atyre që e preferojnë VV-në i fitojnë nga 151 e deri në 300 euro.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës, ka përkrahje të ulët tek grupet me të ardhura të ulëta, por rritet në mënyrë të dukshme tek ata me të ardhura më të larta, duke arritur 32.1 për qind te ata që fitojnë mbi 900 euro.

Derisa, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbështetje nga qytetarët me të ardhura të ulëta (28.8 për qind), por ka një rënie të dukshme te ata me të ardhura më të larta, duke u regjistruar vetëm 8.6 për qind te ata me 751 deri në 900 euro dhe 15.4 për qind te ata që fitojnë mbi 900 euro.

Ish-ministri i jashtëm serb: Serbia duhet të njohë realitetin e Kosovës

Ish-politikani serb dhe ish-ministri i Jashtëm, Vuk Drashkoviq, ka deklaruar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndryshuar rrënjësisht që nga fillimi i karrierës së tij si lider shtetëror.

Në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda, Drashkoviq ka thënë se Vuçiqi i viteve 2012, 2013 dhe 2014 nuk ka lidhje me atë që është sot.

“Ai është një njeri tjetër. Në atë kohë besoja se ai donte vërtet një kthesë,” tha Drashkoviq, duke kujtuar një artikull të Vuçiqit të publikuar në gazetën Danas, ku ky i fundit e pranonte se politika e viteve ’90 ishte e gabuar dhe e verbër, dhe se udhëheqja e atëhershme nuk kishte kuptuar ndryshimet pas rënies së Murit të Berlinit.

Drashkoviq tha se kishte mbështetur angazhimin e Vuçiqit për evropianizimin e Serbisë, për integrimin euroatlantik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit më 2013.

Por, sipas tij, këto përpjekje u sabotuan jo nga pushteti, por nga vetë opozita dhe kisha serbe.

“Tre peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe mbajtën një ceremoni përkujtimore për nënshkruesit e gjallë të Marrëveshjes së Brukselit. Opozita e qëlloi me gurë në vend që ta përkrahte. Nga viti 2014 e këndej, unë kam qenë opozita e vetme ndaj Vuçiqit, në shumë drejtime.”

Ai shtoi se ka qenë zëri i vetëm që ka kërkuar publikisht që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, si dhe që Serbia të anëtarësohet në NATO.

“Kam paralajmëruar Vuçiqin të mos mashtrojë popullin me rrugë, spitale e shkolla, sepse nuk jetojmë vetëm me bukë, por edhe me frymë. E kam krahasuar këtë me tundimin e Krishtit nga djalli në shkretëtirë.”

Sipas Drashkoviqit, sot Serbia po përjeton një rënie të thellë morale dhe kulturore.

“Asnjëherë më parë fryma, morali dhe arsyeja e shëndoshë nuk kanë qenë kaq të varrosura. Gjuha është në rrezik, kultura mungon. Dhe çdo mbrëmje, nga goja e vetë presidentit e deri te bashkëpunëtorët e tij, dëgjojmë se qytetarët që protestojnë janë ustashë, nazistë, plehra, spiunë të huaj. Kjo është rënia më e madhe e Serbisë”, përfundoi ai.