Haxhia më i vogël shqiptar: Në moshën 5 vjeçare është nisur për në Haxh

Haxhia më i vogël në moshë që sot është nisur për në Haxh është Xhuhejni 5 vjeçar nga fshati Zhelinë.

Përndryshe 479 besimtarë mysliman u nisën nga Tetova për në HAXH.

Myftia i Tetovës, Selver Xhemaili tha se këtë vitë haxhiu më i ri nga Tetova është një 5-vjeçar kurse më i vjetri 80-vjeçar!/Tetova1

Aksident i rëndë në Prishtinë – motoçikleta goditet nga vetura, një 13-vjeçar në gjendje kritike

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:20 në udhëkryqin e rrugëve “Xhelal Hajra” dhe “Murat Xhakaj” në Prishtinë, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë, me pasoja serioze për jetën e një të mituri.

Sipas burimeve nga organet e rendit, në aksident janë përfshirë: Një veturë tip Volkswagen Golf, e drejtuar nga B. H. dhe një motoçikletë Yamaha, e drejtuar nga E. C. me pasagjer E. C..

Të dy të rinjtë që ndodheshin në motoçikletë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor. Pasagjeri, i moshës 13-vjeçare, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pa vetëdije dhe në trajtim intensiv.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, përfshirë njësinë e hetimeve të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, të cilët kanë kryer ekzaminimet teknike dhe procedurat e nevojshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, shoferi i veturës është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësinë në këtë aksident të rëndë.

Plagoset nga arma e zjarrit një 19-vjeçar – gjendet me plumb në gjoks, dërgohet në QKUK

Gazeta Sinjali mëson nga burime brenda sistemit të drejtësisë se një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Vrellë të Istogut, ku një i ri ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.

Bëhet fjalë për A. M. 19-vjeçar, i cili është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Pejës me plagë në gjoks të shkaktuar nga arma e zjarrit. Sipas mjekut kujdestar, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, megjithatë plumbi ka mbetur në trup dhe për këtë arsye është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar nga Spitali tek Policia. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat lidhen me incidentin.

Dy dëshmitarë janë intervistuar në vendin e ngjarjes dhe kanë deklaruar se kishin dëgjuar një krismë dhe menjëherë më pas kishin shkuar në dhomën e të riut ku e kishin gjetur të plagosur. Ata e kishin transportuar me urgjencë drejt spitalit.

Rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe pas intervistimit të të plagosurit në QKUK, prokurorja kujdestare për krime të rënda do të vendosë për veprimet e mëtejshme.

Ndonëse akoma nuk është i njohur motivi dhe shkaqet që çuan në këtë incident, autoritetet po trajtojnë edhe tentativën e vetëvrasjes si pistë hetimi.

Tri takime me Kurtin, Limaj: Arritëm dakordim gojor…

Lideri i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka pranuar se me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në takimin e parë, kishin një dakordim.

Siç u shpreh ai, Kurti i kishte ofruar Nismas, që të jetë pjesë e qeverisë, por Limaj e ka refuzuar, duke i kërkuar partneritet në nivel kuvendi, transmeton klankosova.tv.

”Në fund kena pasë një dakordim gojor. Ne të dy. Unë dhe Kurti”.

”Ai mbet me diskutu me partner të vet, unë me partinë time. Ne s’kemi pasë marrëveshje me shkrim”, shprehej ai ndër tjera t7, transmeton klankosova.tv.

”Nuk u ndjeva keq që e propozuan Haxhiun, sepse s’kishim marrëveshje të shkruar”, ka shtuar ai.

“Dy deputetë nga LDK dhe PDK do ta votojnë Haxhiun si kryeparlamentare”

Deputeti i Guxo-s, pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka deklaruar se kjo javë do të sjellë zhvillime pozitive lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

i tha se janë shënuar lëvizje pozitive nga figura politike si Fatmir Limaj, si dhe nga deputetë të veçantë që mund të ndihmojnë në zhbllokimin institucional.

“Besoj që kjo javë që po fillon ka me pru rezultate, ka me pru lajme të mira. Prej nesër e tutje do të kemi lajme pozitive,” u shpreh Avdyli, duke shtuar se “nuk mund të them nesër, nuk mund të them pas dy dite, por këtë javë… do ta kemi zhbllokimin, do ta kemi kryeparlamentarin”, tha ai në DPT te Fidani.

Ai përmendi edhe qëndrimin e Lutfi Hazirit, duke thënë: “Lutfi Haziri ka thënë që nëse i kanë 60 vota, vota ime është 61.”

Sipas tij, edhe dy deputetë të tjerë kanë shprehur mbështetje të ngjashme, megjithatë nuk i përmendi me emra.

Avdyli theksoi se brenda javës priten tri seanca të Kuvendit dhe pret që në njërën prej tyre të ndodhë përparimi i shumëpritur institucional.

Limaj për Qeverinë Kurti: Qeveri e keqe

Kryetari i Nisma socialdemokrate në emisionin Pressing në T7 ka thënë se ai ende beson, se Qeveria Kurti II ka qenë qeveri e keqe.

“Unë besoj që Kosova ka pasur një qeverisje të keqe. Ka pasë nevojë për ndryshime politike. Por rezultati zgjedhor doli ndryshe. Nuk erdhi ndryshimi. Qytetari i Kosovës nuk votoi ashtu siç pritej. Unë kam besuar në ato ‘s’provohet shteti’ e krejt ato që i kam thënë. Anipse qeveria në detyrë lavdërohet. “ – tha ai.
Ish-deputeti, Gramos Agusholli flet pasi u lirua nga autoritetet serbe: Isha me familje në veturë…

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli u lirua sot, pas ndalimit nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdarë, përcjell Insajderi.

Në intervistë për Kanal10, Agusholli bëri të ditur se ndalimi i tij u bë për motive politike.

Ai tha ishte duke shkuar tek një e afërt e tij për tretman mjekësor kur u ndalua për katër orë nga autoritetet serbe.

Mirë, çdo gjë është mirë. Nuk ka pasur ndonjë dhunë fizike ose diçka. Nga ora nëntë kur isha duke kaluar pikëkalimin kufitar në Merdar, në rrugëtimin ku një e afërt e imja ka pas një tretman mjekësor me marr… U ndalova prej autoriteteve serbe, së pari na lanë me prit në veturë ku isha me familje diku afër tri orë. Pastaj më morën në pyetje në ato zyret e tij, pyetje që zgjatën afër katër orë. Interesimi i tyre ka qenë angazhimi im politik si dhe angazhimi i familjarëve të mijë në Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës.  Arsyeja kryesore e ndalimit ishte angazhimi im politik në Lëvizjen Vetvendosje, ku u pyeta për çdo gjë, si me afërsinë me kryeministrin e me anëtarët tjerë. Edhe prej pyetjeve që i kisha prej tyre, të jepke me ditë që ajo ka qenë motivi kryesor. Në zyret e tyre afër katër orë më kanë mbajt”, deklaroi ai. 

Mehmetaj akuzon Kurtin për lidhje me mafian energjetike: Kosova, epiqendër e krimit në Ballkan

Gazetari Lirim Mehmeta ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar Kosovën si epiqendër të mafias energjetike në Ballkan, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Mehmetaj shkroi se qindra miliona euro po vidhen nga qytetarët dhe po derdhen në, siç e quajti ai, “trafostacionin e grupit kriminal para-politik që njihet si Lëvizja Vetëvendosje”.

“Albin Struja e ka shndërruar Kosovën në epiqendër të mafias energjetike në Ballkan. Nga Greqia me Dejona Mihailin, me NOA-n e Gentian Sules në Shqipëri, Nagip Krasniqin në Kosovë e Martin Berishajn në Serbi, rrjeti i mafias energjetike është shtrirë në gjithë rajonin”, u shpreh Mehmetaj.

Ai akuzoi gjithashtu qeverisjen aktuale se ka shfaqur “një tjetër lloj harbutërie” duke “rrëmbyer dhe plaçkitur gjithçka” nën petkun e patriotizmit.

U ndalua nga autoritetet serbe, lirohet ish-deputeti Gramos Agusholli

Ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, është liruar nga autoritetet serbe pasi ishte ndaluar mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Agusholli ka vazhduar udhëtimin e tij drejt Sllovenisë pas lirimit.

MPJD ka shprehur shqetësimin për ndalime të tilla të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj veprimeve që, sipas ministrisë, bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe cenojnë të drejtat e njeriut.

“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës,” thuhet në reagimin zyrtar. Ministria theksoi se ndalimet e tilla përbëjnë praktika represive të cilat duhet të ndalohen./IndeksOnline/

 

Ish-deputeti i VV ndalohet nga Serbia në pikën kufitare të Merdarës

Sot paradite, më 26 maj 2025, Ministria e Punëve të Brendshme është njoftuar për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.

Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.
MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar” thuhet në njoftim.