div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-399 category-paged-399 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Dejona Mihalit i ndodh e papritura pasi sulmoi gjyqtarët e Kushtetuesës

E fuqishmja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali njihet për retorikën e ashpër ndaj çdo segmenti shoqëror dhe institucional sa herë nuk janë në linjë me partinë në pushtet.

Të njëjtën e bëri sot edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese që lëshoi aktgjykim ku u konstatua shkelja kushtetuese nga kryesuesi i seancës Avni Dehari.

Nuk mjaftonte vetëm sulmi ndaj Gjykatës si terësi, ajo veç e veç, me emër e mbiemër – përmendi gjyqtarët e Kushtetutës, të cilët i konsideroi si “të kapur”.

Sipas saj “Gjykata Kushtetuese po i shërben PDK-së, sot – dhe në vitin 2014”.

Por, ky qëndrim i fortë nga kjo figurë e Vetëvendosjes nuk mbijetoi shumë – pasi ajo vendosi të mbyllte Facebook’un, rrjedhimisht edhe qëndrimin e shprehur ashpër.

Pa asnjë shpjegim, Mihali u largua nga rrjeti social të cilën e përdor për sulme kur pushtetit nuk i shkon diçka për shtati.

“Gjykata e kapur” – Eskalon Dejona Mihali sulmon emër për emër gjyqtarët e kushtetueses

Koordinatorja e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihali ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi shkeljen e Kushtetutës nga kryesuesi i seancës Avni Dehari.

Ajo ka pretenduar se “Gjykata Kushtetuese po tenton t’ia merr LVV të drejtën për të propozuar kryeparlamentar”.

Nuk i mjaftoi sulmi ndaj institucionit, ajo përmendi me emra secilin gjyqtar – një e nga një.

Ajo ka thënë se Gjykata kushtetuese ende nuk ka provuar aromën e demokracisë dhe lirisë, duke thënë se “është e kapur”.

Postimi i Mihalit në Facebook:

Njoftimi që i paraprin Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese normal që nuk mund të jetë ndryshe nga mendimi dhe interesi i përbërjes së Gjykatës.

5 nga 7 anëtarët janë ish koalicioni PAN+Lista Serbe të zgjedhur në 2018.

Asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk do të priste diçka tjetër prej tyre.

Nexhmi Rexhepi – Kryetar, i zgjedhur në 2018. I sponzorizuar nga AAK dhe ish kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj.

Safet Hoxha – Nënkryetar, i zgjedhur më 2018. Kryetar i KRPP (organ kontrollues i prokurorimit publik) 2010-2018. I sponzorizuar nga PDK e Nisma. Asambleist i PDK në Kuvendin komunal të Suharekës.

Bajram Latifi – anëtar i zgjedhur në 2018 i sponzorizuar nga Duda Balje si pjesë e komunitetit boshnjak.

Radomir Laban – anëtar i zgjedhur me 2018 i sponzorizuar nga Lista Serbe i mbështetur nga PAN.

Remzie Istrefi Peci – anëtare e zgjedhur më 2018 e sponzorizuar nga koalicioni PAN.

Enver Peci – anëtar  i zgjedhur më 2022 i votuar nga të gjitha subjektet parlamentare

Jeton Bytyçi – anëtar  i zgjedhur në 2024 i votuar nga të gjitha subjektet parlamentare.

E vërteta është që këta duan t’ja marrin të drejtën Lëvizja VETËVENDOSJE! për të propozuar kryetarin e kuvendit.

Sepse kur fitonte PDK me 27% e drejta i takonte gjithnjë fituesit. Kur fiton VETËVENDOSJE!  natyrisht në 2020 i morën të drejtën e mandatarit, tani edhe pak, pas 30 ditësh do t’i marrin edhe të drejtën e kryetarit të Kuvendit.

Kjo është e vërteta, të tjerat janë llafe për të mbuluar këtë fakt.

Gjykata kushtetuese ende nuk ka provuar aromën e demokracisë dhe lirisë. Vijon të jetë vegël e shtetit të kapur që me dhunë po përpiqen ta mbajnë në këmbë ish Panistët së bashku me Listën serbe.

Çdo koleg i tyre, profesor i jurisprudencës kudo në secilin universitet në Kosovë e di se çfarë katastrofe është bërë sot. Kuptohet përjashtuar Enver Hasanin dhe sponzorizuesin e tij serbofilin Fatmir Sheholli.

Tri vendime të reja të Qeverisë në detyrë

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike të premten, ku ka marrë tri vendime.

Ajo miratoi vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat, siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, janë të nevojshme për realizimin e Projektit Infrastrukturor për Interes Publik – Ndërtimi i Urës mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e veriut dhe Mitrovicën e jugut.

Po ashtu, kabineti aprovoi caktimin e zonave të shërbimit për ofruesit e shërbimeve të ujit në Republikën e Kosovës.

Si dhe, miratoi ndryshimin e Statutit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” ShA, sipas vendimit të bordit të drejtorëve.

“Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari, s’ka më demokraci përfaqësuese në Kosovë”

Lëvizja Vetëvendosje e ka pranuar rëndë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për bllokadën në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci e ka sulmuar rëndë Gjykatën Kushtetuese për lidhje me ish-koalicionin PAN (PDK-AAK-Nisma) dhe për Radomir Llabanin, gjyqtarin serb.

Bogujevci ka thënë se demokracia përfaqësuese në Kosovë, mori fund me këtë aktgjykim, sipas të cilit u konstatua se kryesuesi Avni Dehari e shkeli aktgjykimin paraprak të Gjykatës.

“Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më”, tha ajo. “Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari”.

“6 gjyqtarë, nga të cilët 5 nga koha e PAN-it dhe njëri i lidhur me Serbinë, shkelin vullnetin e popullit, riinterpretojnë vendimin e vet dhe gjejnë shkelje veçse te Avni Dehari”, tha Bogujevci, në një shkrim në Facebook.

 

Reagon ashpër Shqipe Mehmeti-Selimi: Gjykata e ka shkelur Kushtetutën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar me tone të ashpra dhe të dëshpëruara ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi shkelje të Kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Në një postim në rrjetet sociale, Mehmeti-Selimi ka sulmuar vendimin e Gjykatës që kufizon në tri herë numrin e tentimeve për votimin e një kandidati për kryetar të Kuvendit, duke e quajtur këtë “rishkrim të Kushtetutës”, transmeton lajmi.net

“Prej nga e shpiku Gjykata këtë për tri tentime? Pse jo katër? Pse jo dy? Pse jo vetëm një? Kjo është shkelje e Kushtetutës nga vetë Gjykata”, ka shkruar ajo, duke shmangur plotësisht faktin që vendimi i Kushtetueses erdhi si pasojë e shkeljeve të përsëritura nga partia e saj.

Hykmete Bajrami: Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo tha se Albin Kurti e detyroi Avni Deharin ta shkelë kushtetutën.

Gjykata konstatoi shkelje të Kushtetutës nga kryesuesi i seancës Avni Dehari.

Vendimi i Kushtetuesës, Heki reagon i dëshpruar: Kjo s’është drejtësi, vendimi i Kushtetueses është politik

Deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot nga Kushtetuesja, ku thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Murati ka thënë se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje.

“Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë.  E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021.  Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”, ka thënë ai.

.

Postimi I olotë I Muratit:

Në vitin 2014, për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet, Gjykata Kushtetuese ishte bërë vegël e PDK-së dhe kishte vendosur që:

1. Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje.

2. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër.

Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje.

Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë.

E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021.

Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen.

Vendos Gjykata Kushtetuese: VV-ja shkeli Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim lidhur me ngërçin, ku ka vendosur se deputetët duhet të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur, teksa seancat e mbajtura deri tash janë shpallur të pavlefshme.

Sipas Kushtetueses, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit. Kushtetuesja e ka publikuar vetëm njoftimin, teksa Aktgjykimin ka paralajmëruar se do ta publikojë së shpejti dhe se deri atëherë vazhdon masa e përkohshme.

Njoftimi i plotë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar nga KO193/25, Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, vendosi:

TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;

TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;

TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;

TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;

TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.

Gjykata Kushtetuese e urdhëron Vetëvendosjen: Albulena Haxhiu mund të jetë kandidate vetëm tri herë!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se kryesuesi i seancës konstituive të kuvendit “nuk ka vepruar në pajtueshmëri me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuse merr vendim për bllokadën në Kuvend

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve.

Në vendimin e Kushtetueses konstatohet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Po ashtu, se Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në vendim.

Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive, ashtu si edhe në votim.