Irani lëshon raketa dhe dronë drejt Izraelit, paralajmëron edhe SHBA-në

Irani e ka lëshuar një breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit të hënën, si dhe i ka paralajmëruar njëkohësisht gjithashtu Shtetet e Bashkuara se ushtria iraniane i ka tani “duart e lira” për t’i sulmuar objektivat amerikane, një ditë pasi SHBA-ja goditi fuqishëm objektet bërthamore të Teheranit.

Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore është duke punuar për t’i frenuar sulmet, të cilat duket se kishin në shënjestër zonat veriore dhe qendrore të vendit, dhe u kërkoi qytetarëve të shkonin në strehimore.

Irani e përshkroi sulmin si një valë të re të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se po sulmonte qytetet izraelite Haifa dhe Tel Aviv, sipas televizionit shtetëror iranian.

Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.

Sulmi ndodhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjalli frikë për një konflikt më të gjerë rajonal.

Irani theksoi se Shtetet e Bashkuara e kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për t’i goditur tri objekte me raketa dhe bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.

Të hënën, gjenerali iranian Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të përbashkët të forcave të armatosura, paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane ua kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”.

Mousavi e përshkroi sulmin amerikan si shkelje të sovranitetit të Iranit dhe të barasvlershëm me pushtimin e vendit, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.

Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje.FotogaleriPara dhe pas: Qendrat bërthamore të Iranit që u sulmuan nga SHBA-ja

Të hënën, diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”.

“Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzimin e luftës janë të mëdha”, tha Kaja Kallas në fillim të një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku Irani u bë tema kryesore në rendin e ditës.

“Sidomos mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e mirë për askënd”, tha Kallas, duke iu referuar një rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.

Pas sulmeve të së dielës, zyrtarët iranianë përsëritën kërcënimet e tyre të kahershme për mundësinë e mbylljes së kësaj rruge kyçe detare.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të hënën në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin, një nga aleatët kyç të Iranit.

Sot do të varroset 3-vjeçari që humbi jetën pasi u godit me veturë nga kushëriri i tij në Ferizaj

Gazeta Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës se ka ndodhur një ngjarje tragjike të dielën në fshatin Dardani të komunës së Ferizajt, ku një fëmijë i moshës 3 vjeç e gjysmë ka humbur jetën në një incident të rëndë trafiku, për të cilin po hetohet një i afërm i tij.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 18:15 të datës 22 qershor 2025, në rrugën “Nektari” nr. 42, i dyshuari Gentijan Bytyqi, 21 vjeçar dyshohet se gjatë lëvizjes së automjetit në prapavijë, nga pakujdesia ka kaluar me pjesën e majtë të veturës mbi trupin e fëmijës Xh.B., 3 vjeçar, i cili kishte vrapuar në drejtim të veturës.

Bëhet e ditur se 3-vjeçari do të varroset sot në ora 18:00 në fshatin Merosal.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Paralajmërohet mungesë energjie në Kosovë, sonte mund të jemi pa rrymë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me mungesë energjie elektrike, madje edhe gjatë natës, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo tha se pjesa më e madhe e energjisë që përdoret në vend importohet, ndërsa kapacitetet e brendshme janë shumë të ulëta me vetëm dy blloqe funksionale.

Pjesa më e madhe e energjisë që po shpenzohet në Kosovë po importohet. Nuk e di nëse janë përcjellë të dhënat e shkëmbimeve tregtare të energjisë, por sasia që po e gjeneron Kosova për momentin është jashtëzakonisht e vogël. Aktualisht kemi vetëm dy blloqe funksionale. E patë edhe tymin sot, që ka mbuluar jo vetëm Obiliqin, por edhe krejt Prishtinën. Thuhet se njëri nga blloqet është vënë në funksion pa vendosjen e filtrave, dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Prandaj, po ju them hapur: ka gjasa që sonte të mos kemi as tym të mjaftueshëm – e lëre më rrymë – gjatë natës”, u shpreh Bajrami.

Clinton: Netanyahu po lufton Iranin për të qëndruar në pushtet përgjithmonë

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka dëshiruar prej kohësh një luftë me Iranin, duke besuar se një konflikt i tillë do ta ndihmonte të qëndronte në pushtet përjetësisht.

“Netanyahu ka dashur prej kohësh të luftojë Iranin sepse në këtë mënyrë mund të qëndrojë në detyrë përgjithmonë. Dua të them, ai ka qenë atje pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit,” u shpreh Clinton gjatë një interviste në “The Daily Show”.

Ish-presidenti amerikan tha gjithashtu se i ka bërë thirrje Donald Trump-it, aktualisht në garë për një tjetër mandat presidencial, që të ndërmarrë hapa për shuarjen e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, dhe t’i japë fund siç e quajti “vrasjes së vazhdueshme të civilëve”.

“Por unë mendoj se duhet të përpiqemi ta shuajmë atë dhe shpresoj që presidenti Trump ta bëjë,” tha Clinton.

Sipas tij, pavarësisht deklaratave dhe veprimeve, as Netanyahu e as Trump nuk dëshirojnë një katastrofë rajonale në shkallë të plotë, por paralajmëroi për pasojat e mundshme nëse kriza nuk menaxhohet me kujdes, shkruan Arab News.

Centrali bërthamor iranian në Fordow goditet sërish

Centrali bërthamor iranian në Fordow është goditur përsëri, kësaj radhe nga sulmet ajrore izraelite, një ditë pas bombardimeve të mëdha amerikane mbi të njëjtin objekt, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëdhënësi i Shtabit të Menaxhimit të Krizave në Provincën Qom ka konfirmuar se objektivi ishte sërish centrali i ndërtuar brenda një mali, i njohur për ndjeshmërinë dhe sigurinë e lartë, raporton Sky news.

Më herët, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se sulmet e fundjavës nga SHBA pritej të kishin shkaktuar “dëme shumë të konsiderueshme”, për shkak të natyrës së ndjeshme të centrifugave të përdorura për pasurimin e uraniumit.

Grossi shtoi se është ende e pamundur të përcaktohet shkalla e dëmit në strukturat nëntokësore të centralit.

Qesharake, Basha opozitës: Ruani energjinë kundër Serbisë e jo ta luftoni Albulena Haxhiun

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka dhënë një deklaratë që tingëllon si këshillë për qetësi shpirtërore, por jo për partinë e tij, por për opozitën.

Duke folur para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, Basha u shpreh se opozita duhet ta kursejë energjinë që, sipas tij, po e shpenzon duke kundërshtuar kandidaturën e Albulena Haxhiut, dhe në vend të kësaj ta ruajë për një “kundërshtar të përbashkët” – Serbinë.

“Ne e kemi kandidu Albulena Haxhiun, nuk ka vërejtje as prej juve, as prej qytetarëve për Albulenën. Është e paarsyeshme me dalë me qëndru kundër. Mendoj që opozita duhet me ruajt energjinë kundër Serbisë, jo me luftu Albulenën”, deklaroi Basha

Ai shtoi se Kryesia e Kuvendit u takon të gjithëve Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe përfaqësuesve të komuniteteve, ndonëse zëshëm vetëm partia e tij vendos kandidatë dhe pastaj kërkon të mos ketë diskutime.

Kështu, sipas Bashës, kritika ndaj Albulena Haxhiut nuk është opozitarizëm – është humbje kohe.

35 seanca pa rezultate – Deputetja e Nismës pyet “A po dukem mirë?”

Edhe pse sot është mbajtur për herë të 36-të me radhë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, zgjidhja ende nuk është arritur, shkruan Gazeta Sinjali.

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt vazhdojnë të mblidhen pa ndonjë rezultat konkret për formimin e institucioneve.

Në këtë atmosferë të zgjatur politike, vëmendje mori një deklaratë e deputetes së Nismës, Arbëreshë Krasniqi, e cila para mediave u shfaq në humor, duke pyetur gazetarët: “A po dukem mirë?”, e shoqëruar me të qeshura.

Një nga deputetët reagoi me ironi, duke thënë: “Punë s’jeni tu kry se…”, duke reflektuar frustrimin që po ndjehet për bllokadën e vazhdueshme.

E pabesueshme: Kurti flet për media para seancës, e jep një informacion shkurt

Sot, për herë të parë para fillimit të seancës konstituive pas 35 tentimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetar i VV-së, tha pak fjalë për mediat.

Ai tha se është në mesin e 48 deputetëve të VV-së, dhe se dikush nga partia e tij do të dalë dhe do ta japë qëndrimin e partisë pas seancës.

Kjo do të jetë përpjekja e 36-të për konstituimin e Kuvendit.

Vetëvendosje insiston që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, derisa pritet një interpretim i Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e kësaj forme të votimit.

Tym i zi e shqetësues nga blloku i Kosovës A, ish-ambasadori: Duhet të arrestohet kushdo që e ka lëshu pa filtrat e ajrit

Ish-ambasadori kosovar, Avni Arifi, ka publikuar pamje mëngjesin e së shtunës nga blloku i Kosovës A, ku shihet se një sasi e theksuar del prej njërës nga qyngat.

Arifi ka shpërndarë videon në ‘Facebook’, duke thënë se kushdo që ka dhënë leje të lëshohet ky bllok pa filtra ajri, duhet arrestuar, shkruan Insajderi.

Kushdo që ka dhanë leje me u lëshu ky bllok i Kosovës A pa filtrat e ajrit, ish dasht me u arrestu. Kqyrne vet çfarë helmi po na jepet pa u filtru, veç mos me pranu që KEK ka kolapsu. Kjo qeverisje po shndërrohet çdo ditë në krim më të madh e më të madh“, thotë Arifi.

KEK ka njoftuar dje se ka rikthyer në operim bllokun B1 të Kosovës B.

 

Genc Prelvukaj për Kurtin e Bahtirin: Adoleshentë që nuk rriten kurrë

Genc Prelvukaj, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një postimi ka kritikuar të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe deputetin e kësaj partie, Agim Bahtiri, duke thënë se ‘‘për këtë nivel’’, s’ka rëndësi pse bota është në flakë, duke i cilësuar të dy si ‘‘adoleshentë që nuk rriten kurrë’’.

Prelvukaj ka shkruar edhe se Kurti s’merr vesh nga hallet e punëtorëve, dhe se, i njëjti s’ka asnjë grimcë zotësie për ta kuptuar që asnjë kompani serioze e jashtme nuk investon në Kosovë.

‘‘Këta njerëz nuk kanë aftësi për ta lexuar as zotësinë dhe as paditurinë tek individi. Për këtë arsye nga qindra njerëz të aftë që ka shoqëria shqiptare, i veshin me pushtet njerëz si Gërvalla, Bahtiri, Peci, Haxhiu, Bislimi apo Murati’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Ai ka shkruar edhe se Kurti e Bahtiri që ndajnë nivel e antivlera të përbashkëta, një ditë kanë për të ikur nga pushteti, porse dëmet që do të ia lënë shtetit e shoqërisë do t’i vuajë secili fëmijë i lindur nesër.

Postimi:

Për këtë nivel, nuk ka rëndësi pse bota është në flakë dhe në çdo sekondë rrethanat mund të marrin për mbrapshtë.

Nuk merziten pse ua neverisin brezave të rinj shtetin dhe ua vrasin dashurinë për atdheun për inate personale. Adoleshentë që nuk rriten kurrë.

Këta njerëz me arsimim minimal, nuk merziten pse e kanë hedhur shtetin në humnerë, duke e rrënuar shkallazi çdo segment të tij.

Ky në të majtë nuk merr vesh nga hallet e punëtorëve sepse nuk ka punuar kurrë. Nuk ka asnjë grimcë zotësie për ta kuptuar se asnjë kompani serioze e jashtme nuk investon në Kosovë kur nga drejtuesit e shtetit sulmohen operatorët ekonomikë vendorë.

Kokëfortësia e tyre shkon deri në atë pikë sa që 35 herë e turpërojnë shtetin, duke e futur në rubrikat e humorit në mediat ndërkombëtare. Duke i shkuar për shtati propagandës historike serbe që shqiptarët nuk kanë aftësi për të bërë e mbajtur shtet.

Në opozitë kanë abuzuar me idenë e bashkimit kombëtar, derisa me ardhjen në pushtet, ia kanë futur dy këmbët në dhe idesë duke e banalizuar tërësisht.
Sikurse etërit e tyre me yll të kuq, tek të helmuarit nga dogma e tyre kanë krijuar neveri ndaj shtetit shqiptar dhe në disa raste edhe ndaj vetë mjediseve politike që na ndihmuan dikur

Në kërkim të krediteve historike që smund ti kenë kurrë, i bënë pikë e pesë shqiptarët në Maqedoni. Disa prej tyre më në fund i thirrën mendjës, duke pohuar se situata atje pas intervenimit të Kurtit është tejet e rëndë.

Kurrë nuk janë çliruar nga petku jugosllav, duke krijuar narrativë ndaj krerëve të luftës, sikurse bënë etërit e tyre ndaj Ballit, NDSH-së, apo LDP-së.

Këta njerëz nuk kanë aftësi për ta lexuar as zotësinë dhe as paditurinë tek individi. Për këtë arsye nga qindra njerëz të aftë që ka shoqëria shqiptare, i veshin me pushtet njerëz si Gërvalla, Bahtiri, Peci, Haxhiu, Bislimi apo Murati.

Pa formim adekuat, ky formacion nuk ka as konsistencë politike. Nuk kanë lënë asnjë parim pa e braktisur. Shoqëria jonë nuk ka parë mashtrues më të mëdhenj.
Për vite të tëra kanë lansuar informata të pasakta duke demonizuar shumë njerëz të ndershëm e patriotë. Me ardhjen në pushtet kanë vënë rekord korrupsioni e hajdutërie.

Njerëz si këta në foto, që ndajnë nivel e antivlera të përbashkëta, një ditë kanë për të ikur nga pushteti, por turpin dhe dëmët që do ti lënë shtetit e shoqërisë do ti vuajë secili fëmijë i lindur nesër.