div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-427 category-paged-427 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Supremja i përgjigjet qeverisë në detyrë: “Ndërhyrje e papranueshme në gjyqësor”

Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë se të gjitha institucionet, përfshirë këtu edhe qeverinë, janë të obliguara të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Supremja ka reaguar pas komunikatës së qeverisë në detyrë lidhur me vendimin për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

Sipas Supremes, reagimi i qeverisë në detyrë përbën ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

Ata janë zotuar se do të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit.

“Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Supremja.

“Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen”.

“Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor. Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit”, thuhet në reagimin e Supremes.

Qeveria në detyrë, në një reagim të martën, e cilësoi arbitrar dhe të ndikuar politikisht aktgjykimin e Supremes, përmes së cilit është anuluar udhëzimi administrativ i nënshkruar nga ministri në detyrë Hekuran Murati.

Sipas Supremes, është e kundërligjshme dhe anti-kushtetuese që ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore, për shkak se të njëjtit nuk mund të shfrytëzojnë pozitën e deputetit dhe të ministrit njëkohësisht.

Gjykata Speciale rrëzon kërkesën e avokatëve: Nuk bie poshtë asnjë prej akuzave ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale ka vendosur të rrëzohet mocioni i mbrojtjes së krerëve të UÇK-së, duke lënë në fuqi të gjitha akuzat.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kishte kërkuar rrëzimin e akuzave lidhur periudhën e aktakuzës.

Sipas avokatëve, në Kosovë nuk ka pasur konflikt pas qershorit 1999, dhe para fundit të majit 1998.

Si rezultat, ata kishin kërkuar të rrëzohen akzuat për incidente që janë kryer para ose pas këtyre datave.

Sipas vendimit, nëse kërkesa do të aprovohej, do të shktaktonte fragmentarizimin e rastit.

E dhimbshme: Sot i jepet lamtumira e fundit 21 vjeçares nga Kosova që vdiq në Gjermani

Yllka Hoti, e cila vdiq pas një aksidenti në Gjermani, do të varroset sot në fshatin Hoçë e vogël e Rahovecit.

Ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 16:00.

Ngjarja tragjike ka ndodhur më datë 10 korrik në autostradën B28 mes Metzingen dhe Reutlingen.

Sipas njoftimit të policisë së Reutlingenit, automjeti i saj doli nga rruga, u përmbys disa herë dhe ajo mbeti e plagosur rëndë.

21 vjeçarja nuk mundi t’ju bëjë ballë plagëve dhe vdiq të shtunën mbrëma më 12 korrik.

Konvertohet në krishter qytetari nga Prishtina: Kështu u ndjeva krenar edhe kur shkova në UÇK

Qytetari Bekim Shulemaja nga Prishtina, ka bërë të ditur se sot është konvertuar nga musliman në të krishterë.

Ai ka njoftuar se pagëzimin e ka kryer në Kishën e Llapushnikut.

“Nga sot quhem Bekim Gjergj Shulemaja.

Perveq kur na ka kerku atdheu ne UÇK-ë, per se dyti herë ndihem krenar qe zgjodha rrugen e drejt!”, ka shkruar Shulemaja në Facebook.

Ai ka shtuar se ndjehet shumë mirë shpirtërisht.

“Aty ku është Gjuha Shqipe, Flamuri Kombëtar, Tradita, Kultura Shqipe, Patriotizmi, Atdhedashuria është dhe feja Katolike”, ka shtuar ai

Tronditëse: Dy të rinj rrahin prindërit e tyre në Pejë, i bëjnë për spital

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste të ndryshme, ku përfshihen burra e gra, prindërit e fëmijët. Kështu ndodhi së fundmi në një familje në Pejë.

Sinjali mëson se një rast i rëndë i dhunës në familje, që ka përfunduar me lëndime fizike serioze, ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Jabllanicë e Leshanit në Pejë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 15 korrik 2025, rreth orës 16:00, Policia është njoftuar për një incident të dhunshëm në një familje, ku pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes, kanë hasur në një situatë të tensionuar.

Sipas informatave, i dyshuari B.D., rreth 21-vjeçar dhe motra e tij A.D., rreth 22-vjeçare ishin përfshirë në një përleshje me prindërit e tyre, ku pas konfliktit verbal ka pasuar kontakti fizik.

Gjatë incidentit, babai A.D., rreth 49-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa edhe nëna V.D., rreth 44-vjeçare ka përfunduar me lëndime të dukshme, për çka të gjithë janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Pejë

Pavarësisht lëndimeve, burimet tregojnë se viktimat kanë deklaruar se nuk ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë të kthehen në shtëpi.

Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj B.D. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti është cilësuar si: “Dhuna në familje”, “Lëndim i rëndë trupor”, dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Hetimet po vazhdojnë nga njësia përkatëse hetimore.

Sytë kah Haga, sot vendimi i madh për ish-krerët e UÇK-së

Sot në Gjykatën e Hagës, me fillim nga ora 09:00 do të bëhet publike vendimi në lidhje me mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të Aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

Tashmë kanë kaluar një muaj që kur mbrojtja e ish-lrerëve të UÇK-së, e dorëzuar këtë Mocion, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte afat deri më 14 korrik, megjithëse kundërpërgjigjen e kishte çuar në adresë të Gjykatës më 7 korrik.

Kjo do të jetë hera e parë ku do të mund të shihet se ku qëndron Trupi Gjykues në raport me Thaçin dhe të tjerët, dhe në raport me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Specializuar.

Haziri – Memli Krasniqit: Jo 19, por 20 vota t’i japim…

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të ofrojë votat për kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në përpjekje për të dalë nga bllokada institucionale, por ka shprehur dyshime të mëdha nëse do të arrihej një shumicë e qëndrueshme.

Sipas tij, edhe nëse PDK siguron 20 vota, sërish kjo nuk do të mjaftonte për formimin e institucioneve të reja, pasi mungon vullneti për bashkëpunim nga partia e parë në vend.

“Nuk ka vullnet për bashkëpunim për të dalë nga kjo situatë nga partia e parë. Të tjerët janë të pa mjaftueshëm me ba në emër të partisë së parë. Jo 19, po 20 vota [Memli Krasniqit] se nuk duhet me nda vullnetin e një deputetit që e ka votën kundër për diçka, ne duhet të llogarisim në të gjithë”, tha Haziri në KlanKosova.

Ai shtoi se në këtë periudhë politike është e vështirë të mbizotërojë racionaliteti dhe se vendimet shpesh udhëhiqen nga qëllime politike.

“Më së vështiri është me qenë racional në këtë kohë, në jetë e politikën tonë. Nuk ka të bëjë krejt me racionalitet, këtu është edhe dëshira politike. Pritjet që partia e dytë me marrë mandatin prej presidentit për me kriju shumicën është e natyrshme, por jo e domosdoshme. Pra, presidentja mundet t`ia japë mandatin kujtdo që e formon shumicën, partisë së dytë, tretë. Nuk e jep sy mbyllur mandatin por kush e dëshmon që e ka shumicën”, deklaroi ai.

E rëndë: Kjo është 21 vjeçarja nga Kosova që vdiq aksidentalisht në Gjermani

Një 21-vjeçare nga Kosova ka ndërruar jetë në Reutlingen të Gjermanisë, pasi vetura e saj u përfshi në një vetaksident në autostradën B28.

Y.H, po udhëtonte me veturën e saj ditën e enjte, në momentin kur humbi kontrollin e veturës, që rrëshqiti dhe doli nga rruga, për t’u përmbysur më pas disa herë, shkruan IndeksOnline.

Sipas mediave gjermane, Autostrada B28, nga Metzingen drejt Reutlingen, u mbyll plotësisht pas aksidentit. Një helikopter shpëtimi u aktivizua, gjithashtu.

21-vjeçarja luftoi me vdekjen deri ditën e shtunë, por fatkeqësisht nuk i bëri ballë. Vdekjen e saj e njoftuan dje autoritetet gjermane.

Policia është duke e hetuar rastin dhe shkaqet e aksidentit.

Reagon punëtori i Trepçës i larguar nga puna: Shkova në Gjermani jo me dëshirë, por për të mbijetuar

Pas publikimit të vendimit nga Trepça Sh.A. për shkëputjen e kontratës së punës me punëtorin Fuad Maliqi për mungesë në vendin e punës, ka reaguar vetë Maliqi përmes një deklarate publike, ku jep versionin dhe arsyet e tij për mungesën pesëjavore.

Në shkrimin e tij, Maliqi pranon se nuk ka qenë prezent në punë për pesë javë, por thekson se kjo erdhi pas viteve të tëra të sakrificës, ku përmend pesë lëndime fizike në vendin e punës dhe punë në kushte të pasigurta, pa kërkuar kurrë më shumë sesa dinjitet dhe respekt.

“Nuk ishte mungesë përgjegjësie ajo që më detyroi të largohem – por mungesa e shpresës,” shkruan ai, duke theksuar se ndjehej i harruar dhe i trajtuar si një numër, jo si një njeri. Sipas tij, vendimi për largim nga puna është marrë pa tentuar të dëgjohet ose të kuptohet situata e tij.

Në rrëfimin e tij emocional, Maliqi tregon se është detyruar të largohet nga vendi për të filluar një jetë të re në Gjermani, si shumë të tjerë që, sipas tij, nuk emigrojnë për dëshirë, por për të mbijetuar.

“Trepça ka qenë krenaria e Kosovës. Por pa dinjitetin e punëtorëve të saj, ajo humb kuptimin,” shkruan ai në fund, duke e cilësuar deklaratën e tij si një kujtim, një thirrje dhe një protestë të heshtur për punëtorët që punojnë në terr, dhembje dhe heshtje.

Mustafa: Vjosa Osmani duhet të sqarohet, pse s’qëndroi në Kosovë kur kishte informacione për agresion serb të parandaluar nga Trump

Vjosa Osmani duhet ta bëjë vetëm një ‘sqarim’: pse kur ka [dhe nëse ka] informacione të tilla [për agresion serb në bërje, të parandaluar nga Trump] nuk qëndroi dhe nuk qëndron në Kosovë për t’u ballafaquar me situatën?

Vetëm kaq sqarim i detyrohet vendit – në konferencën e njoftuar për media ‘nga mesi i javës’ – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kështu tha Isa Mustafa, ish-Kryeministri i Kosovës, në një përgigje për ‘Nacionale’ pyetur rreth fjalëve të saj të dhëna në ShBA që u bënë brum për debat të ashpër në vend; për çka edhe s’vonoi përgënjeshtrimi nga emisari amerikan, Richard Grenell, i cili i atribuoi ‘manipulim’ dhe ‘turp’ fjalëve të saj.

Por, jo veç për ‘konfirmim’ kontraverz të fjalëve të Trump, Isa Mustafa rikujton ashpërsinë dhe kundërshtimin e madh të Vjosa Osmanit – në linjë me Vetëvendosjen – ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit, që tash Osmani e lartësoi si marrëveshje të mirë dhe, për më tepër, që “është zbatuar”.

Krejt kjo për Isa Mustafën përbën “mashtrim” nga ana e Vjosa Osmanit, ndërsa tash sheh që ajo bëhet “altoparlante e gabuar”.

“Sa i përket Presidentit Trump, mendoj se nuk i takon znj. Osmani që të interpretojë apo keqinterpretojë fjalët dhe vlerësimet e tij. Çështjet e sigurisë nuk janë të domenit të interpretimit por të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Trump është në Kosovë, sepse këtu janë ushtarët e tij, këtu është NATO, e cila nuk është deklaruar në asnjë rast për këtë rrezik, dhe nuk ka ndryshuar shkallën e mobilizimit ushtarak- luftarak”, tha Isa Mustafa.

Por edhe qysh në premisa, Isa Mustafa, e she krejt këtë tregim në dyshim.

“Është e rendit, që kur Presidentja apo Kryeministri ka informacione mbi rreziqet ndaj sigurisë së vendit, ta thërrasin Këshillin e Sigurisë dhe ta njoftojnë edhe opinionin për atë që mund të njoftohet. Po ashtu, kur ka informacione se vendit po i kanoset rreziku nga Serbia, atëherë Presidentja, si komandante supreme, qëndron në shtetin e saj, që më së paku i ngjanë Presidentes Osmani. Ajo në këtë situatë,’të kohëve të fundit’, e cila thotë se është njoftuar nga brifingje të rregullta për rrezikun nga Serbia, më shumë ka qëndruar në vizita jashtë vendit se sa në Kosovë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull, ose me brifingjet ose me seriozitetin e detyrës së saj si komandante supreme, të cilin atribut ka qejf ta përsërisë shpesh”, tha ai.

‘Mashtrimi’ i Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit

Për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe kundërshtimin e saj – që Osmani e vlerësonte “kundër rendit kushtetues” – Isa Mustafa rikujton se me atë tiketë Osmani dhe Vetëvendosja edhe kanë ardhë në pushtet, dhe “të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë”.

Por, fatkeqësisht – thotë Mustafa – nënshkruesi i asaj marrëveshje, Avdullah Hoti, përveç që është sulmuar dhe kritikuar në masë të madhe nga Osmani dhe Vetëvendosje, “është margjinalizur edhe nga partia e tij (LDK)”.

“Presidenti Trump në vitin 2020, përmes përfaqësuesit të tij special, Richard Grenel, arriti ti ul përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë dhe të Kosovës në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, takim ky që rezultoi me një marrëveshje shumë të dobishme për të dy shtetet. Zonja Osmani ka kundërshtuar këtë marrëveshje dhe mbi bazën e këtyre kundërshtimeve ka ardhur në pushtet së bashku me z. Kurti. Atëherë mendohej se Trump iku, se nuk kthehet, e tani kur u kthye shumë i fortë, mundohen ta mashtrojnë se e kanë implementuar marrëveshjen dhe të bëhen altoparlantë të gabuar të tij.

Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë. Dihet, po ashtu, botërisht se marrëveshja nuk është zbatuar në asnjë pikë. Se Kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, si nënshkrues i saj është sulmuar dhe kritikuar, për fat të keq jo vetëm nga VV dhe znj. Osmani por është margjinalizuar edhe nga partia e tij”, tha Isa Mustafa për Nacionale.