A po ndryshon emri për kryeparlamentar? Ja çfarë u konfirmua sot nga VV-ja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka komentuar zhvillimet rreth procesit të votimit për kryetaren e Kuvendit, duke mohuar se është propozuar zyrtarisht ndonjë emër, ndonëse emri i Albulena Haxhiut është përfolur disa herë publikisht.

Në deklaratën e tij, Peci tha se partia e tij po përpiqet të përmbushë detyrimet kushtetuese, duke marrë pjesë në seancë dhe votime, me qëllim të zhbllokimit të situatës aktuale.

 

 

“Në emër të grupit tonë parlamentar të shprehim keqardhje që edhe sot nuk kemi rezultat në zhbllokimin e gjendjes. Ne si grup jemi duke bërë përpjekje për zhbllokimin e kësaj situate, po kryejmë detyrimet tona ligjore e kushtetuese, duke marrë pjesë në seancë, por edhe duke marrë pjesë në votim. Meqënëse ka sot një përfolje të emrit, ne ende nuk kemi ardhur deri te propozimi i emrit, përpjekja jonë është të kemi proces të votimit të fshehtë. Ne kemi vlerësuar që vullneti i njëmendtë, dhe ndërgjegja e secilit deputet, kontributon në proces të zhbllokimit”, deklaroi ai.

 

TË NGJASHME:

Kurti jep detaje, ky është propozimi i tyre për kryeparlamentar nesër

 

Dështim në Kuvend, festë në Vetëvendosje – Albulena s’fitoi votat, por mori tortën!

 

Memli Krasniqi: E humbëm anëtarësimin në KE për shkak të kësaj bllokade

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është deklaruar para mediave pas dështimit të 16-të të kuvendit.

Krasniqi, u shprehë se qëndrimet e PDK-se, që nga fillimi e deri më sot do të jenë të njëjta, dhe qe sipas tij e humbëm edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pikërisht për shkak të kësaj bllokade.

“Qëndrimet e PDK-se, qe nga fillimi e deri më sot do të jenë të njëjta, e që do të thotë të ofrohet një emër tjetër për kryetarin e Kuvendit. Ne po shkojmë me gatishmëri, me vullnet dhe bindjen që vendit i duhen institucionet. E humbëm edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pikërisht për shkak të kësaj bllokade.”, ka thënë Krasniqi.

Shoku i burgut e kritikon ashpër Kurtin: Dje e harrove Qyshkun ku ranë rreth 100 dëshmorë, vjet nënat e tyre ta puthnin dorën

Shoku i burgut të Albin Kurtit, Naim Lushi i cili njëherit i ka disa familjarë të rënë në masakrën e Qyshkut, ka shprehur pakënaqësit e tij ndaj Kurtit, pasi i njëjti nuk u pa dje në nderimin e kujtimin e 26-vjetorit të masakrës, raporton GazetaDemos.

Lushi i cili shprehu mirëkuptimin e tij ndaj kryeministrit në detyrë për mospjesëmarrje në homazhe, nuk e arsyetoi aspak për mosrikujtimin e kësaj masakre me rreth 100 të rënë, së paku edhe me një shkrim në rrjete sociale.

I njëjti ia rikujtoi Kurtit se është obligative nderimi i gjakut të derdhur për liri.

“Albin, dje na mungove në Qyshk. Mund ta kuptoj agjendën mbase të ngjeshur prej kryeministri në detyrë që do të ta ketë pamundësuar pjesëmarrjen në homazhe për rreth 100 të rënët e fshatrave tona në altarin e lirisë por smund ta kuptoj mungesën e sëpaku një shkrimi apo një fjale në faqet tua në rrjetet sociale, sepse jeni mjaft i kujdesshem që të bëni postime edhe për gjëra krejtësisht dytësore sipas pikëpamjes time. Smund ta kuptoj Albin, sepse e di që jeni koshient për faktin se gjaku i derdhur për liri është obligim të nderohet nga ata që udhëheqin në liri. Madje duhet të nderohet edhe kur jeni kryeminister në detyrë, edhe po të jeni vetëm deputet dhe edhe po të mos jeni asgjë nga këto”, tha Lushi.

Teksa shprehu falenderimet e tij për nderimet nga Ramush e Daut Haradinaj, Lushi i tha Kurtit me një fjalë se kujdesin e treguar ndaj tij, të kthyer me këtë monedhë s’ia kishin për borxh.

Sidoqof Albin, rreth 100 të vrarët nga lokaliteti ynë dje kanë pritur për një buqetë lulesh nga ju, por kam pritur tju shoh aty edhe unë si bashkëvuajtës i juaji në burgjet serbe por besoj kanë pritur e kanë ngelur me sy nga rruga për ta parë hapin tëndë drejt ardhjes edhe ato nënat e nderuara që të patën puthur doren vitin e kaluar në manifestim. Për dallim edhe dje si gjithëmonë nuk na mungoj Ramushi, por sna duket gjë për tu thënë kjo, sepse me prezencen e perhershme të Ramushit ose të Dautit jemi mësuar tashmë. Na duket rrethanë normale, ndaj dhe ndonjëherë harrojmë t’i nderojmë në mënyrë meritore. Por, Albin me ty kemi qënë të kujdesshem. Nuk kemi harruar të ju nderojmë!”, ka shkruar Lushi.

Ky është kosovari që zgjidhet kryetar komune në një qytet në Texas

Gino Mulliqi, me prejardhje nga Kosova, është zgjedhur kryetar i komunës në qytetin Wylie të shtetit të Texasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u emërua në këtë pozitë nga anëtarët e këshillit komunal të qytetit, i cili numëron rreth 60 mijë banorë dhe gjendet në pjesën verilindore të Texasit.

Pas zgjedhjes, Mulliqi ka falënderuar kolegët për besimin dhe mundësinë që t’i prijë qytetit, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për paraardhësin e tij, Tem Jeff Forrester.

“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për ish-kryetarin e komunës, Tem Jeff Forrester, për shërbimin e tij dhe udhëheqjen e qëndrueshme. Jeff ka dhënë një shembull të fortë dhe jam mirënjohës për themelet që ka hedhur”, ka shkruar Mulliqi në një postim në rrjetet sociale.

Ai shtoi se është një nder i madh për të që t’i shërbejë komunitetit të qytetit Wylie dhe premtoi se do ta kryejë detyrën me përkushtim të plotë.

“Jam i përkushtuar që këtë rol ta kryej me integritet, transparencë dhe bashkëpunim”, theksoi Mulliqi.

Zgjedhja e tij në këtë pozitë të rëndësishme përbën një tjetër histori suksesi të diasporës kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aksidenti me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, viktima shtetase e Shqipërisë

Një aksident me fatalitet ka ndodhur dje në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Në përplasjen mes një kamioni dhe një veture, e vdekur ka mbetur një grua. Viktima është shtetase e Shqipërisë, ka bërë të ditur sot Policia e Kosovës.

Trupi i pajetë është dërguar për autopsi.

“Autostrada Ibrahim Rugova / km-7 / 14.05.2025 – 13:00. Një automjet transportues (kamion) dhe një veturë e udhëtarëve me targa të Shqipërisë me drejtues meshkuj shtetas të Shqipërisë janë përfshirë në aksident trafiku në mes vete. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë një femër shtetase e Shqipërisë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Inflacioni nuk ndalet -Çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos rriten ndjeshëm

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 3 për qind më i lartë në muajin prill krahasuar me prillin e vitit 2024 dhe 0.2 për qind në krahasim me marsin e këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në muajin prill, ndër produktet që kanë pësuar rritjen më të ndjeshme të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakaoja – me një mesatare alarmante prej 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Bashkë me to, janë shtrenjtuar ndjeshëm edhe shërbimet për mirëmbajtjen e mjeteve të transportit personal, frutat, vajrat dhe yndyrnat, mishi, energjia elektrike, produktet bazë të bulmetit (qumështi, djathi, vezët), perimet, si dhe shërbimet hoteliere dhe pijet alkoolike.

Sipas të dhënave të muajit mars 2025, inflacioni ishte 0.8 për qind në nivel mujor, dhe 2.9 për qind në nivel vjetor, krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Ndërsa në janar, , inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet mesatare të produkteve gjatë dy muajve të fundit kanë arritur nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.
Vdes një grua në Prishtinë

Të mërkurën rreth orës 02:05, policia ka njoftuar se një femër ka humbur jetën në Prishtinë.

Sipas njoftimit, vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjeksor dhe me kërkesë të familjarëve dhe me rekomandim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Rasti është duke u hetuar nga policia.

“Prishtinë / 14.05.2025 – 02:05. Lidhur me rastin vdekjen e viktimës femër kosovare e ka konstatuar ekipi mjekësor dhe me kërkesë të familjarëve dhe me rekomandim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Ndërsa rasti është inicuar si “hetim i vdekjes”.

Parashikimi i motit për sot

Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku vonë pasdite dhe në mbrëmje, pritet të ketë reshje të pakta lokale shiu, ndërsa pas mesnate intensifikim i reshjeve në të gjithë vendin.

Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-52 km/h, raporton MeteoKosova, transmeton Gazeta Sinjali.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 4 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 24°C.

Peci mundohet të sqarohet pas skandalit rreth tenderit: Është mysliman boshnjak nga Novi Pazari

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas raportimeve se një kompani nga Serbia e  fitoi kontratën për përpunimin e mbetjeve shtazore në Kosovë.

Peci ka thënë se këto janë shpifje dhe dezinformim i qëllimshëm.

Ai përmes një postimi ka thënë se fituesi i kontratës është një kompani nga Serbia dhe se pronari sipas tij është mysliman boshnjak nga Novi Pazari.  Sipas tij, përqendrimi i vëmendjes në përkatësinë etnike të njërit prej aksionarëve është i rrezikshëm dhe i padrejtë.

“Nëse aksionari quhej Muhamed Ragipi, shqiptar nga Lugina por shtetas i Serbisë, a do të kishte jehonë të tillë lajmi? Jo. Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”, ka shkruar ai.

Peci ka ftuar gazetarët investigativë që të hulumtojnë procedurat e dhënies me qira dhe funksionalizimit të fabrikës, por ka theksuar se nuk ka asnjë shkelje ligjore që mund të justifikojë akuzat që janë bërë.

“Të njëjtit le ta gjejnë bazën ligjore që mundëson eliminimin e konkurrencës për shkak të shtetësisë së një aksionari. Kjo do të përbënte shkelje të rëndë ligjore dhe qasje diskriminuese”, deklaroi ai.

Ai ka sqaruar se fabrika është dhënë me qira për interes publik një konsorciumi italiano-kosovar, në bazë të një procedure ligjore dhe transparente.

“U përballëm me shpifje karshi funksionalizimit të kësaj fabrike. E para ishte pretendimi se mungonte baza ligjore – e demantuam. E dyta, se nuk ishte konsorcium – u vërtetua që është. Të tjerat ishin interpretim tendencioz i dokumenteve dhe përpjekje për të krijuar një narrativë të rreme”, shkroi Peci.

Ai thekson se janë cituar gabimisht dokumente që lidhen me një pronë në Ulpianë dhe janë përdorur për të ngritur dyshime për tokën në Drenas, pjesë e së cilës thotë se është moçal.

Ministri në detyrë thekson se Qeveria e Kosovës nuk ka as kompetencë dhe as autoritet ligjor të kontrollojë marrëdhëniet kontraktuale të shit-blerjes së aksioneve brenda një kompanie.

“Nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë që të jetë në rrjedha të çdo transaksioni. Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqësues të kompanisë, jo edhe të dhëna për nacionalitetin e aksionarëve”, thotë ai.

Peci shprehu gatishmëri për sqarime publike në çdo studio televizive që nga dita e nesërme.

Rama jep lajmin e madh: Ja kur fillon largimi i mbeturinave në kryeqytet

Kryetari I Prishtinës Përpaim Rama ka bërë të ditur se sonte fillon largimi I mbeturinave. Ndërsa ka thënë se Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë.

Postimi i plotë i Ramës:

Sonte , Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Sabotazha nuk kalon!

Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë.

Gjatë mandatit tonë, kjo ndërmarrje ka përfituar:

  • 11.5 milionë euro të hyra direkte nga Komuna e Prishtinës, në bazë të detyrimeve kontraktuale,
  • 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj të pastrimit,
  • 3,800 kontejnerë të rinj, të financuar nga Komuna,
  • 400,000 euro në formë subvencionesh shtesë.

Megjithatë, përkundër kësaj përkrahjeje të jashtëzakonshme, menaxhmenti i “Pastrimi”-t ka keqpërdorur paranë publike për:

  • Rritje të pagave për kryeshefin dhe menaxhmentin,
  • Punësime të panevojshme dhe të motivuara politikisht, në kundërshtim me nevojat reale të kompanisë.

Javën e kaluar, si Kryetar i Kryeqytetit, kam thirr seancë të jashtëzakonshme për datën 13 maj 2025, me qëllim të subvencionimit të pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje në vlerë prej 300,000 euro. Për fat të keq, kjo seancë dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së qëllimshme të opozitës.

Për informimin e qytetarëve:

Komuna e Prishtinës në dhjetor 2024 dhe në shkurt 2025 ka ftuar zyrtarisht ndërmarrjen “Pastrimi” për të nënshkruar kontratën e shërbimeve, por kjo është refuzuar qëllimisht nga menaxhmenti i saj, në një përpjekje të hapur për sabotim politik.

Kulmi i këtij sabotimi është arritur sot, me ndaljen e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë Prishtinën, ndonëse Komuna e Prishtinës është financuesi më i madh i kësaj ndërmarrjeje.

Skandaloz është fakti se kjo ndalesë vlen vetëm për Kryeqytetin, gjë që dëshmon qartë motivet politike prapa këtij vendimi.

– Deklaratat e menaxhmentit të Ndërmarrjes Pastrimi, se Komuna e Prishtinës i ka borxh 2.7 milionë euro, janë të PAVËRTETA.

– Komuna e Prishtinës ka ZERO borxh ndaj ndërmarrjes “Pastrimi”.

Situata e krijuar si rrjedhojë e mosofrimit të shërbimeve nga ndërmarrja “Pastrimi”, që rrezikon shëndetin publik në kryeqytet, do të përfundojë menjëherë.

Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave.

Do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat alternativë që kemi në dispozicion.

Sabotazha nuk kalon!

Ju sigurojmë që Kryeqyteti është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla.

Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim të denjë – jo shantazh politik!