15 vjeçari, kosovari më i ri që niset për në Haxh

Leon Begolli, 15-vjeçar, është besimtari më i ri nga Kosova që mëngjesin e së shtunës mori rrugë drejt vendeve të shenjta për ta kryer obligimin e Haxhit.

Për këtë udhëtim shpirtëror që po e realizon, me dy prindërit dhe motrën, djali nga Fushë Kosova është i lumtur e falënderues.

Të njëjtën ndjenjë e patën edhe besimtarët e tjerë që destinacion kanë Qabenë.

Nga Kosova drejt vendeve të shenjta, në grupe të ndara do të udhëtojnë 1576 haxhilerë, ndërsa kthimi i tyre pritet të bëhet në datat 16, 17, 18 qershor 2025.

Zbulohet oferta e VV-së për Anton Qunin

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka rrëfyer mënyrën se si u kontaktua nga Lëvizja Vetëvendosje për të siguruar votën e tij gjatë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.


Ai tregoi se në këmbim iu ofrua pozita e ministrit të Mbrojtjes.

“Kërkohet nga një qytetar i Kosovës në Britani të Madhe, përmes një bashkëluftëtari tim, një njeri shumë i afërt me mua, që të kem një bashkëbisedim pa specifikuar temën apo arsyen. E pyes për fushën, profesionin dhe interesimin. Por më tha ‘komandant’, nuk e di më shumë, e njoh dhe i besoj, thjesht kërkoi të takohet. Ai më tha se ka ndihmuar Kosovën, është qytetar i ndershëm dhe afarist. Me të vërtetë pranova, dhe në takimin e parë më krijoi një përshtypje pozitive”.

“Jo vetëm përshkrimi dhe paraqitja e tij, por edhe kultura e komunikimit ishte në nivel. Gjatë bisedës doli që LDK dhe LVV duan të përafrohen. E dëgjova deri në momentin kur tha se Z. Kurti ka shumë vlerësim të lartë për ty, dhe se ‘e ke të sigurt postin e ministrit të Mbrojtjes’. Atëherë nuk ndihesha mirë, mund të them se u ndjeva edhe i ofenduar”, tha Quni në Klan.

 

TË NGJASHME:

A po e ndryshon LDK-ja qëndrimin për Haxhiun kryeparlamentare? Ja çfarë u konfirmua sot

 

 

Çifteve që duan fshatin, Maqedonia e Veriut u jep 100 mijë euro

Çiftet e reja që kanë braktisur jetën në fshat në Maqedoninë e Veriut, së shpejti mund të kenë një arsye të fortë për t’u kthyer në vendlindje.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po planifikon të stimulojë qëndrimin dhe kthimin e të rinjve në zonat rurale përmes një mbështetjeje financiare që arrin deri në 100 mijë euro. Kjo ndihmë parashihet në një ligj të ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural, i cili aktualisht ndodhet në fazën e shqyrtimit publik.

Sipas këtij projektligji, përfitues do të jenë çiftet e reja deri në moshën 40 vjeç, të cilët vendosin të ndërtojnë një të ardhme në fshat dhe të merren me bujqësi për të paktën 10 vitet e ardhshme.

Ndihma financiare nuk është e kufizuar vetëm për çiftet – parashihet edhe mbështetje për të rinjtë që duan të nisin një biznes të ri në zonat rurale. Edhe në këtë rast, shuma maksimale e përfitimit është 100 mijë euro.

A po e ndryshon LDK-ja qëndrimin për Haxhiun kryeparlamentare? Ja çfarë u konfirmua sot

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar se pret që edhe nesër të ketë konstituim të Kuvendit të Kosovës, që i bie të jetë seanca e 23-të që mbledh legjislaturën e nëntë për të vazhduar me hapat tutje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.


Në KlanKosova ai ka theksuar se do të ketë ripërsëritje të çështjeve të seancave të kaluara, duke mos u votuar propozimi për kryetar të Kuvendit si dhe për mos u bërë konstituimi.

“Nuk presim gjë, për derisa nuk ka asgjë të re, asnjë risi, në marrëdhëniet ndërpartiake bisedimet e tjera marrëveshjet paraprake. Unë besoj se edhe nesër do të jetë një ripërsëritje se skenareve të seancave të kaluara”, ka thënë Quni.


TË NGJASHME:

A po e ndryshon PDK qëndrimin për Haxhiun si kryeparlamentare? Ja çfarë u konfirmua sot

 

 

Gjendet pa shenja jete një burrë në Varagë, dyshohet për vetëvrasje

Një rast i rëndë është raportuar të ketë ndodhur të mërkurën në fshatin Varagë e Poshtme të Zubin Potokut, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në rrethana të dyshimta, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 13:25, stafi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok ka njoftuar autoritetet për një person që dyshohej se ishte pa shenja jete.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Atje, është gjetur viktima B.R., 55-vjeçar, i cili dyshohet se është vetëvarur në ballkonin e shtëpisë së tij. Mjekët kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “vdekje e dyshimtë”.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të plota të ngjarjes.

Kosova preket nga të nxehtit afrikan! Ja kur nisin ditët e nxehta verore

Duke filluar nga kjo fundjavë, e veçanërisht të dielën më 1 qershor, rajoni i Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe veçanërisht Maqedoninë e Veriut, pritet të përfshihet nga një valë ajri të ngrohtë që vjen nga Afrika.

Kjo do të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave, duke sjellë temperaturat e ajrit të verës.

Në fundjavë, në Kosovë temperaturat do të shkojnë deri në 26 gradë, ngjashëm do të jetë edhe në Maqedoni.

Nga e diela, temperaturat në rajon do të jenë si të verës, duke u ngjitur në intervalin 20-28 gradë Celsius.

Nesër do të mbyllen hyrjet kryesore të Prishtinës

Të enjten e 29 majit hyrjet kryesore të Prishtinës do të mbyllen për dy orë nga bizneset, në shenjë proteste ndaj liberalizmit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

Në një kërkesë për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme që tranzicioni të ndikojë sa më pak në sektorin privat.


Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të bllokohen këto hyrje të Prishtinës.

Lokacionet e bllokimit:

Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

Hyrja nga Fushë-Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini tower) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.


Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.

Nëse kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta me kohëzgjatje deri në 4 orë dhe bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.

“Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë. Por sipas Odës Ekonomike, në treg të lirë janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta.

Serbët protestojnë në Leposaviq

Para palestrës sportive në Leposaviq, të cilën organet komunale të Kosovës e morën dje nga organet paralele serbe nën juridiksionin e tyre dhe ndërruan bravën e derës hyrëse, sot është mbajtur një protestë.

Rreth orës 10:00, aty u mblodhën përfaqësues të klubeve sportive serbe, të cilët deri dje aty ushtronin me fëmijët.

Atyre iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë për të përkrahur protestën, transmeton Paparaci.

Një nga përfaqësuesit e klubit sportiv ka deklaruar: „Jemi këtu të tregojmë pakënaqësinë për mbylljen e palestrës dhe “mohimin e të drejtës” që fëmijët tanë të merren me sport“, raporton Kossev

Në protestë morën pjesë edhe fëmijët, prindërit e tyre dhe trajnerët.

Në afërsi të objektit, si dhe përpara tij, ndodheshin patrulla të Policisë së Kosovës.

Të tubuarit, në shenjë pakënaqësie, fishkëllenin dhe thërrisnin „Ua“.

Siç konfirmoi një nga të pranishmit për KoSSev, protesta sapo ka përfunduar. Megjithatë, para palestrës sportive kanë mbetur ish-punëtorët e organeve ilegale serbe.

E rëndë: Ky është mërgimtari që humbi jetën tragjikisht në Itali, ishte duke shkuar në punë

Ai vdiq menjëherë teksa po shkonte në punë, i goditur nga makina e një studenti që kishte dalë jashtë kontrollit. Edmond Gjoci, 39 vjeç, banues në Tuoro të Italisë, i martuar dhe baba i një vajze 5-vjeçare, po ecte në buzë të rrugës rajonale 71 në Riccio.

Një “Lancia Y” u përplas mbi të dhe e rrëzoi përtokë si një birilë. Në tragjedinë që ndodhi këtë mëngjes në orën 7:45, ekziston hija e një shpërqendrimi fatal, kur fatet e një nxënësi 19-vjeçar të shkollës së mesme nga zona dhe një punëtori ferme u kryqëzuan në mënyrën më të tmerrshme.

I riu, i nënshtruar testeve, rezultoi negativ për alkool dhe çdo substancë tjetër. Kështu, midis hipotezave që po shqyrtohen nga Karabinierët, përveç sëmundjes së papritur, një avarie motorike ose një ngjarjeje të paparashikuar, ekziston edhe mungesa e përqendrimit gjatë drejtimit të automjetit.

Ndoshta për një kontroll të parëndësishëm, për të parë celularin, ose për diçka tjetër. Por për momentin nuk ka asgjë të sigurt në hetimin e hapur në mënyrë të pashmangshme nga prokuroria për vrasje rrugore. Përveç se, në fakt, këmbësori humbi jetën menjëherë dhe makina e vogël gri përfundoi jashtë rrugës pas përplasjes. Ai gjithashtu goditi një tabelë anës rrugës.

Që nga rindërtimi i parë i dinamikës, studenti e përshkonte të gjithë karrexhatën në mënyrë diagonale: vinte nga ana e Terontolës dhe po shkonte në drejtim të Cortonës. Makina dhe telefoni celular u sekuestruan. 39-vjeçari nga Trasimeno, me origjinë nga Shqipëria, por që jetonte në Tuoro prej rreth dhjetë vitesh, një person i thjeshtë dhe i njohur, vuri re vetëm automjetin që po shkonte drejt tij, por pa shmangur përplasjen fatale. Ai nuk arriti ta shpëtonte veten.

Ishte në buzë të rrugës së ngarkuar, pasi kishte mbërritur me autobus nga shtëpia: kishte një takim për të shkuar në punë, me sa duket në Pergo. Kur mbërritën makina mjekësore Alfa 3 dhe ambulanca, Edmond Gjoci ishte tashmë i vdekur.

Pas intervistimit disa orësh, reagon Peci: Mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit disa orësh që e pati dje nga organet hetuese.

“Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, miq e familjarë;

U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!

Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.

Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.

Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!