Sot fillon Java e Krenarisë, hapja zyrtare në ndërtesën e qeverisë

Sot do të nisë Java e Krenarisë, e cila do të zgjasë deri më 14 qershor.

Hapja zyrtare do të bëhet në ndërtesën e qeverisë në ora 18:00.

“Sot nisë Java e Krenarisë e cila do të zgjasë deri me 14 qershor. Po sot, ju ftojmë në hapjen zyrtare të Javës së Krenarisë në Prishtinë e cila do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë, duke filluar në ora 18:00.”

Daut Haradinaj: AAK-ja e gatshme të votojë për tre emra për kryetar Kuvendi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se partia të cilës i takon nuk ka ndryshuar qëndrim, është e gatshme të votojë për tre emra për kryeparlamentar.

Haradinaj para fillimit të seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se po pret që partia që ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare, të reflektojë.

Ai ka shtuar se AAK-ja është e gatshme për qeveri të opozitës, por pa ndonjë propozim konkret.

“Po pres që do të reflektojnë. Kryeministri ka thënë se i kanë votat për Qeveri, jo për Kuvend, unë nuk e kuptoj se çfarë pozicioni po mban. Ne jemi të gatshëm ta japim votën për tre emra konkretë. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar, të bëjmë zgjidhje, kemi thënë që jemi të gatshëm për qeverinë e opozitës, nuk e kemi ndonjë emër apo preferencë, kemi thënë se nuk kemi kushte”,ka thënë ai.

Më 14 korrik, vendimi i madh për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin

Trupi Gjykues në gjykimin e madh të Speciales, “Thaçi dhe të tjerët”, e ka caktuar 12 qershorin si afat të fundit kur ekipet mbrojtëse mund ta dorëzojnë mocionin e përbashkët për rrëzimin e aktakuzës.

Më tej ka marrë vendim që Prokurorisë së Specializuar t’i shkurtohet afati për ta kundërshtuar kërkesën e mbrojtësve Misetiq, Dixon, Roberts e Alagendra.

Kimberly West dhe ekipi i saj do të kenë mundësi që deri më 7 korrik të tregojnë pse duhet të mbetet në fuqi akti akuzues, ndërkaq vetë Paneli Gjykues i kryesuar nga Charles Smith kanë bërë të ditur se synojnë të marrin një vendim lidhur me rrëzimin e Aktakuzës së madhe, më 14 korrik, raporton Info Magazine në Klan Kosova.

Varësisht nga vendimi pritet të rrjedhin afatet tjera, paraqitja e dëshmitarëve nga Mbrojtësi i Viktimave dhe pastaj u është caktuar ekipeve të mbrojtjes 16 korriku kur duhet të bëjnë të ditur nëse në vjeshtë do të paraqesin rastin e tyre dhe nëse do të thërrasin dëshmitarë në sallën e gjykimit

“Mos më pengo, hera e parë e fundit…” – përplasje verbale mes Arianit Kocit dhe Armend Zemajt në hyrje të Kuvendit

Avokati Arianit Koci është përplasur me deputetin e LDK-së, Armend Zemaj në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

Koci i cili është duke protestuar si shenjë revolte ndaj moskonstituimit të Kuvendit, iu drejtua Zemajt duke I kërkuar të gjejnë zgjidhje.

“Të lutem gjejë zgjidhje”, tha avokati.

Zemaj iu përgjigj duke i kërkuar të mos i pengoi.

“Mos më pengo të lutem shko i ki puntë e tua, a po të pengoi unë në punë tua”, u shpreh Zemaj.

Koci iu kthye duke i thënë se nuk ka asgjë personale me të.

Por deputeti i LDK-së u tregua më i ashpër.

“Hera e parë e fundit që ti mua më pengon…Çka bënë me tjerët është punë e jotja”, i tha Zemaj, Kocit.

Avokati tentoi të vendoste një shirit të kuq për të ndaluar hyrjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se “skam me ju lan me hi”.

Vendosja e shirtit nuk iu lejua nga zyrtarët policorë.

E dhimbshme: Vdes Albina Borovci nga Kamenica

Ka vdekur në moshë të re, Albina Borovci, nga Kamenica.

Për vdekjen kanë njoftuar familjarët e saj.

“Humbje kjo që ka tronditur familjen dhe të afërmit, derisa për informacionet e mëtejshme lidhur me kohën dhe vendin e varrimit, publiku do të njoftohet në një moment të dytë”.

Aksidenti ndodhi në orën 05:00, policia u njoftua në orën 13:15- Çka dihet deri më tani për vdekjen e të riut

Policia e Kosovës ka thënë se në bazë të hetimeve fillestare, Ideal Halabaku, 26-vjeçari që u vetaksidentua në autostradën “Arben Xhaferi”, s’e kishte humbur jetën për shkak të aksidentit.

Në njoftimin e Policisë u bë e ditur se tashmë i ndjeri ishte aksidentuar rreth orës 05:00, ku kishte rënë nga Ura e Kaçanikut në autostradë, ndërsa tek në ora 13:15 ishte lajmëruar Policia nga një qytetar, shkruan Insajderi.

Më datë 08.06.2025, rreth orës 13:15, jemi njoftuar nga një qytetar për gjetjen e trupit të pajetë të viktimës I.H (M/K) i moshës 26 vjeç. Dyshohet se viktima kishte pësuar aksident trafiku rreth orës 05:00 të mëngjesit në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër fshatit Bob, komuna e Kaçanikut“, u tha në njoftimin e policisë

Tutje, policia bëri të ditur se hetuesit e trafikut kanë konstatuar se vdekja e viktimës nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.

Policia ka bërë të ditur se do të japë informacione shtesë pas ekzaminimit të nevojshëm nga hetuesit rajonalë.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim kanë ndihmuar në tërheqjen e trupit nga vendi ku ka rënë tashmë i ndjeri.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se ka përfunduar operacioni emergjent në Komunën e Kaçanikut, ku për fat të keq një person ka humbur jetën. Ekipet tona kanë bërë tërheqjen e trupit të pajetë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse“, u tha në njoftimin e tyre.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili e cilësoi vdekjen e të riut si vdekje tragjike dhe u shprehu ngushëllime familjarëve.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë”, tha Sokol Haliti.

Ky është kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, djali i ish-ushtarit të UÇK-së

Zgjedhjet lokale për kryetar të komunave dhe asamble komunale pritet të mbahen në muajin tetor. Tashmë partitë politike kanë nisur nominimin e kandidaturave për kryetar komunash.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se PDK do të kandidoj Arian Tahirin për kryetar të Mitrovicës.

Siç mëson Veriu.info, Arian Tahiri ka marrë miratimin dhe mbështetjen e plotë të kryetarit aktual të komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili është edhe kryetar i degës së PDK-së në këtë qytet.

Arian Tahiri i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, është doktor i shkencave ekonomike.

Ai rrjedh nga një familje patriotike, ku babai i tij ishte ish ushtar i UÇK-së.

Ndryshe, Bedri Hamza që prej marrjes së mandatit të kryetarit të Mitrovicës më 2021, kishte lënë të nënkuptohet se nuk do të garoj përsëri për kryetar komune, duke arsyetuar se synon t’i mbështes kuadrot e reja me bagazh profesional e politik.

Vuçiq nuk mban nervat, largohet i irrituar nga konferenca me gazetarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u përball me një situatë aspak të këndshme, gjatë një konference për media.

Një debat i tensionuar me gazetarët detyroi presidentin serb të largohet i irrituar nga koncerenca live. Shkak për reagimin e tij u bë një pyetje që nuk i pëlqeu, duke e shtyrë atë të mbante një ton kritik dhe moralizues ndaj përfaqësuesve të mediave.

Vuçiq po komentonte sulmin ndaj Milosh Pavloviç, përfaqësues i lëvizjes “Studentët që duan të mësojnë”, duke e krahasuar me një incident të mëparshëm në Novi Sad, ku një studente u sulmua dhe iu thye nofulla, raportojnë mediat në Beograd.

“Më shpjegoni pse ata djem në Novi Sad qëndruan katër muaj në paraburgim, ndërsa këta që vepruan në mënyrë të organizuar, me qëllim dhe me vetëdije, përballen vetëm me akuza për pakujdesi…”, u shpreh Vuçiq me tone të ashpra.

Kur gazetarët tentuan të reagojnë, duke theksuar se edhe ata mund të japin shpjegime, presidenti i ndërpreu ashpër dhe i qortoi për sjelljen e tyre.

Ju ende mendoni se kjo është për të qeshur. Ju,, unë jo. Mësohu të sillesh më mirë. Sjellje elementare. Nuk do të ishte keq“, tha ai me nervozizëm të dukshëm. Momenti i tensionit u publikua nga gazetarja në rrjetet sociale, e cila e përshkoi situatën si të pakëndshme, duke thënë se presidenti iu bërtiti, u zemërua me ta dhe u largua nga konferenca.

Lladrovci: Thaçi me 58 deputetë i krijoi institucionet, Kurti të ndryshojë Haxhiun për kandidate

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosformimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se arroganca e numrave, Kurtin dhe bashkëmendimtarët e tij po e bëjnë të pandjeshëm ndaj gjendjes ku është Kosova.

“Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Disave matematika nuk po ju vlen, 48 nuk janë 61. Kur një parti është e para, me 42.2%, ka përgjegjësi për të ftuar partitë tjera më të vogla, për të arritur 50% plus 1, numër i cili i jep kredibilitet për ndërtimin e institucioneve, Kuvendin dhe Qeverinë”.

“Arroganca e numrave, Kurtin dhe bashkëmendimtarët e tij po e bëjnë të pandjeshëm ndaj gjendjes ku është Kosova, me sanksione dhe varfërinë më të madhe në Evropë. Kurti dhe VV, kanë rastin të ofrojnë zgjidhje për daljen nga kriza dhe të dëshmojnë se e duan më shumë shtetin se pushtetin”, ka thënë Lladrovci.

I njëjti shtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi në kohën kur ishte edhe kryeministër i vendit me 58 deputetë kishte formuar institucionet e reja të vendit.

“Krahasimi me Belgjikën rreth vonesave është më shumë se qesharak, GDP-ja e Belgjikës është 60 herë më e madhe se ajo e Kosovës, të ardhurat për frymë i ka 8 deri 9 herë më të larta se në Kosovë, ndërsa nga pavarësia, Belgjika numëron 53 kryeministra e Kosova 13”.

“Kjo gjendje e Kosovës nuk mund të jetë normale. Kosova nuk mund të matet me shtetet tjera, por, me përvojën e deritashme po. Me 58 deputetë, Hashim Thaçi i krijoi të gjitha institucionet dhe mori njohje ndërkombëtare duke u bërë faktor stabiliteti në rajon”, tha Lladrovci.

I pari i Drenasit kërkoi që Kurti ta ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare dhe Kosova të ecë përpara.

“Nëse i bën 61 vota, lë ta bëj edhe Qeverinë. Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Nëse mundeni, prishni atë që vet e keni ndërtuar, jo atë që e ndërtuan të tjerët!”, shtoi Lladrovci.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi të hënën del para gjykatës në Beograd, reagon MPJD

Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu.

Spahiu po mbahet aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po ndjek nga afër zhvillimet.

Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake më 9 qershor, në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.

MPJD ka njoftuar gjithashtu se ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me ndalimin, dhe se do të vazhdojë të ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike, duke mbajtur të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë.