ZRRE-ja del me një njoftim të rëndësishëm

Zyra e Rregullatorit për Energji bëri të ditur se më 1 qershor bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.


“Me sukses, të gjitha që kanë lidhur kontrata me furnizuesit kanë dalë në tregun e hapur. Ato që nuk kanë lidhur kontratë, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Megjithatë, Fejzullahu nuk dha shifra se sa kompani, nga rreth 1.300 që preken nga vendimi i liberalizimit të tregut, kanë lidhur kontrata dhe sa të tjera do të furnizohen me rrymë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.

FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik.

Aktualisht në Kosovë janë të licencuara 21 kompani tregtare për furnizim me energji, ndërsa një kompani tjetër është në proces licencimi.

Megjithatë, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vetëm pesë prej tyre kanë paraqitur deri tani oferta konkrete për sektorin e bizneseve.

Pjesë e këtyre kompanive është edhe Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë në vend.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa biznese gjatë kësaj jave dhe asnjëra prej tyre nuk ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë e licencuara.

Sipas tyre, vetëm KESCO ka dhënë një ofertë me çmim deri në 260 euro për megavat – çmim që ata e konsiderojnë të papërballueshëm.

KESCO nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë çmim.

Për shkak të çmimit të lartë të energjisë dhe mungesës së ofertave nga kompanitë furnizuese, më 29 maj, qindra biznese protestuan duke bllokuar për dy orë tri hyrjet kryesore të Prishtinës me mauna dhe automjete.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset po kërkojnë që zbatimi i vendimit të shtyhet për një vit, meqë “nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim të madh”.

Nga ana tjetër, Njazi Musliu, pronar i kompanisë Eurometal në Ferizaj, që ka afër 90 punëtorë, e ka cilësuar vendimin si shkatërrues për biznesin e tij.

Në protestën e së enjtes, ai theksoi se ky zhvillim e bën të pamundur konkurrencën në tregjet e rajonit dhe Evropës, ku kompania e tij është e pranishme me produkte të përpunimit të metalit.

“Do të detyrohemi të ulim numrin e punëtorëve nën 50, vetëm që të mos hyjmë në tregun e hapur në mënyrë që të ruajmë klientët me çmimet aktuale”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e kritikoi Odën Ekonomike duke thënë se “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur bizneset për këtë proces.

Nga ana tjetër, ZRRE-ja ka thënë të premten për Radion Evropa e Lirë, se disa biznese private dhe ndërmarrje publike tashmë kanë nënshkruar kontrata me kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. /REL/

Ky është haxhiu kosovar që vdiq në Qabe

Familja Jusufi sot ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kryefamiljarit të tyre, Haxhi Avdi Jusufit i cili vdiq në Qabenë e bekuar.

I ndjeri do varroset sot me 01.06.2025 (e dielë), me namazin e Drekës në Qabenë e Bekuar.

E pamja e të ndjerit do mbahet tri ditë, nga dita e hënë 02.06.2025 në Vushtrri në Novosellë të Begut.

Njoftimi i plotë i familjes:

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”

Me pikëllim të thellë ju njoftoj se është ndarë nga jeta Babai jonë, haxhi Avdi Jusufi.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot me 01.06.2025 (e dielë), me namazin e Drekës në Qabenë e Bekuar!
E Pamja mbahet tri ditë, nga dita e Hënë 02.06.2025 në Vushtrri (Novosella e Begut)

Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh në zemrën e familjes sonë, por kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i freskët në mendjet dhe zemrat tona.
Babai ynë me shpirt i donte vendet e shenjta, andaj Allahu e zgjodhi që shpirtin ta dorëzonte pikërisht atje!

Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet dhe përkrahjen në këto momente të rënda për familjen tonë.

Allahu e bëftë prej banorëve të Xhennetit!

Haxhia nga Kosova vdes në Qabe

Një haxhi nga Kosova ka ndërruar jetë në Qabe gjatë pelegrinazhit në vendin më të shenjtë të myslimanëve, ka bërë të ditur hoxha Abdullah Shaqiri, shkruan Insajderi.

“Në këto ditë të begata të Dhulhixhes dhe në Qabenë e bekuar në Mekë, ka ndërruar jetë haxhiu nga Vushtrria, Avdi Jusufi. Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet. Familjes Zoti ua shtoftë durimin”, ka shkruar ai në një postim në rrjete sociale.

Sipas njoftimit të familjarëve, haxhiu Avdi Jusufi do të varroset sot, më 1 qershor 2025 (e diel), me namazin e drekës në Qabenë e Bekuar në Mekë.

 

 

Pamja do të mbahet për tri ditë në Vushtrri, në Novosellë të Begut, duke filluar nga e hëna, më 2 qershor 2025.

 

Gjendet e mitura e raportuar si e zhdukur në Fushë Kosovë – 14-vjeçarja kishte qëndruar e vetme në rrugë për disa ditë

Një rast shqetësues i zhdukjes së një të miture në Fushë Kosovë ka përfunduar me kthimin e saj të sigurt në shtëpi, pas disa ditësh mungesë dhe pa ndonjë kontakt me familjen

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Besforta Shala, e lindur më 2010, ishte raportuar si e zhdukur nga babai i saj më datë 30 maj 2025, rreth orës 19:30, në stacionin policor të Fushë Kosovës. Sipas kallëzimit, vajza kishte dalë nga banesa më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit, dhe nuk ishte kthyer më. Ajo nuk kishte me vete telefon dhe familja nuk kishte informacion se çfarë kishte veshur.

Mësohet se viktima është një rast i përsëritur i largimeve nga shtëpia, ndërsa edhe herën e fundit Prokuroria për të Mitur kishte urdhëruar inicimin e rastit si “Person i zhdukur”.

Fatmirësisht, më 1 qershor 2025, rreth orës 02:45, babai i saj, Remzi Shala, është paraqitur sërish në polici – këtë herë bashkë me vajzën e gjetur. Gjatë intervistimit, e mitura ka deklaruar se gjatë gjithë kohës kishte qëndruar vetëm, duke endur rrugëve të Fushë Kosovës, por se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia dhe organet kompetente po trajtojnë rastin me kujdes të veçantë për shkak të ndjeshmërisë së tij dhe historikut të përsëritur të largimeve nga shtëpia. Gazeta Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe t’ju informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Aksident i rëndë në Pavlan të Pejës, merr flakë vetura, vdes një person

Gazeta Sinjali ka raportuar më parë për një aksident tragjik që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pavlan të Pejës, ku një veturë luksoze tip Audi Q8 ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një personi ende të paidentifikuar.

Sinjali mëson ekskluzivisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 të datës 1 qershor 2025, kur automjeti që po qarkullonte me shpejtësi në drejtim të qytetit të Pejës, ka humbur kontrollin në afërsi të rrethrrotullimit në fshatin Pavlan. Sipas hetimeve fillestare, vetura ka goditur cepin e trotuarit në anën e djathtë, është rrokullisur dhe ka përfunduar rreth 50 metra larg rrugës, në një arë, ku është përfshirë nga zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësia e krim-teknikës rajonale, zjarrfikësit, inspektori për mbrojtje nga zjarri dhe autoambulanca me mjekun kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e personit brenda automjetit. Viktima, që dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit, nuk ka arritur të identifikohet deri më tani, ndërsa pronari i veturës nuk ishte i qasshëm përmes disa numrave të telefonit.

Gjatë ekzaminimit të automjetit, hetuesit kanë gjetur edhe një fishek armë zjarri me kalibër të panjohur, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet rreth rrethanave të këtij rasti.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa vetura është konfiskuar për ekzaminime të mëtejshme dhe është dërguar në parkingun e Stacionit Policor në Klinë.

Rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë dhe Prokuroria Themelore, në përpjekje për të sqaruar shkaqet dhe identitetin e viktimës.

Stuhitë do të godasin Zvicrën, paralajmërime për rrezik të lartë në disa rajone

Pas një dite me temperatura të larta, moti pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë mbrëmjes së së shtunës. Sipas paralajmërimeve të fundit, disa qeliza stuhish pritet të arrijnë në Zvicër nga jugperëndimi, duke sjellë reshje të dendura dhe mundësi për breshër në rajone të ndryshme të vendit, shkruan 20minuten.

Stuhitë fillimisht do të prekin zonat e Gjenevës, Bielit dhe Neuchâtelit, si dhe pjesë të Zvicrës qendrore, përfshirë rajonin rreth Lucernës. Më pas, pritet që moti i keq të përhapet në Bernë, Fribourg, Olten dhe Zvicrën verilindore.

 

Qeveria federale ka lëshuar paralajmërime për “rrezik të konsiderueshëm” në disa rajone malore dhe fushore, përfshirë Vallée de Joux, Delémont-Bellelay, Gersau-Engelbergertal, Sarnen-Lungern dhe Luzern-Aplnacht. Stuhitë e pritura mund të sjellin rrufe, erëra të forta dhe breshër, duke rritur rrezikun për dëmtime materiale dhe rreziqe për sigurinë publike, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet këshillojnë banorët në zonat e prekura të shmangin lëvizjen në afërsi të trupave të ujit, zonave të hapura dhe vendeve të ekspozuara ndaj rrufeve, si kodrat, pemët dhe hapësirat pa mbrojtje.

Ndërkohë, niveli i paralajmërimit është rritur në shkallën e dytë më të lartë për Val de Travers, ku autoritetet kanë shpallur një “rrezik të madh” për stuhira deri në orën 21:00.

Institucionet përkatëse po monitorojnë nga afër situatën dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet më të fundit të motit.

Zhduket 14-vjeçarja, babai i saj kërkon ndihmë për ta gjetur

14-vjeçarja nga Fushë Kosova, Besforta Shala është raportuar e zhdukur nga babai i saj, Remzi Shala.

Klankosova.tv ka kontaktuar me prindin e të miturës, i cili ka thënë se vajza e tij ka dalë nga banesa në të cilën banojnë që nga e hëna e kësaj jave, më 26 maj të këtij viti.

 

I njëjti shtoi se kur u zgjuan në mëngjes Besforta nuk ishte në banesën e saj.

“Rastin e kam lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës, kur jemi zgjuar në orën 07:00 të mëngjesit të hënën vajza nuk ka qenë aty”, ka thënë Shala për Klankosova.tv.

Ai tregoi se kanë provuar ta kontaktojnë vazhdimisht me të edhe në rrjetet sociale, porse nuk iu ka kthyer përgjigje.

Shala ka kërkuar ndihmën e qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion për vajzën e tij ta kontaktojnë atë në numrin personal: +38345642378.

Rasti i zhdukjes së Besfortës figuron edhe në raportin 24 orësh të policisë. Në të thuhet babai ta ketë raportuar zhdukjen e vajzës gjatë ditës së premte, më 30 maj.

 

“Rruga ‘Nëna Terezë’, Fushë Kosovë 26.05.2025 – Ankuesi mashkull kosovar më 30.05.2025 ka raportuar se vajza e tij ka dalë nga banesa dhe nuk dihet vend ndodhja e saj. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor që mban datën e sotmeI’m

Shkencëtarët paralajmërojnë: Masat mbrojtëse ndaj nxehtësisë po bëhen të pamjaftueshme

Shkencëtarët thonë se katër miliardë njerëz, pothuajse gjysma e popullsisë së botës, kanë përjetuar “të paktën 30 ditë” me nxehtësi ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike nga maji 2024 deri në maj 2025.

Nxehtësia ekstreme ka shkaktuar sëmundje, vdekje, humbje të të korrave dhe mbingarkesë të sistemeve energjetike dhe shëndetësore të tëra shteteve, sipas një raporti të disa organizatave, përfshirë edhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

“Edhe pse përmbytjet dhe uraganet shpesh dominojnë në lajme, nxehtësia është ndoshta fenomeni ekstrem më vdekjeprurës”, thuhet në raport. Në pothuajse të gjitha vendet e botës, numri i ditëve me nxehtësi ekstreme është të paktën dyfishuar, shkruajnë mediat.

Meteorologët me parashikimin për verën e vitit 2025 - na presin thatësira dhe vapë “ferri”

Valët e të nxehtit janë vrasës të heshtur, tha Friederike Otto, profesoreshë e shkencave klimatike në Imperial College në Londër dhe një nga autoret e raportit. Shtresat e varfra dhe popullsitë e cenueshme, si të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, janë më të prekura nga nxehtësia ekstreme.

Ishujt e Karaibeve ishin ndër më të goditurit, me ditë shtesë nxehtësie ekstreme. Porto Riko, një territor i SHBA-ve, përjetoi 161 ditë me nxehtësi ekstreme. Pa ndryshimet klimatike, ato do të ishin vetëm 48.

Temperaturat e larta të regjistruara në Azinë Qendrore në mars, në Sudanin e Jugut në shkurt dhe në Mesdhe korrikun e kaluar nuk do të ishin të mundshme pa ndikimin e ndryshimeve klimatike, thuhet në raport.

Njerëzit po e vërejnë se temperaturat po rriten, por nuk e kuptojnë gjithmonë se kjo është për shkak të ndryshimeve klimatike, tha Rup Singh, shefi i qendrës për urbanistikë dhe atribucion në Qendrën Klimatike të Kryqit të Kuq.

Shkrirja e akullnajave shkaktoi gati 2 cm rritje të nivelit të detit këtë shekull, zbulon një studim

Lexo po ashtuShkrirja e akullnajave shkaktoi gati 2 cm rritje të nivelit të detit këtë shekull, zbulon një studim

Raporti thotë se strategjitë për përgatitjen ndaj valëve të të nxehtit përfshijnë sisteme për monitorimin dhe raportimin e temperaturave ekstreme, ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente, rregullore të reja ndërtimi, zbatimin e rregullave të sigurisë ndaj nxehtësisë në punë dhe përgatitjen e qyteteve për t’i bërë më të qëndrueshme ndaj nxehtësisë.

Nismat urbane për të luftuar nxehtësinë ekstreme tashmë janë bërë të përhapura në disa pjesë të Azisë Jugore, Amerikës së Veriut, Evropës dhe Australisë. Një shembull është nisma për mbjelljen e pemëve në Marsejë, në Francën jugore, për të krijuar më shumë zona me hije.

Por pa reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile, valët e të nxehtit do të vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më të forta dhe më të shpeshta, dhe masat mbrojtëse ndaj nxehtësisë do të humbasin efektivitetin e tyre, thonë shkencëtarët.

Gjykata merr një vendim për Naim Murselin dhe të tjerët

Juristja e medieve, Flutura Kusari, ka bërë të ditur se seanca e radhës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, do të mbahet më 4 qershor.

Kusari tha se seanca në rastin e Liridona Ademajt do të mbahet me fillim nga ora 13:20.

Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, dhe Tom Dodaj.

Në seancën e 31 janarit, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt ishte deklaruar i pafajshëm.

Nuk ndalet ZRRE, paralajmërojnë tjetër shtrenjtim të rrymës

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu thotë se gjatë vitit 2023 dhe 2024 kanë qenë çmimet më të larta të energjisë elektrike.

I pyetur se përse nuk janë informuar bizneset për daljen në treg të lirë të energjisë, për shkak se bizneset kanë shfaqur këtë ankesë, Fejzullahu ka thënë se ky proces është shtyrë që nga vitit 2017.

“Shtyrja në vitin e kaluar ka qenë për deri më 31.03.2025, e kemi shtyrë edhe për dy muaj me qëllimin e vetëm që të përgatiten bizneset edhe për shkak se në muajin qershor ka edhe më shumë oferta”, ka deklaruar Fejzullahu në emisionin emisionin Kallxo Përnime.

Fejzullahu thotë se vendosja e bizneseve në treg të lirë të energjisë është kriter i Bashkimit Europian.

Sipas tij, bizneset janë informuar dhe se ligjërisht është dashur të dalin në treg që nga viti 2017.

Më pas, Fejzullahu ka lutur bizneset që të përgatiten sepse edhe Kosova si shtetet e rajonit, ngadalë do i vendos të gjitha bizneset në treg të lirë të energjisë.

Fejzullahu ka paralajmëruar shtrenjtim të energjisë edhe me vendosjen e taksës së CO2 dhe remonteve në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

“Sapo të vendoset taksa e CO2, do të shtrenjtohet energjia elektrike për të gjithë konsumatorët. Kjo taksë është shtyrë, por do të vendoset. Energjia elektrike do të rritet edhe për shkak të investimeve që do të bëhen në Kosovën A dhe Kosovën B, nëse ato bëhen” – ka deklaruar ai duke shtuar se nuk mund të dihet me saktësi se sa mund të jetë shtrenjtimi.

Tutje ai ka thënë se energjia e KEK-ut është më e lirë se ajo në treg. I pyetur se pse nuk është marr vendim që të mbrohen prodhuesit nga çmimi i lartë i energjisë në treg, Fejzullahu arsyetohet se ky është kriter ligjor i vendosur nga Kuvendi i Kosovës.

“Aty thuhet qartë që të drejtën e furnizimit universal e gëzojnë dy kategori, konsumatorët shtëpiak dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë ose më pak se 50 punëtorë” – ka shtuar ai.

I pari i ZRRE-së thotë se janë institucionet tjera që mund të marrin vendime për të mbrojtur prodhuesit.

“Kuvendi mund të bëj ndryshime ligjore, por nuk i ka bërë që nga viti 2017. Ky proces nuk mund të shtyhet në pafundësi, meqenëse nuk kemi pasë asnjë lëvizje, as nga bizneset e as lëvizje të ndryshimeve në legjislacionin primar”, shton Fejzullahu.

Në rast se Kuvendi bën ndryshime ligjore, Fejzullahu thotë se ZRRE e ka si detyrë që brenda 9 muajve të përgatit legjislacionin sekondar të nevojshëm për implementimin e ligjit./Kallxo.com