“Shqipëria që turpërohet nga shqiptarët” – Vullnet Krasniqi shpërthen ndaj Edi Ramës pas ndalimit të flamurit të UÇK-së: Po sakrifikon identitetin kombëtar për BE-në!

Gazetari dhe analisti politik Vullnet Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Shqipërisë zyrtare nën udhëheqjen e Edi Ramës, duke e akuzuar atë se po shkel mbi vlerat kombëtare në emër të integrimeve evropiane. Ky reagim vjen menjëherë pas ndalimit të flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në stadiumin “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, ngjarje që ka shkaktuar zemërim të gjerë në opinionin publik.

Në një postim të drejtpërdrejtë dhe pa filtra, Krasniqi ka lëshuar një akuzë të rëndë:

“E kam thënë dhe vazhdoj ta them: Shqipëria në Evropë është Shqipëria që ia fut Kosovës. Qysh ia ka fut me 1912, do t’ia fusë edhe në vitin 2030. Shqiptarët e Edi Ramës në BE janë ata që nuk e durojnë UÇK-në, që nuk e bëjnë shqiponjën, që kujdesen tepër mos po preket Serbia…”

Sipas tij, ndalimi i flamurit të UÇK-së nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një kursi të qëllimshëm për të zbutur çdo shenjë krenarie shqiptare për hir të ndjeshmërisë ndërkombëtare – veçanërisht ndaj Serbisë, raporton Gazeta Imazhi.

Krasniqi shprehet i zhgënjyer që Shqipëria, në vend që të jetë zë i fuqishëm i kombit dhe historisë sonë çlirimtare, po transformohet në një shtet që “turpërohet nga shqiptarët që janë tamam shqiptarë.”

Koci: Një ish pjesëtar i NJSO’së është ndaluar nga autoritetet serbe, është marrë në pyetje për rastin “Banjska”

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se Arbnor Spahiu, ish pjesëtar i Njësisë Speciale Operative, është ndaluar dje nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.

Koci ka thënë se Spahiu qe tri vjet nuk punon në Polici dhe jeton në Gjermani. Ai ka shtuar se Spahiu është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.

“Qytetarët e Kosovës po ndalohen dhe po arrestohen në Serbi. Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Edhe pse ka tri vite që nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”. Përsëris: nuk ka qenë duke punuar në polici në atë kohë. Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar.”

Ai ka thënë se është i qartë sinjali që kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe.

“Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë. Ndalimi i Arbnorit po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi. Një përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës. Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe. E dini që pak ditë më parë, është ndaluar edhe një ish-deputet. Pas disa orë marrjesh në pyetje, është liruar.”

Koci ka thënë se është angazhuar në mbrojtjen e Arbnor Spahiut, derisa i ka bërë thirrje MPJD’së reagim urgjent.

“Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton. Kërkoj reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera. Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë. Nuk e lë vetëm askend – me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që e kam. Kultura shtetërore, patriotizmi fillon pikërisht aty – te mbrojtja e njerëzve/shtetasve të vet. Të gjithë për një, një për të gjithë – duhet të jetë motoja e jonë, pa paragjykuar asgjë!”

Ndalimi i flamurit të UÇK-së në ndeshjen ndaj serbisë, reagojnë nga OVL

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj sulmeve dhe përpjekjeve për të mohuar praninë e flamurit të UÇK-së dje në ndeshjen Shqipëri-Serbi, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një komunikatë të publikuar nga OVL-UÇK, thuhet se flamuri i UÇK-së përfaqëson gjakun e dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës dhe amanetin e tyre, ndërsa çdo përpjekje për të ndaluar praninë e tij është një “therje në shpirt” për familjet e dëshmorëve dhe për çdo shqiptar që mban në zemër luftën për liri.

“Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë,” theksojnë veteranët.

Organizata kërkon respekt dhe ndjeshmëri për këtë simbol që përfaqëson sakrificën dhe luftën e UÇK-së, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet të përdoret për qëllime politike, pasi kujtesa është e shenjtë.

OVL-UÇK fton të gjithë që të tregojnë kujdes dhe respekt ndaj historisë dhe luftës së dëshmorëve, për të ruajtur amanetin e tyre dhe bashkëjetesën në paqe.

“Unë nuk mund të hesht më…” çfarë po paralajmëron Arben Gashi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi ka bërë një reagim, ditën e sotme në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se është koha për dalje nga kriza dhe përfaqësim të drejtë.

Gashi ka thënë se Kosova ndodhet në një bllokadë politike që buron nga një pabarazi e thellë, ku njëra palë ka monopolin e propozimit ndërsa tjetra ka të drejtën legjitime të votës, por që nuk ka barazi dhe kompromis por vetëm arrogancë.

”Partia që kontrollon propozimin për Kryetarin e Kuvendit, dëshiron ta realizojë qëllimin e saj pa asnjë kompromis politik.Kjo është qasje përjashtuese, jo frymë demokratike.Dhe kjo është e papranueshme për ne – dhe për çdo qytetar që beson në barazi politike.

Shprehja e Kryeministrit “Hajt, se këta dorëzohen…” nuk është as strategji, as vizion. Është përçmim. Dhe institucionet nuk mund të udhëhiqen me përçmim.” ka shkruar Gashi.

Tutje, ai ka thënë se nuk mund të heshtë më, pasi nuk janë aty për t’iu nënshtruar njëri-tjetrit por për ti shërbyer Kosovës.

”Nuk jemi këtu për të nënshtruar njëri-tjetrin.Jemi këtu për t’i shërbyer Kosovës.Dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë me përgjegjësi, integritet dhe vullnet të qartë për zgjidhje.

Kur arroganca bëhet rregull – qytetari duhet të rikthehet si gjykatësi kryesor.

O do të ketë zgjidhje me marrëveshje të drejtë,Ose le të flasë qytetari!

Zgjedhjet janë zgjidhja burimore në çdo demokraci.Ato janë mënyra më e drejtë, më legjitime dhe më paqësore për t’i dhënë fund kësaj bllokade të dëmshme.” ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

 

Ngjarje e rëndë në Gjermani, një grua sulmon me thikë kalimtarët – vritet nga policia

Disa persona u plagosën pasi një grua i sulmoi me thikë të shtunën në mbrëmje në Mynih.

Sulmuesja ishte një grua 30-vjeçare me origjinë bullgare, e cila u qëllua nga policia dhe përfundoi në spital pak kohë më vonë.

Gruaja sulmoi kalimtarët me thikë në Theresienwiese, vendi ku mbahet Oktoberfest në vjeshtë, siç rapoton BILD.

Oficerët e policisë patrulluese e qëlluan atë dhe gruaja u dërgua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, por ndërroi jetë nga plagët e marra.

Motivi i sulmit mbetet i paqartë.”. Policia ka thënë se “nuk ka më rrezik për qytetarët”.

Numri i të plagosurve mbetet i panjohur.

5-vjeçari kafshohet nga qeni

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 4 kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. A., 61 vjeç, pas incidentit ku një fëmijë 5-vjeçar u kafshua nga qeni i tij. Ngjarja ndodhi në rrugën “Ali Bushi”, kur fëmija hyri në oborrin e banesës së 61-vjeçarit, shkruan Gazeta Sinjali.

I mituri ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia vazhdon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet janë referuar në Prokurori për procedim të mëtejshëm.

Ngërçi politik në vend, nga PDK-ja dalin me një propozim

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke theksuar se Kosova është duke u qeverisur nga rrjete informale të pushtetit, dhe jo nga rendi kushtetues.

Musliu ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se “inatet e tij dhe mungesa e vizionit politik” po e mbajnë peng të ardhmen e vendit. Ajo e ka cilësuar qeverisjen aktuale si të zhytur në populizëm, improvizim dhe mungesë të thellë konsensusi kombëtar.

Ajo ka propozuar krijimin e një Këshilli Ndërpartiak të Politikave Kombëtare, një forum joformal, por i strukturuar, që do të përfshinte përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare për të trajtuar çështje madhore si dialogu me Serbinë, reforma në drejtësi, integrimi evropian dhe arsimi.

“Në këtë kaos, shumë veta dhe shumë gjëra lulëzojnë, por vetëm qytetarët jo,” shkruan Musliu, duke shtuar se nuk është më kushtetuta ajo që udhëheq shtetin, por rrjetet informale, servilizmi dhe favorizimi.

Ajo theksoi se qëllimi i këtij Këshilli do të ishte ruajtja e kohezionit kombëtar dhe sigurimi i një rruge politike të përbashkët në temat strategjike, pa implikime financiare dhe pa cënim të qeverisjes ekzistuese.

Musliu përmbylli reagimin e saj me një thirrje për përgjegjësi qytetare dhe politike:

“Kosova nuk do të reformohet kurrë vetëm duke luajtur me slogane. Sot kemi nevojë për më pak shfaqje dhe më shumë parime.”, ja shkruar Musliu.

 

Humbje e madhe për mjekësinë lokale: Ndërron jetë Xhevat Bajraktari

Ka ndërruar jetë Xhevat Bajraktari, teknik i radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm, një profesionist i përkushtuar që për vite me radhë ka shërbyer me devotshmëri në kujdesin ndaj pacientëve.

Lajmi për vdekjen e tij ka prekur thellë kolegët, miqtë dhe familjarët, të cilët e kujtojnë si një njeri të dashur, të sjellshëm dhe të përkushtuar ndaj profesionit të tij fisnik.

Ceremonia e varrimit të të ndjerit do të mbahet sot në ora 17:00 në varrezat e fshatit Kashic, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.

Bajqinovci: Jam i gatshëm të jem kandidat për kryetar të Prishtinës, i kam mbi 10 mijë vota në kryeqytet

Deputeti nga LVV, Mefail Bajqinovci, tha se është ndër deputetët më të votuar të subjektit të tij në kryeqytet dhe se ka treguar angazhim të vazhdueshëm për çështjet që prekin Prishtinën.

Prandaj, ai ka lënë të hapur mundësinë që të kandidojë për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale.

Tutje ai potencoi se kandidatura e tij do të varet nga vlerësimi i kryesisë së partisë dhe liderit të VV-së, por shtoi se është i gatshëm dhe i interesuar që të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr kryeqytetin.

“Unë është e vërtetë që i kam mbi 10 mijë vota në kryeqytet, dhe jam një prej 14 deputetëve më të votuar në LVV. Kam punu shumë në Prishtinë që të jem kritik ndaj keqqeverisjës së Përparim Ramës, ku e ka mbuluar me mbeturina dhe me gjëra të ndryshme. Nëse lideri dhe kryesia e partisë vendos që mund ti plotësoj kriteret që të jem kandidat për Prishtinë, po me kënaqësi do ta pranojna. Jam i gatshëm të jem kandidat për kryetar të Prishtinës dhe kam interes. Ka shumë emra në Prishtinë dhe të shohim tash kryesia e cila mendon më së miri se kush mund të ketë impakt që ta fitoj Prishtinën do të vendoset së bashku me liderin tonë”, tha ai për Gazeta Blic.

Pas tri javësh në spital, ndërron jetë i aksidentuari nga Pouska

Pas gati tre javësh në gjendje kritike në Spitalin Publik të Prishtinës, 25-vjeçari Erdal Tumba nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra në aksidentin trafiku që ndodhi më 18 maj në fshatin Pouskë të Prizrenit.

Në të njëjtin aksident kishte humbur jetën në vendngjarje edhe Dilge Nanovçe, një nga tre personat në veturën e aksidentuar.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur vëllai i tij, Edber Tumba, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.

“E di që je në parajsë, vëllai im i bukur… Thuhet se Allahu i merr herët robërit e tij të preferuar”.