Gjendet një trup i pajetë në rrjedhën e lumit Shkumbin

Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar lokal

Policia shqiptare ka rrethuar zonën dhe për nxjerrjen e kufomës po kërkohet ndihma e palombarëve, raporton A2 CNN. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme jo shumë larg nga qendra e qytetit të Elbasanit, ku një trup i pajetë është zbuluar në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë zonës së Katundit të Ri.

Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar. Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave.

Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e palombarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.

Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mbytje aksidentale apo një ngjarje me motive kriminale.

NATO i kërkon Serbisë t’i nxjerrë para drejtësisë grupin e Banjskës dhe personat që kishin sulmuar KFOR’in në Zveçan

NATO vazhdon të kërkojë nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023.

Kështu deklaroi një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore, një ditë para fillimit të samitit të NATO-s që mbahet në Hagë.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, u shpreh zyrtari për gazetarët.

Ai përmendi sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, si dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.

Sipas zyrtarit, Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n dhe qëndron “lart në agjendën” e aleancës.

“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, theksoi ai.

Zyrtari përkujtoi se NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990 dhe se përkushtimi i aleancës “mbetet i fuqishëm” dhe nuk do të lejojë krijimin e “vakumit të sigurisë”.

Ai konfirmoi përkrahjen e NATO-s për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.

“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e vet në mënyrë të paanshme dhe në çdo moment.

“Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në veri. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit”, deklaroi ai.

Samiti dyditor i NATO-s fillon nesër në Hagë dhe pritet që udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të arrijnë marrëveshje për rritje të ndjeshme të investimeve në mbrojtje, shtim të prodhimit industrial në sektorin e mbrojtjes dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin besohet se do të qëndrojë vetëm shkurtimisht në samit, ka kërkuar nga aleatët që të bien dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në pesë për qind të bruto produktit të brendshëm.

Vuçiq: Në rast konflikti me NATO-n rezistenca jonë do të jetë shumë më e madhe se ajo e vitit 1999

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë në mbledhjen e kolegjiumit të zgjeruar të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ka njoftuar shërbimi për propagandë i Vuçiqit. Pas takimit, ai i është drejtuar mediave dhe ka deklaruar se Serbia duhet të rrisë nivelin e kapaciteteve mbrojtëse.

Pas mbledhjes, Vuçiqi i është drejtuar mediave duke thënë se ushtria serbe, sipas doktrinës së re, duhet të jetë “më e fuqishme dhe se gjatë vitit të fundit është bërë shumë në drejtim të modernizimit të ushtrisë”, transmeton Paparaci.

Ai ka pretenduar se kohët e fundit “nuk ekzistojnë më rregulla dhe se ne duhet ta kuptojmë dhe ta pranojmë këtë realitet”.

“Të jesh anëtar i OKB-së dhe të kesh integriteti territorial nuk do të thotë asgjë, falë fuqive të mëdha”, ka tentuar presidenti serb të jetë ironik dhe ka shtuar se, “në përputhje me këtë duhet të rrisim nivelin e kapaciteteve tona mbrojtëse”.

“Kjo është çështje e interesit më të lartë të qytetarëve të Serbisë, që të jenë të mbrojtur, të jenë të sigurt, të jenë të mbrojtur”, ka pretenduar në këtë propagandë për konsum të brendshëm presidenti i Serbisë.

Duke folur për paradën ushtarake të paralajmëruar për muajin shtator, Vuçiqi ka thënë se pritet të marrin pjesë 10.000 ushtarë dhe se bëhet fjalë për paradën më të madhe ushtarake ndonjëherë.

“Nëse vendi do të sulmohej si në vitin 1999, do të bëjë një rezistencë shumë më të fuqishme se atëherë”, ka vazhduar ai në këtë hedhje të hirit në sy të zgjedhësve të tij.

Vuçiqi në këtë propagandë boshe ka pretenduar se “ushtria serbe është e pajisur në një mënyrë që, duke pasur parasysh përparimin teknologjik, nëse vendi do të sulmohej si në vitin 1999, do të ishte në gjendje të bënte një rezistencë shumë më të fuqishme, madje edhe duke dekurajuar plotësisht edhe agresorin më të fortë”.

“Kam pyetur çfarë kemi sot, çfarë kemi blerë, do ta mësoni dhe do ta shihni gjatë dy muajve të ardhshëm se çfarë kemi blerë, ndërtuar dhe prodhuar. A do të ishim sot, duke pasur parasysh përparimin teknologjik, në gjendje të bëjmë një rezistencë shumë më të fortë edhe ndaj një agresori më të fuqishëm? Përgjigja nga ata që e dinë më mirë ishte se rezistenca jonë do të ishte shumë më e madhe se ajo e vitit 1999, madje disa prej tyre thanë se do të ishte plotësisht dekurajuese edhe për agresorin më të fuqishëm të mundshëm”, nuk ndalet Vuçiqi duke u lavdëruar para zgjedhëse të vet.

Ai ka thënë se më 19 ose 20 shtator do të organizohet një paradë e ushtrisë serbe, ku edhe qytetarët do të mund të shohin se çfarë ka të re në ushtrinë e tyre, çfarë është blerë, ndërtuar dhe prodhuar.

Sipas tij, “kjo do të jetë parada më e madhe ndonjëherë, me pjesëmarrjen e së paku 10.000 ushtarëve”, dhe ka pretenduar se shumë vende “nuk janë në gjendje të nxjerrin në fushë një numër të tillë ushtarësh”.

Alternativa ndan rrugët me Vetëvendosjen para zgjedhjeve

Gjatë ditës së sotme më 23 qershor do të përfundojë afati për partitë politike, të cilat dëshirojnë të formojnë koalicionet e tyre, për të garuar në zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.

E në këto zgjedhje partia Alternativa që në Kuvendin e Kosovës është së bashku me Vetëvendosjen dhe Listën Guxo, do të garojë e vetme.

Kjo është bërë e ditur nga vetë kryetarja e këtij subjekti politik, Mimoza Kusari-Lila, në një përgjigje për Indeksonline.

‘’Kësaj rradhe do të jemi vetëm, secila nga tri partitë, do të garojmë vetëm’’ ka thënë Kusari-Lila.

Më tutje Lila ka thënë se Alternativa do të garojë në vetëm prej disa komunave të Kosovës.

‘’Ne jemi të fokusuar në disa komuna. Ende nuk e kemi bërë publike listën e komunave. Në disa komuna garojmë me kandidatë, ndërsa në disa të tjera vetëm me listë për asamble’’, ka thënë Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila po ashtu ka folur edhe për kandidatin e Alternativës që pritet të jetë në garë për të parin e Gjakovës.

Lidhur me këtë Kusari-Lila tha se ende nuk kanë vendosur për emrin e kandidatit.

A do ta duronte gazin lotsjellës si kryeparlamentare? Kështu përgjigjet Haxhiu

Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, është paraqitur në seancë gjyqësorë për gazin lotsjellës në Kuvend, në vitin 2016 – por seanca nuk u zhvillua shkaku i mungesës së disa prej të akuzuarve.

Ajo e quajti këtë proces ‘të padrejtë’ por që ‘për shkak të procedurave’ duhet të paraqitet në seancë.

Haxhiu u pyet nëse do ‘të duronte gazin lotsjellës’ po qe se zgjidhet në postin e kryeparlamentares, për çka tha se “nuk do të ketë nevojë për gaz lotsjellës, me Kurtin kryeministër”.

“Unë kam thënë disa herë, nëse qeveria jonë do të bënte veprime kundër shtetit të Kosovës kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës, natyrisht se veprimet opozitare janë të domosdoshme, përfshirë edhe gazin lotsjellës. Por unë nuk besoj asnjëherë që me qeverinë tonë, me kryeministrin Albin Kurti do të ketë marrëveshje të dëmshme për vendin, prandaj edhe besoj se s’do të ketë nevojë opozita për veprime të tilla”, tha Haxhiu.

Pas goditjes së Iranit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ngre alarmin për sigurinë kombëtare në SHBA

Departamenti për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara (DHS) ka lëshuar sot një njoftim për “mjedis kërcënues të shtuar” në territorin e SHBA-së, menjëherë pas sulmeve ushtarake amerikane ndaj objekteve bërthamore në Iran.

Përveç sulmeve ajrore, DHS paralajmëroi edhe për rreziqe nga sulme kibernetike, duke theksuar se hakerët pro-iranianë dhe aktorët kibernetikë të mbështetur nga Irani mund të ndërmarrin veprime kundër infrastrukturës amerikane .

Buletini i DHS-së gjithashtu shprehu shqetësime se ekstremistë të dhunshëm të vetë-mobilizuar mund të kryejnë sulme në SHBA, veçanërisht nëse udhëheqja iraniane lëshon thirrje fetare për hakmarrje .

Paralelisht, u raportua për rritje të ndjeshme të rasteve të islamofobisë dhe antisemitizmit që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor 2023 – përfshirë të shtënat në Uashington dhe aksidentet me pajisje ndezëse në Kolorado kundër komunitetit izraelit .

Si përgjigje, autoritetet lokale në qytete të mëdha si Los Anxheles, Uashington dhe Nju Jork kanë rritur patrullimet pranë institucioneve fetare, kulturore dhe përfaqësive diplomatike .

Në buletinin e lëshuar nga National Terrorism Advisory System, DHS paralajmëroi se “lufta Izrael‑Iran mund të motivojë individë me bazë në SHBA për të planifikuar sulme të tjera”.

Megjithatë, zyrtarët e DHS-së kanë theksuar se nuk ka kërcënime konkrete e të besueshme deri më tani, por që po mbahen në vigjilencë të përhershme.

Vesa Vllasaliu konfirmon bashkëjetesën me Mirlind Dakun: Kush po thotë që s’jetoj me të?

Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 2, Vesa Vllasaliu, ka vendosur të flasë hapur për jetën e saj personale, pas zërave të shumtë në rrjet, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një pyetësori të hapur në Instagram, ndjekësit e saj u treguan të etur për të ditur më shumë rreth marrëdhënies së saj me futbollistin Mirlind Daku.

Kur njëri prej tyre e pyeti: “Pse nuk bashkëjeton me partnerin?”, Vesa reagoi menjëherë, duke sqaruar se ajo dhe Daku jetojnë së bashku. “Kush po thotë që s’jetoj unë me të dashurin”, shkroi ajo.

Përmes këtij reagimi, Vesa hodhi poshtë çdo dyshim për marrëdhënien e tyre, duke e bërë të qartë se çifti po e ndan jetën bashkë.

Publikohet sondazhi: LVV pëson rënie drastike

Debat Plus i ka publikuar rezultatet e reja nga sondazhet politike, të realizuara nga kompania UBO Consulting

Nga sondazhi, në kuadër të OMNIBUS-it për matjen e opinionit publik, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të printe e para në listë, ndërkaq PDK e dyta, LDK e treta dhe AAK e katërta.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 37.3%

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 20.6%

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 16.8%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 4.6%

NISMA: 2.1%

Ndërkaq, në zgjedhjet e e fundit të 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.

Sulmet amerikane në iran, paralajmërohet rreziku i një lufte botërore

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi një takim urgjent pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj tre centraleve bërthamore në Iran. Takimi u shoqërua me paralajmërime të forta për rrezikun e përshkallëzimit global dhe kërkesa të qarta për zgjidhje diplomatike, shkruan Gazeta Sinjali.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet amerikane “vetëm sa rrisin rrezikun e një lufte botërore” dhe dëmtojnë rëndë rendin ndërkombëtar. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të lënë armët dhe të kthehen në tryezën e dialogut.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, konfirmoi bombardimin e tre objekteve bërthamore iraniane, duke theksuar se dëmet ende nuk janë plotësisht të vlerësueshme dhe se rregullat e mospërhapjes bërthamore janë vënë në pikëpyetje.

Ambasadori i Kinës në OKB, Fu Cong, dënoi ashpër SHBA-në për veprimin, ndërsa përfaqësuesja amerikane Dorothy Camille Shea i justifikoi sulmet duke e akuzuar Iranin për bllokimin e negociatave dhe kërcënim në rritje për paqen.

Nga ana tjetër, ambasadori rus Vassily Nebenzia akuzoi SHBA-në se ka anashkaluar diplomacinë dhe “hapur kutinë e Pandorës”, duke rritur rrezikun e një krize bërthamore globale.

Djali i dajës e goditi pa dashje me veturë, detaje nga vdekja e trevjeçarit në Ferizaj

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Dardani të Ferizajt, ku një fëmijë 3 vjeç e gjysmë ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga një veturë në oborrin e shtëpisë së dajës.

Ngjarja ka ndodhur ditën e së dielës, kur fëmija është goditur nga një veturë e drejtuar nga një i ri 21-vjeçar, djali i dajës së tij.

Siç raporton Klan Kosova, ngasësi thuhet se nuk e kishte vërejtur fëmijën në momentin kur po lëvizte mbrapa me veturë.

Rasti është konfirmuar edhe nga zyrtari policor për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se viktima ishte dërguar në ambulancën e fshatit Pozheran, por fatkeqësisht mjekët vetëm sa kishin konstatuar vdekjen e tij.

Hasani ka raportuar nga vendi i ngjarjes se gjendja emocionale e prindërve dhe familjes është shumë e rëndë pas tragjedisë.

Varrimi i fëmijës do të bëhet sot në fshatin Mirosalë, nga ora 18:00.