Kur patriotizmi bëhet tender: Nga Podgorica në Beograd: Rruga e kompanisë që fitoi kontratën në Kosovë

Një hulumtim i #KallxoPërnime i cili transmetohet të premten zbardhë prapavijën e investitorëve të cilët fituan kontratën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për funksionalizimin dhe operimin e objektit të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

#KallxoPërnime ka zbuluar skemën e fshehjes së pronarëve të vertetë të njërës prej kompanieve që e ka fituar kontratën në Ministrin e Bujqësisë. Kompania që kishte 30% të aksioneve të kompanisë kosovare e cila nënshkroi kontratë me Ministrinë e Bujqësisë figuronte e regjistruar në Podgoricë të Malit të Zi, megjithatë #KallxoPërnime ka gjetur se kompania amë e saj është në Beograd dhe pronar është një shtetas i Serbisë.

 

Dosja ekskluzive zbardhë detaje se si biznesmeni me shtetësi serbe u tërhoq nga investimi pak ditë pasi qeveria nënshkroi kontratë me konzorciumin që fitoi kontratën.

Hulumtimi i #KallxoPërnime zbuloi se kompania pak ditë pasi fitoi kontratën për përpunimin e nënprodukteve shtazore vendosi t’i shes aksionet e veta me vetëm 3 mijë euro.

Dosja zbardhë se kompania me seli në Podgoricë dhe Beograd i shiti 20% të aksioneve tek kompania “Arches Bau”, që ka aksionarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe 10% të aksioneve tek Naser Maloku.

Në një bisedë për emisionin #KallxoPërnime, Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sfidohet me transaksionet e pronësisë së kësaj kompanie dhe lëvizjet e aksioneve të cilat u zhvilluan prapa. Ministri Peci në një intervistë të gjatë jep shpjegimet e tij rreth dhënies së kontratës për funksionalizim e objektit të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

“Jo nuk e kam ditë, për herë të parë po dëgjoj nga ju. Nuk e njoh askënd nga pronarët, nuk më takon mua me i hi me shpalos dokumentacionin e konsorciumit” – deklaron ministri Peci.

Kontrata për dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore u nënshkrua nga ministri Faton Peci pas një vendimi që Qeveria e Kosovës e mori në janar të vitit 2025. Kontrata ishtë dhënë për kompaninë “LIP KS & IT” Sh.P.K.

Hulumtimi zbardhë edhe të kaluarën e familjarëve të njërit prej aksionarëve nga Kosov,a i cili ishte i përfshirë në ‘aferën Brezovica’. Detaje për akuzën dhe lidhjet e kësaj familje me dyshimet për mitdhënje për ish-kryetarin e Shtërpcës, Branisllav Nikoliq.

Historia e kontratës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontarën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë, Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi dhe “LIPITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.

Sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.

Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.

Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.

Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksioniet ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas të dhënave publike, kompania “MR & MNE” D.O.O. ka vetëm një punëtor në Podgoricë, ndërsa ka katër punëtorë në “MR & Co doo” në Beograd.

KALLXO.com që nga 04.04.2025 ka dërguar kërkesa në Agjencinë e Veterenarisë dhe Ushqimit për të kërkuar qasje në dokumente dhe informata rreth fabrikës e cila nuk ishte funksionaluzar për një kohë të gjatë.

KALLXO.com ka gjetur se procesi për dhënin në shfrytëzim të kësaj fabrike kishte filluar më 19.07.2024 nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Pesë muaj më vonë, më 09.01.2025, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të aprovohet dhënia në shfrytëzim e tokës dhe fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Një ditë pas, më 10.01.2025, Faton Peci, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nënshkruar kontratën me titull “Funksionalizimi objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.

Fitues i kontratës ishte shpallur “LIP KS & IT” Sh.P.K., të cilës i është dhënë e drejta për operim për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.

Sipas kontratës, kompania obligohet të paguaj një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj.

Neni 4 i kontratës parasheh edhe subvencionin e kompanisë për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.

“Subvencioni për çdo ton të grumbulluar do të jetë në shumën prej 0.16 cent për kilogram (1 kg)”- thuhet në kontratë. Fabrika për përpunimin e nënprodukteve shtazore kishte nis të ndërtohet nëntë vitë më parë.

Gazetari Ermal Panduri: Allo, ministër Faton Peci! Çka po kërkojnë milionat edhe kompanitë serbe me juve?

Ermal Panduri ka reaguar pas publikimit të skandalit të ri se në kontratën që nënshkroi Peci është i përfshirë edhe një serb.

“Studio e Serbisë, gazetari milioner…”, shkruan Panduri në fillim të reagimit të tij ironik, duke i drejtuar më pas disa pyetje ministrit Peci.

“Allo, ministër Faton Peci! Çka po kërkojnë milionat edhe kompanitë serbe me juve?”, shkruan ndër të tjera gazetari.

Në fund të reagimit të tij, Panduri përmend edhe Naser Malokun, me pyetjen: “Naser Maloku, a je jashtë hala?”, pa dhënë më shumë kontekst për përfshirjen e tij.

Lajmërohen nëntë raste të fruthit në Kosovë, janë nga këto qytete

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.

Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç.

Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).

IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të “importuara”, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit.

“IKSHPK u rikujton prindërve se Fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje.

Më të rrezikuarit nga fruthi janë fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5 vjeçe.

Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në njësitë e vaksinimit në QKMF të komunës së tyre.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Vaksina kundër Fruthit (MMR) jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçe.

Kjo vaksinë është në përdorim prej më shumë se 60 vjetësh dhe se është e sigurt dhe efektive. Të dhënat shkencore kanë dëshmuar se 2 doza të vaksinës ofrojnë rreth 100% mbrojtja nga fruthi.

IKSHPK u rikujton institucioneve parashkollore dhe atyre shkollore detyrimin për zbatimin e Qarkores Informuese Nr. 05/2005 për Informimin e prindërve për vaksinimin e obliguar të fëmijëve, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga inspektoratet përkatëse.

 

Aksident me fatalitet në Autostradën “Ibrahim Rugova”- Kjo është 32 vjeçarja që mbeti e vdekur

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 13:00, në kilometrin e 7-të të Autostradës “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren – Morinë.

Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën si dhe janë lënduar dy të tjerë.

Viktima është, Xhensila Xixa, rreth 32-vjeçare, pasagjere në veturën Tiguan, me banim në Fushë-Krujë, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, thotë Sinjali.

Policia dhe ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit.

E rëndë në Shqipëri: Humbin jetën dy të ri

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy të rinjve 23 dhe 18 vjeç ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë.

Policia tha se aksidenti ndodhi rreth orës 02:30, në aksin rrugor “Shkalla e Tujanit”-Zall Dajt”, ku automjeti me drejtues shtetasin O. C., 24 vjeç, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin B. H., 23 vjeç dhe pasagjer shtetasin O. L., 18 vjeç.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasit B. H. dhe O. L. /euronews.al/

Shembull për t’u ndjekur: Imami i njohur dorëzon kuletën me 1300 euro në polici

Policia në Pejë ka bërë të ditur se një imam në Junik ka gjetur një kuletë me 1300 euro në të dhe dokumente personale.

I njëjti e ka dorëzuar në polici dhe i janë kthyer pronarit.

Njoftimi i plotë:

Me datë 08. 05. 2025, në Stacionin Policor Junik, qytetari Imer Krasniqi Imam nga Juniku, kishte sjellë një kuletë të cilën e kishte gjetur në qytetin e Junikut, në kulet kishte të holla në shumë prej njëmijë e treqind (1300) euro dhe dokumente personale.

Policia ka identifikua dhe ka kontaktuar personin të cilit i kishte humbur kuleta. I njëjti është ftuar në Stacionin Policor Junik, të cilit nga zyrtaret Policor ju ka kthyer kuleta s’bashkua me të holla dhe dokumente personale.

Policia e Kosovës, e falënderon qytetarin Imer Krasniqi për veprimin dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare./

Shtrenjtimi i rrymës nga ZRRE, Gjykata jep verdiktin e saj

Avokati kosovar Ardian Bajraktari ka njoftuar sot se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar padinë e dorëzuar nga grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës për 16.1 përqind.

Në një postim në Facebook, ai ka publikuar dokumentin e vendimit, duke paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit kundër këitj aktvendimi, teksa ka thënë se ankesën e kanë gati.

“Kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e Padisë tonë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Tashmë, gati është Ankesa për Gjykatën e Apelit ndaj këtij Aktvendimi. Beteja ligjore kundër vendimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon!”, ka shkruar Bajraktari.

“Pse veç ai ose askush?”: Mehmetaj rikthen kohën kur Kurti kundërshtonte në vetëm një emër për kryeparlamentar

Gazetari Lirim Mehmetaj ka rikthyer një pjesë të intervistës së deputetit të VV-së, Albin Kurti, te Baton Haxhiu, ku ai kritikonte në atë kohë koalicionin fitues të zgjedhjeve për insistimin në vetëm një emër për kryetar të Kuvendit.

Në postimin e tij, Mehmetaj i referohet deklaratave të mëhershme të Kurtit, ku ai dikur kundërshtonte idenë që një pozitë kaq e rëndësishme si ajo e kryetarit të Kuvendit të lidhej domosdoshmërisht me një emër të vetëm.

“Pse do të duhej që kryetari i Kuvendit të ishte ose ai, ose askush tjetër?”, deklaronte Kurti në atë kohë, ndërkohë që aktualisht po vepron me të njëjtën logjikë, duke insistuar vetëm në Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Tërmet i fortë në Greqi, lëshohet paralajmërimi për cunami

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter u regjistrua sot rreth dy orë në zonën detare 20 kilometra në jug-jugperëndim të ishullit Kasos, në lindje të Kretës, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.

Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 64.4 kilometrash, raportoi Katimerini. Tërmeti u ndje pranë Kretës, si dhe në ishujt Rodos dhe Kos, si dhe në disa pjesë të Turqisë, dhe si masë paraprake u lëshua një paralajmërim për cunami, shkruan euronews.

 

Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme të rënda materiale. Presidenti i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP) dhe profesori i gjeologjisë, Efimios Lekas, tha se thellësia prej 60 kilometrash ishte një tipar kyç i këtij tërmeti, pasi uli intensitetin në sipërfaqe.

Sipas përshkrimeve të para të banorëve, nuk u regjistrua asnjë ndikim i rëndësishëm i tërmetit. Lekas ​​theksoi se tërmete të tilla në atë thellësi zakonisht ndodhin si ngjarje individuale, pa aktivitet të theksuar para ose pas sizmik.

Ai shtoi se tërmeti ndodhi në “Harkun Grek”, vendin ku përplasen pllakat tektonike evropiane dhe afrikane.

Duke komentuar mbi lidhjet e mundshme me tërmetet e fundit në Santorini dhe Turqi, Lekas ​​theksoi se nuk ka lidhje, pasi kushtet gjeotektonike janë të ndryshme.

Vdes një grua në QKUK

Gazeta Sinjali mëson se një rast i vdekjes së papritur të një gruaje është raportuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, më 14 maj 2025, në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, Prishtinë.

Sipas burimeve të sigurta të Sinjalit, viktima është Igballe Krasniqi, 50-vjeçare nga fshati Zllakuqan, komuna e Lipjanit, e cila ndodhej si shoqëruese e një pacienti në klinikë. Ajo është gjetur pa shenja jete rreth orës 02:30 dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e saj në vend.

Fillimisht, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e infarktit, por për shkak të kërkesës së familjarëve dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit, është vendosur që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, ndërsa është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka autorizuar procedurat e nevojshme hetimore.

Rasti është inicuar dhe mbetet nën hetim, në pritje të rezultateve të obduksionit që do të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes.