div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-393 category-paged-393 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Vrasja e trefishtë në Gjilan, suspendohen katër zyrtarë policorë

Inspektoriati Policor i Kosovës, ka njoftuar se janë suspenduar katër policë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan. Policët e supsenduar dyshohen për lëshim ose përfshierje të mundshme gjatë veprimtarisë kriminale të Mefail Shkodrës me djemt e tij, të cilët janë arratisur, pasi kanë kryer vrasjen e trefishtë, në qendër të Gjilanit, në pikë të ditës.

E plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim paraprak në kuadër të të cilit do të hetohet nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Bazuar në rekomandimin e IPK-së janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan.

Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale.

Hetimet janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe veprime të tjera procedurale

Një i vdekur dhe 10 të lënduar nga aksidenti mes gjashtë veturave, dy në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 18:20 te ura në Komoran, në drejtimin Pejë – Prishtinë.

Naser Syla, drejtori i Emergjencës në QKUK ka bërë të ditur për IndeksOnline se si pasojë e aksidentit një person ka ndërruar jetë, 10 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Syla njoftoi se dy nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë.

Rastin për IndeksOnline është konfirmuar edhe nga zëdhëndësi i policisë, Daut Hoxha, ku njoftoi se 6 vetura janë përfshirë në aksident ndërsa ka bërë të ditur se ka edhe të lënduar.

“Sot, më datë 11.08.2025, rreth orës 18:20, është raportuar një aksident trafiku me gjashtë automjete të përfshira dhe persona të lënduar, i cili ka ndodhur te udhëkryqi, te ura në Komoran, në drejtimin Pejë–Prishtinë.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ndërkohë që janë njoftuar edhe ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilat kanë reaguar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme personave të përfshirë dhe për menaxhimin e situatës.

Policia e Kosovës po kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe menaxhimin e trafikut në atë segment rrugor, ndersa për detaje të tjera do të njoftoheni me kohë.”, ka thënë Hoxha.

Më poshtë mund të shihni pamje nga aksidenti./IndeksOnline/

 

MD-ja kërkon masa ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në lirimin e Mefail dhe Edonis Shkodrës

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor që të nisin menjëherë procedurat gjyqësore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë në lirimin me dorëzani për fajde ndaj Mefail dhe Edonis Shkodra, tashmë të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Në një komunikatë për media thuhet se vendimi për lirimin e tyre është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.

“Ministria e Drejtësisë është thellësisht e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë. Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë dhe aktualisht në arrati, kishin qenë më parë në paraburgim dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme. Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, MD-ja u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që të ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të çuar përpara reformat e nevojshme dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë, të pavarur dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim.

DETAJE/ Këto janë dy qytetet kosovare ku u thyen rekordet nga tempraturat e larta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një analize rreth ngjarjeve klimatike, ka njoftuar se muaji korrik i vitit 2025 ka shënuar një valë ekstreme të të nxehtit, me temperaturat që kanë shënuar rekord.

Vlerat maksimale janë shënuar në Klinë me 42.4 gradë Celsius, dhe 42.3 gradë Celsius në Han të Elezit.

“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, njofton IHMK.

Nga IHMK poashtu bëjnë të ditur se temperatura më e lartë e mëparshme në Kosovë ishte ajo e regjistruar në Prizren në vitin 1987 me 40.8°C.

Kalimi i kësaj vlere pas 38 vitesh tregon një trend rritës të ngrohtësisë, jo si fenomen i izoluar por si pjesë e një procesi afatgjatë të transformimit klimatik.

Mjekët paralajmërojnë se kjo pije e pëlqyer nga miliona njerëz mund të shkaktojë rënie të flokëve

Një mjeke ka paralajmëruar se pijet e gazuara dhe ato energjike, të konsumuar gjerësisht nga miliona njerëz, mund të kontribuojnë në rënien e flokëve tek meshkujt dhe të rrisin nivelin e ankthit.

Dr. Neena Chandrasekaran, specialiste në mjekësinë pulmonare dhe kujdesin intensiv, tha se studimet e fundit tregojnë një lidhje mes konsumit të këtyre pijeve dhe dobësimit të folikulave të flokëve. Ajo ndau paralajmërimin me mbi 152 mijë ndjekës në TikTok, si pjesë e serisë së saj “Gjërat që nuk t’i thotë askush”.

“Pijet e gazuara dhe pijet energjike shpesh përmbajnë shumë sheqer dhe aditivë që prishin ekuilibrin hormonal dhe dëmtojnë shëndetin e përgjithshëm,” shpjegoi Dr. Chandrasekaran, transmeton Korrespodenti.

 

Dejona Mihali rikthehet në Facebook, u propagandua se iu mbyll nga sulmet

Dejona Mihali e VV’së është kthyer sërish në rrjetin social “Facebook”. Ajo “u zhduk” pas sulmit virtual ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses.

Nga VV thanë se llogaria e Mihalit është sulmuar. Një prej tyre ishte edhe Elvis Hoxha. Ai kishte shpërndarë statusin e Mihalit duke thënë se “preku PDK’në”.

70 mijë euro dorëzani: Gjykata sqaron pse u liruan Mefail dhe Edonis Shkodra
I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që ndodhi dje në Gjilan, Mefail Shkodra, ishte liruar në tetorin e vitit të kaluar, pasi ishte dënuar për vepren e fajdes.
E pse u lirua, një sqarim e dha Gjykata Themelore e Prishtinës për Klankosova.tv.

Në një përgjigje me shkrim nga kjo gjykatë thuhet se ai dhe biri i tij Edonisi i cili po ashtu ishte arrestuar në këtë rast, kishin ofruar një parcelë në të cilën kishte dy objekte të ndërtuara dhe që plotësonin dorëzaninë e kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vlerë prej 70 mijë euro, 50 mijë për Mefailin dhe 20 mijë për Edonisin.

Sqarimi i plotë nga Gjykata Themelore:

Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale Detyrimi nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Me datë 21.06.2024 Gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Fajdeja dhe Detyrimi.

Departamenti Special me datë 15.07.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Fajdeja, Detyrimi, si dhe veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së dhe veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1 i KPRK-së, ndërsa me datë 18.07.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, për secilin, e cila masë iu është llogaritur nga data 21.07.2024 deri me datë 21.09.2024.

Me datë 12.09.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ndërsa me datë 19.09.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj për secilin, e cila masë iu është llogaritur deri me datë 21.11.2024.

Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro).

Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.000 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh..

Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special nuk ka pranuar Aktakuzë nga PSRK lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., andaj pasi kjo çështje penale gjendet në procedurë paraprake dhe gjendet në fazë të hetimeve, për më shumë mund ti drejtoheni PSRK-së.

Përplasje për pronë në Malishevë, tre të arrestuar -U përdoren edhe armë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për tre të arrestuar në Malishevë.

Malishevë / 10.08.2025 – 14:04. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit, si pasojë e një kontesti pronësor, kishin kanosur njëri-tjetrin.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 4 fishekë dhe 7 copë gëzhoja, kurse nga njëri prej të dyshuarve është konfiskuar një pistoletë me gas me 7 copë fishekë.

Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.

Gjykata Themelore në Gjilan: Mefail Shkodra nuk ka lëndë aktive, por Policia thotë se ka mbi 30 vepra penale

Në lidhje me rastin e vrasjes së djeshme të ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit, Gjykata Themelore në Gjilan njofton opinionin publik dhe mediat, se ndaj të personit të dyshuar Mefail (Fehmi) Shkodra nuk ka lëndë aktive në këtë Gjykatë.

Ndërkohë, sa i përket dosjes së tij penale, ne bazë të evidencës ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Gjilan, personi Mefail Shkodra ka pasur 3 (tre) lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues edh atë:
Në vitin 2018 (PKR.nr.198/2018), është akuzuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është gjykuar duke shpallur fajtor të njëjtin dhe është dënuar;

Në vitin 2014 (P.nr.610/2014) është akuzuar për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale nga neni 320 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, i cili për këtë rast është gjykuar dhe dënuar.

Në vitin 2011 (P.nr.343/2011), është akuzuar për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm neni 356 i KPRK-së, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpall fajtor nga kjo Gjykatë.

Sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale të Gjykatës për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotëfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.

Nga dasma në zi/ Edmondi i cili u vra dje në Gjilan ishte martuar 3 muaj më parë

Vetëm tre muaj pasi kurorëzoi dashurinë e tij me martesë, Edmond Hasani ka humbur jetën tragjikisht së bashku me babain e tij, Selami Hasani.

Babë e bir u vranë nga persona të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme të fajdesë, shkruan IndeksOnline.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë ditës së djeshme në rrethana ende të paqarta, por që kanë tronditur thellë opinionin në mbarë vendin.

Edmondi ishte i martuar me Njomza Grabanicën, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Komunën e Klinës.

Sot, Gjilani do të përcjellë për në banesën e fundit dy viktimat e kësaj tragjedie. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e qytetit pas namazit të ikindisë, në orën 16:40.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. Sipas deklaratave të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të dyshuar të tjerë ndodhen në arrati. Ata janë identifikuar si Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe dy djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22).

This image has an empty alt attribute; its file name is 31.jpeg

Autoritetet kanë shpallur në kërkim të trefishtë të dyshuarit, ndërkohë që apelojnë për bashkëpunim nga qytetarët për kapjen e tyre./IndeksOnline./