Tërmet i fuqishëm në Kretë, alarmohet për një cunami

Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë goditi mëngjesin e sotëm brigjet verilindore të Kretës, duke tronditur pothuajse gjithë ishullin grek dhe duke shkaktuar përkohësisht alarm për cunami.

Epiqendra e tërmetit u lokalizua rreth 58 kilometra në verilindje të qytetit bregdetar të Eloundës, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Tërmeti ndodhi në det të hapur, në orën 03:19 të mëngjesit (me orën lokale), në një thellësi prej 68.9 kilometrash.

Qendra Sizmologjike Euromesdhetare raportoi se ngjarja kryesore u pasua nga disa pasgoditje, përfshirë një lëkundje të fortë pranë bregdetit të Malias. Në Heraklion, lëkundjet u ndjenë të forta dhe zgjatën disa sekonda, ndërsa pasgoditja kryesore u përjetua për afro një minutë.

Autoritetet greke lëshuan menjëherë një alarm për cunami, duke paralajmëruar banorët dhe turistët të qëndronin larg vijës bregdetare, derisa të kalonte rreziku. Deri tani nuk ka raportime për dëme materiale apo të lënduar.

Tërmeti i sotëm vjen vetëm një javë pas një tjetër tërmeti me magnitudë 6.0 ballë që ndodhi në brigjet lindore të Kretës, pranë ishullit Fry. Ekspertët kanë vërejtur një rritje të aktivitetit sizmik në zonën e Egjeut Jugor, përfshirë edhe afërsinë me Santorinin.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa sizmologët paralajmërojnë për pasgoditje të mundshme në orët dhe ditët në vijim.

Ekskluzive: Ky është 68 vjeçari që u hodh nga kati i tretë në spitalin e Mitrovicës së Veriut

Gazeta Sinjali raportoi më parë për një ngjarje tragjike që ka ndodhur mbrëmë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Veriut, ku një pacient ka humbur jetën pasi është hedhur nga kati i tretë i objektit spitalor.

Sinjali mëson se rasti është raportuar më 21 maj 2025, rreth orës 23:30, kur Policia e Mitrovicës Veri është njoftuar nga sigurimi spitalor për një incident të rëndë brenda klinikës.

Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima quhetLjubi Miho Bakmaz, 68 vjeçar, ku njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar vdekjen e një pacientit.

Sipas deklaratës së doktoreshës Bojana Bojković, ngjarja ka ndodhur në repartin e internos. Ajo ka treguar se gjatë vizitës në një dhomë tjetër, ka dëgjuar hapjen e një dritareje dhe kur është afruar në dhomën përballë, ka parë viktimën duke u hedhur nga një lartësi prej rreth 15 metrash.

Personeli mjekësor ka ndërhyrë menjëherë, por viktima ka qenë pa shenja jete. Sipas spitalit, pacienti ishte pranuar më 19 maj pas një infarkti në zemër, ndërsa gjithashtu ishte evidentuar si person me gjendje të rënduar mendore.

Deklaratë shqetësuese nga ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë: Edhe kaq muaj i kanë mbetur jetë Bidenit

Një deklaratë e rrallë dhe shqetësuese vjen nga Dr. Ronny Jackson, ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë, i cili në një intervistë ekskluzive për Washington Free Beacon tha se ish-presidenti amerikan, Joe Biden ka vetëm 12 deri në 18 muaj jetë.

“Megjithëse kjo nuk është fusha ime e specializuar, kam konsultuar shumë urologë pas daljes së lajmit dhe të gjithë ata kanë arritur në të njëjtin përfundim”, tha Dr. Jackson.

Ai theksoi se bazuar në informacionet që ka dhe analizat e mjekëve specialistë, perspektiva për jetën e 82-vjeçarit është e kufizuar në këtë periudhë kohore.

Megjithatë, Dr. Jackson nuk ka humbur shpresën “se trajtimi do të jetë efektiv dhe që presidenti Biden të jetojë shumë më gjatë se sa parashikimet e tanishme”.

 

 

Ai nënvizoi rëndësinë e trajtimeve të avancuara dhe përkujdesjen intensive mjekësore që ish-lideri amerikan po merr aktualisht.

Kjo deklaratë vjen në një moment kritik, teksa publiku dhe komuniteti politik po ndjekin me vëmendje shëndetin e presidentit më të moshuar në historinë amerikane.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar drejtpërdrejt për këtë deklaratë, mediat po vazhdojnë të kërkojnë informacione të mëtejshme për gjendjen shëndetësore të Biden.

Grabitje si në filma në zemër të Prishtinës – Tre persona të maskuar marrin peng rojen dhe grabisin kasafortën e kompanisë

Njé grabitje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në pikën e IPKO-s në Sheshin “Nëna Terezë”, ku një kasafortë me pajisje elektronike dhe para të gatshme u mor nga tre persona të maskuar. Por, përveç dëmit material, ajo që e bën rastin edhe më të rëndë është se grabitësit morën peng rojen e sigurimit, pjesëtarin e Besa Security, Milaim Krasniqi, derisa realizuan grabitjen.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda kompanisë së sigurimit, të cilat janë në dijeni të deklaratës që Krasniqi ka dhënë më pas në Polici, ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit, teksa ai ndodhej jashtë objektit duke pirë cigare. Në atë moment, tre persona të veshur me të zeza dhe jelekë reflektues iu afruan dhe e kapën për qafe, duke e tërhequr zvarrë deri në kuzhinën e objektit.

“Më kapën nga pas për qafe dhe më tërhoqën zvarrë në brendësi të lokalit. Më mbajtën me kokën poshtë gjatë gjithë kohës, nuk më lejuan të shoh asgjë,” mësohet të ketë deklaruar roja.

Ndërkohë që ai mbahej peng, grabitësit depërtuan në zyrat e brendshme, ku lokalizuan dhe morën kasafortën e IPKO-s, për të cilën dyshohet se përmbante sasi të konsiderueshme parash, telefona të rinj dhe mbushje elektronike. Ata e kanë transportuar kasafortën përmes një karroce të vogël dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, në drejtim ende të paidentifikuar.

Pasi autorët u larguan, roja ka kontaktuar shefin dhe më pas ka njoftuar Policinë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Forenzikën dhe hetuesit. Ndërkohë, Prokuroria ka autorizuar që rasti të procedohet për hetim si “Grabitje”.

Policia ka arritur të identifikojë veturën e dyshimtë që u përdor në ikje dhe hetimet janë në zhvillim për kapjen e autorëve të këtij akti të rëndë kriminal, i cili ndodhi në një nga pikat më të frekuentuara dhe të ndjeshme të kryeqytetit.

Megjithatë, rasti mund të transferohet për hetim tek Krimet e Rënda, me saktësisht tek njësiti kundër grabitjeve, në mënyrë që të analizohen pamjet e siguruara, të bëhet krahasimi me grabitje të tilla në të kaluarën dhe po ashtu, të intervistohen sërish pjesëtari i sigurimit dhe zyrtarë tjerë që kanë informacion për lartësinë e dëmit dhe të dhënat për telefonat e grabitur.

Papa i ri vazhdon traditën e vjetër: Nuk e njohim Kosovën

Papa Leon i katërmbëdhjetë emëroi Luigji Bianko si Nunc Apostolik në Slloveni dhe Delegat Apostolik në Kosovë. Kështu raporton media e Vatikanit, që saktëson se Selia e Shenjtë vazhdon me politikën e vjetër ndaj Prishtinës zyrtare.

“Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe në të kaluarën ka mbështetur dialogun dhe moderimin në konfliktin me Serbinë. Rajoni, i cili është i banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Nga afërsisht një milion e gjysmë banorë, rreth 250 mijë kosovarë i përkasin Kishës Katolike, shumica prej të cilëve shqiptarë etnikë”, shkruan media Vatican News. Selia e Shenjtë thekson se situata mes Kosovës dhe Serbisë është stabilizuar kryesisht pas luftës, shkruan A2 CNN.

“Megjithatë, kohët e fundit ka pasur raste të përsëritura dhune dhe konflikti, veçanërisht në veri të Kosovës, e cila është kryesisht e populluar nga serbët. UNESCO e konsideron trashëgiminë kulturore ortodokse të krishterë të Kosovës si nën kërcënim”, lexohet në lajmin e Vatican News.

Kriza politike në vend, PDK mban mbledhjen e kryesisë, marrin këtë vendim

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku ka diskutuar krizën politike të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

PDK vlerëson se Kosova po përballet me një bllokadë të rrezikshme institucionale, për të cilën përgjegjësi ka koalicioni i partive që kanë dalë të parët në zgjedhje, LVV, Guxo dhe Alternativa – që, në mungesë të shumicës parlamentare, kanë marrë peng themelimin e institucioneve të reja, legjitime dhe demokratike.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ritheksuar në takimin me Presidenten më 15 maj se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që kanë qenë në opozitë, për të rikthyer stabilitetin dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ai ka njoftuar se i ka kërkuar Presidentes që t’i drejtohet me pyetje kushtetuese Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kandidatit për kryetar/e Kuvendi, me qëllim që të sqarohen pozicionet institucionale dhe juridike në këtë situatë.

Kryetari Krasniqi informoi Kryesinë edhe për takimin që ka zhvilluar me Kryetarët e Degëve të PDK-së, me qëllim të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Ai ka vlerësuar lart angazhimin dhe punën e tyre në funksion të organizimit sa më efikas dhe të suksesshëm të strukturave të partisë nëpër të gjithë vendin.

Në përmbyllje të mbledhjes, Kryesia e PDK-së ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë për refuzimin e kërkesës për lirimin me kusht të z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi.

“PDK vlerëson se, pas përfundimit të fazës së prokurorisë dhe në mungesë të rrezikut për ndikim në proces, lirimi me kusht ka qenë një e drejtë e pritshme dhe e arsyeshme, ndërsa refuzimi i saj përbën mohim të një të drejte themelore, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të drejtësisë”, thuhet në njoftimin për media.

Një autoambulancë shihet në oborrin e Qeverisë së Kosovës

Një autoambulancë është parë të mërkurën pasdite në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas raportimeve, aty është alivanosur një person. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30.

Fotografitë janë publikuar nga portali “Magazina“.

Haradinaj i përgjigjet Kurtit me tallje: Pa Guxon dhe Alternativën, VV s’do e kalonte pragun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ndër të tjera ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, para seancës konstituive.

Haradinaj ka komentuar deklaratën e Kurtit, i cili tha se Nisma Socialdemokrate ia ndihmoi AAK’së ta kalonte pragun, shkruan Insajderi.

I pari i AAK’së u tall me këtë deklaratë, duke thënë se kjo është njëjtë si të thuhet se Lëvizja Vetëvendosje s’do ta kalonte pragun pa ‘Guxo’ dhe Alternativën.

 

 

“Besoj që si Vetëvendosje e ka kalu pragun falë Nismës Guxo dhe Alternativën, pa Alternativën dhe Listën Guxo s’e kish kalu pragun”, deklaroi shkurtimisht ai.

Republikanja publikon videon: Ish-i fejuari më filmoi lakuriq pa pëlqimin tim

Republikanja Nancy Mace ndau një foto të asaj që e përshkroi si një “siluetë të zhveshur” të vetes, të cilën ajo tha se ishte bërë pa pëlqimin e saj, ndërsa rinovonte akuzat për abuzim seksual kundër shumë burrave, përfshirë ish-të fejuarin e saj, gjatë një seance dëgjimore të nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të martën.

Katër burrat që Mace i ka akuzuar për krime kanë mohuar vazhdimisht shkeljet, transmeton Telegrafi.

Republikanja e Karolinës së Jugut e paraqiti dëshminë e saj si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë, për të avokuar për mbrojtje më të forta ligjore për viktimat e regjistrimit jo konsensual dhe sjelljes së keqe seksuale.

Momenti i jashtëzakonshëm nga një anëtare në detyrë e Kongresit erdhi gjatë një seance dëgjimore për nënkomitetin e Sigurisë Kibernetike, Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit Qeveritar të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilin Mace e kryeson, të titulluar “Shkelja e Besimit: Mbikëqyrja në Hapësirat Private”.

“Do të vrapoja përmes një muri me tulla për të mbrojtur gratë dhe vajzat në Karolinën e Jugut dhe viktimat e tjera të mundshme. Dua që ju të dini se unë ju mbështes”, tha Mace gjatë fjalimit të saj.

Së bashku me foton e saj, Mace paraqiti një seri imazhesh të censuruara të grave, të cilat ajo pretendoi se ishin nxjerrë nga regjistrimet që i përkisnin ish-të fejuarit të saj dhe sipërmarrësit të teknologjisë nga Charleston, Patrick Bryant – i cili i ka mohuar akuzat e Mace.

Mace tha gjithashtu se fotot e grave të paidentifikuara janë bërë pa pëlqimin e tyre.

Në një deklaratë për POLITICO të martën, Bryant i quajti akuzat që Mace bëri gjatë seancës dëgjimore “të rreme” dhe “skandaloze”.

“Nuk kam përdhunuar kurrë askënd. Nuk kam fshehur kurrë kamera. Nuk kam dëmtuar kurrë asnjë grua. Këto akuza nuk janë thjesht të rreme – ato janë keqdashëse dhe thellësisht personale”, tha Bryant.

“Nancy Mace i bëri këto pretendime vetëm ndërsa qëndronte në Kongres, gjoja e mbrojtur nga imuniteti ligjor. Nëse ajo i besonte ato si të vërteta dhe kishte prova për të mbështetur akuzat e saj, ajo do t’i thoshte ato jashtë dhomës – larg rolit dhe mbrojtjes së saj publike dhe do t’i ndiqte ato përmes kanaleve të duhura ligjore. Ajo nuk e ka bërë këtë, sepse nuk mundet”, vazhdoi Bryant.

Dëshmia e Mace vjen pas një fjalimi në Dhomën e Përfaqësuesve që ajo mbajti në fillim të shkurtit, ku akuzoi Bryant dhe tre burra të tjerë për përdhunim, trafikim seksual dhe regjistrim të akteve seksuale me të dhe të tjerë pa pëlqimin e saj.

Beteja ligjore kanë dalë nga akuzat e saj. Mace përballet me një padi për shpifje të ngritur nga njëri prej burrave që ajo akuzon, e cila u ngrit në mars në gjykatën federale.

Më herët këtë muaj, një avokat nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Karolinën e Jugut i tha gjykatës se ai do të përfaqësonte Mace, një shenjë se Mace ka të ngjarë të pretendojë se fjalimi i saj është i mbrojtur sipas një klauzole në Kushtetutë, që ofron një mburojë ligjore për anëtarët e Kongresit për veprimet e ndërmarra si pjesë e roleve të tyre si ligjvënëse.

Mace gjithashtu paditi një nga burrat e tjerë të akuzuar në gjykatën shtetërore më herët këtë muaj, duke pretenduar se ai “e shpifi në mënyrë të përsëritur dhe keqdashëse” atë në mediat sociale. /Telegrafi/

 

Raportohet se një 14-vjeçare u rrëmbye nga katër persona, detaje

Një rast i rëndë është raportuar në orët e para të mëngjesit të 21 majit, në Fushë Kosovë, ku një vajzë rreth 14-vjeçare (emër i njohur për redaksinë), dyshohet se është rrëmbyer nga katër persona të panjohur.

Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 00:30 është pranuar informacioni për një rast të dyshuar rrëmbimi. Në vendin e ngjarjes, në rrugën “Dardania”, Policia ka kontaktuar me nënën e viktimës, e cila deklaroi se e kishte parë vajzën e saj brenda një veture të dyshimtë.

Kur ajo ishte afruar, vetura kishte lëvizur me shpejtësi, duke e goditur ankuesen, e cila më pas është dërguar për trajtim në QKUK.

Pasi ka kaluar mbi një orë, vajza e mitur është paraqitur në Emergjencën e Prishtinës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është intervistuar nga Policia.

Ajo deklaroi se ishte marrë me forcë nga katër persona në rrugën “Pajazit Islami” rreth orës 00:10 dhe gjatë rrëmbimit ishte prekur në pjesën e qafës dhe duarve, përpara se të lirohej rreth një orë më vonë. Sipas raportit mjekësor, ajo nuk ka pësuar lëndime fizike.

Hetuesit kanë identifikuar veturën e dyshuar, ndërsa Prokurorja kujdestare për të mitur, ka autorizuar që rasti të procedohet si vepër penale “Rrëmbimi”. Hetimet janë në vazhdim.