Lokalizohen motoristë nga Suhareka, që u zhdukën në Shtërpcë

Katër motoristë nga Suhareka shkuan sot në Shtërpcë për atraksion, pa ditur që orë më pas do të nisej një operacion për kërkim-shpëtimin e tyre.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njoftoi se ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi në qytetin e Shterpcës, për lokalizimin dhe shpëtimin e katër motoristëve.

Sipas SHKKSH, ekipet e saj janë në terren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe janë duke punuar intensivisht për gjetjen e personave të zhdukur.

Tani, është konfirmuar se motoristët janë lokalizuar dhe shumë shpejt pritet të bëhet tërheqja e tyre.

Sipas informacioneve fillestare, fatmirësisht motoristët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Zhduken katër motoristë në Shtërpcë, nis operacioni i kërkim-shpëtimit

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ka njoftuar se ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi në qytetin e Shterpcës, për lokalizimin dhe shpëtimin e katër motoristëve nga Suhareka.

“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ju njofton se kemi filluar një operacion kërkim-shpëtimi në qytetin e Shterpcës për gjetjen e 4 motoristëve nga Suhareka,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas SHKKSH, ekipet e saj janë në terren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe janë duke punuar intensivisht për gjetjen e personave të zhdukur.

“Ekipet tona janë të angazhuara në terren së bashku me Policinë e Kosovës dhe po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e tyre”.

Blerta Deliu-Kodra nis pushimet, ky është destinacioni i përzgjedhur

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka vendosur që pushimet t’i kalojë jashtë vendit, duke zgjedhur Kroacinë si destinacion.

Ajo ka ndarë me ndjekësit një fotografi nga kryeqyteti kroat, Zagrebi, ku shihet e buzëqeshur dhe në shoqërinë e bashkëshortit të saj.

Polici rrah gruan dhe e bën për spital, arrestohet dhe suspendohet nga puna

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor në Gjilan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.

Sipas njoftimit të IPK-së, incidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 10 majit 2025.

Pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës lidhur me ngjarjen, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë vizituar vendin e ngjarjes.

 

 

Viktima e dhunës është dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Pas veprimeve fillestare hetimore, është konsultuar edhe prokurori kompetent, i cili ka vendosur që të caktojë masën e ndalimit për 48 orë ndaj zyrtarit policor.

“Si pjesë e procedurës hetimore dhe administrative, zyrtari është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së. Hetuesit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, do të vazhdojnë hetimet për ndriçimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes dhe për marrjen e masave të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i i IPK-së:

 

 

Komunikatë për media

IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për dhunë në familje

 

 

Prishtinë/Gjilan, 10 maj 2025

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

 

 

IPK kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Gjilan ka kryer veprën penale dhunë në familje përderisa incidenti raportohet të ketë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjilan.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore kurse viktima në këtë rast është dërguar për tretman mjekësor.

Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Gjilan do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Trump ka paralajmëruar një “njoftim të rëndësishëm” – a mund të jetë kjo një shenjë se…

Arabia Saudite do të presë në mesin e majit një samit të rëndësishëm mes vendeve të Gjirit dhe Shteteve të Bashkuara, i cili përkon me vizitën e parë të presidentit amerikan Donald Trump në këtë vend gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Ky zhvillim pason samitin e mëparshëm të mbajtur më 21 maj 2017, gjithashtu në Riad, gjatë mandatit të parë të Trump, shkruan Gazeta Sinjali.

Samiti vjen pas deklarimeve të presidentit amerikan, i cili më 6 maj, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin kanadez Mark Carney, paralajmëroi një “njoftim shumë të rëndësishëm”, pa dhënë më shumë detaje. Ky paralajmërim ka rritur pritshmëritë në lidhje me një shpallje të mundshme që lidhet me politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme.

Burime diplomatike të Gjirit, që kanë kërkuar të mbeten anonime, kanë pohuar se “presidenti Donald Trump do të lëshojë një deklaratë në lidhje me shtetin e Palestinës dhe njohjen e tij”. Sipas tyre, një deklaratë e tillë “do të jetë deklarata më e rëndësishme që do të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme dhe më shumë vende do t’i bashkohen Marrëveshjes së Abrahamit”.

Pjesë e axhendës së samitit do të jenë edhe marrëveshjet në fushat e sigurisë, mbrojtjes, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Në takim pritet të marrin pjesë të gjithë liderët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, me përjashtim të mbretit saudit Salman bin Abdulaziz, i cili për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk ka marrë pjesë në aktivitete publike kohët e fundit.

Mediat gjithashtu raportojnë se “marrëveshjet ekonomike me siguri do të jenë të pranishme, por shumë prej tyre tashmë janë shpallur dhe mund të jemi dëshmitarë të përjashtimit të vendeve të Gjirit nga tarifat”.

Ndërkohë, bëhet e ditur se presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk janë ftuar në këtë samit, çka është interpretuar si një sinjal për ndryshimet në prioritetet diplomatike të këtij takimi.

Kosova përballë një vale të re çmimesh – institucionet në gjumë

Rritja prej gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind (16.1%) e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ka shkaktuar një valë të re të inflacionit, duke shkaktuar ngritje të çmimeve për produktet bazike të vendit dhe ato të importuara. Kështu shtrenjtimi i rrymës nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka rritur ndjeshëm koston e jetesës për qytetarët, të cilët tashmë ndihen të frustruar përballë çmimeve në rritje. Për këtë shqetësim, ekspertët e ekonomisë kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, raporton KosovaPress.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka shprehur shqetësimin e tij se ky shtrenjtim po godet qytetarët në dy drejtime – nga njëra anë po humbet vlera e parasë për shkak të inflacionit, dhe nga ana tjetër po ulet standardi jetësor.

Ai bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore përmes politikave fiskale dhe monetare që synojnë të zbusin efektet e krizës.

“Qytetarët po dëmtohen dy herë, në kuptimin që po humb vlera e parasë dhe po ulet standardi jetësor. E para është përmes rritjes së çmimit të energjisë elektrike në ekonominë familjare, dhe rritjes së çmimit në produktet tona vendore, duke përfshirë edhe ato që importohen për shkak të tendencës së rritjes së inflacionit, jo vetëm në tregun e Kosovës, por edhe në atë të BE-së…Institucionet e vendit ish dashtë me urgjencë të reagojnë nëpërmjet politikave fiskale, politikave monetare, edhe pse ne nuk prodhojmë valutë, por me pa se çka mund të subvencionojë interesat e kredisë për prodhuesit tanë, por edhe për eksport që janë. Po ashtu mepa mundësinë se ku ka hapësirë të subvencionoj, qoftë biznesin apo qytetarin e Republikës së Kosovës që të mos e vërejë këtë rritje, ose këtë tendencë të rritjes së çmimeve”,thotë Rafuna.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se me vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin të energjisë, jeta e qytetarëve do të rëndohet me rritje të çmimeve në përgjithësi.

“Me vendimin e ZRRE-së do të ketë efekt zingjiror në ekonomi. Jemi para një akti të kryer, pasi si pjesa e gastronomisë, po ashtu edhe buka çdo ditë e më shumë po kemi ngritje të çmimeve. Shteti në vend se të marrë hapa në lehtësimin e jetes së qytetarit, shteti me vendimet e veta po rëndon çdo ditë e më shumë jetën e qytetarit”, thotë Kadrijaj.

Ndërkohë, qytetarët shprehen të zhgënjyer nga rritja e çmimeve. Ata thonë se çmimet po i godasin rëndë, veçanërisht ata me të ardhura fikse si pensionistët. Fahredin Halimi thekson se çmimet në Kosovë asnjë herë më të shtrenjta nuk kanë qenë.

“Çmimet në Kosovë kurrë më keq nuk kanë qenë, asnjë pagë nuk i paguan ato, le më ne pensionerët po heqim më së shumti. Në vend se t’i zbresin po i rrisin…Veç për barna çka po shkojnë boll, e lë më tjera rrallë…Shteti ish dashtë prej klasës që ka pagat më të ulta t’i rrisë dhe t’i zbresë çmimet sepse janë rrit për së tepërmi”, thotë Halimi.

Edhe Rexhep Hajdari, një tjetër qytetar, shprehet i shqetësuar ngritjen e çmimeve, derisa kërkon ndërhyrjen e shtetit në këtë drejtim.

“Çmimet të larta janë…Rroga e dobët, dikush nuk ka hiq, të larta janë çmimet…Ish dashtë (të ndërhyjë shteti)…Lartëështë buka, dikush nuk ka kushte”, thotë Hajdari.

Qytetarja Merihban Dula thotë se nuk po arrin t’i përballoj çmimet e larta, dhe pa ndihmën e fëmijëve nuk mund të jeton.

“Shumë shtrenjtë janë për të jetuar, për pensionet s’ka ku të shkoj për çdo gjë. Ushqimi është shumë shtrenjtë…Mos mem ndihmu djemtë, nuk mund të jetojë me pension. 100 euro veç barna i blej…Buka e të gjitha, si t’i qël sytë nëmëngjes është shumë shtrenjtë”, thotë Dula.

KosovaPress ditë më parë kishte raportuar se shtrenjtimi i rrymës për gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve për disa produkte esenciale, përfshirë produktet e bukës dhe kafesë deri në pesëdhjetë përqind (50 %)

Ekipi i KosovaPress ka vizituar disa furra dhe dyqane. Shihet se mantia është shtrenjtuarpesëdhjetë përqind (50 %). Një manti deri dje ka kushtuar zero pikë pesëmbëdhjetë centë (0.15), sot në disa furra të Prishtinës çmimi i saj ka arrit zero pikë njëzet centë.

Bureku është shtrenjtuar njëzetepesë për qond (25%). Një burek në Prishtinë në shumicën e furrave është shtrenjtua nga një euro e njëzet euro në një eurp e pesëdhjetë euro, kurse në disa qytete tjera të Dukagjinit, si në Gjakovë, çmimi i burekut ka arrit deri një euro e shtatëdhjetë centë.

Buka është shtrenjtuar deri njëzet përqind. Një bukë gjysmë kilogramë deri dje ishte pesëdhjetë centë, ndërsa sot në Prishtinë ky çmim ka arrit në gjashtëdhjetë centë.

E rëndë: Shembet dheu i zë dy punëtorë

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në fshatin Poroçan të bashkisë Gramsh të Shqipërisë, ku një masiv dheu është shembur në afërsi të një hidrocentrali në ndërtim.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se dy punëtorë janë zënë nga dheu në momentin e shembjes së kanalit, shkruan A2 CNN.Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e tyre.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar standardet e sigurisë në kantierin e punimeve.

India dhe Pakistani pajtohen për armëpushim

India dhe Pakistani kanë arritur të shtunën marrëveshje për armëpushim, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund përleshjeve mes vete.

Ka javë që këto dy vende fqinje – të armatosura me armë bërthamore – kanë shkëmbyer zjarr ndaj njëri-tjetrit, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve muajin e kaluar për të cilin India e fajësoi Pakistanin.

Këto ishin përleshjet më të mëdha mes tyre ndër dekada dhe shkaktuan dhjetëra viktima civile në të dyja palët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte i pari që njoftoi për arritjen e armëpushimit mes Indisë dhe Pakistanit, duke thënë se ato pajtohen për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm.

“Urime të dyja vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe inteligjencës së madhe. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” shkroi Trump në Truth Social.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, tha se Pakistani dhe India kanë rënë dakord për një armëpushim të “plotë” dhe “jo të pjesshëm”, duke shtuar se rreth dhjetëra vende ishin përfshirë në diplomacinë që e bëri të mundur këtë marrëveshje.

Disa orë para marrëveshjes, Pakistani e nisi një operacion ushtarak kundër Indisë, pasi e akuzoi atë për sulme raketore në drejtim të tri bazave ajrore pakistaneze mbrëmjen e së premtes.

Burime të sigurisë pakistaneze i thanë Radios Mashaal se operacioni mbante emrin e koduar “Bunyanun Marsoos”, një fjalë arabe e marrë nga një varg i Kuranit që do të thotë “shtyllë e fortë”.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte biseduar me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir, dhe i kishte bërë thirrje të dyja palëve që të gjenin mënyra për ta shtensionuar situatën.

Rubio gjithashtu kishte ofruar ndihmën e SHBA-së për të nisur bisedime konstruktive në mënyrë që të shmangen konfliktet e ardhshme, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Tammy Bruce, të premten.

Shërbimi i Forcave të Armatosura të Pakistanit për Marrëdhënie me Publikun (ISPR) tha se gjatë sulmeve të shtunën në mëngjes shkatërroi një depo ku India ruante raketat BrahMos. Ushtria tha se goditi edhe disa lokacione të tjera, përfshirë aeroportin ushtarak Pathankot dhe bazën ajrore Udhampur. Gjithashtu, theksoi se hodhi raketa Fatah 1 ndaj këtyre dy bazave indiane.

Ushtria indiane e quajti të papranueshëm operacionin e Pakistanit.

“Përshkallëzimi i hapur nga Pakistani me sulme me dronë dhe municione të tjera vazhdon përgjatë kufirit tonë perëndimor. Në një nga këto incidente, sot rreth orës 5 të mëngjesit, u panë disa dronë të armatosur mbi Khasa Cantt, Amritsar”, tha ushtria indiane në rrjetin X.

“Dronët armiqësorë u shkatërruan menjëherë nga njësitë tona të mbrojtjes ajrore”, tha ajo.

Burime të sigurisë pakistaneze pretenduan gjithashtu se ishte kryer një sulm i sinkronizuar kibernetik dhe se energjia elektrike në disa qytete ishte ndërprerë.

Pakistani tha më herët se raketat, të lëshuara nga India, kishin rënë në disa lokacione të ndryshme në territorin pakistanez.

Njëra nga raketat goditi bazën ajrore Noor Khan në qytetin Raëalpindi. Kjo bazë është selia e ushtrisë dhe ndodhet më pak se 30 kilometra nga ndërtesat kyçe si Shtëpia Presidenciale, Parlamenti dhe rezidenca e kryeministrit në kryeqytetin Islamabad.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, menjëherë pas sulmeve të mbrëmjes së 9 majit, drejtori i përgjithshëm i ISPR-së, gjeneral Ahmad Sharif, tha se ishte penguar një sulm i Indisë që kishte si objektiv bazën ajrore Noor Khan.

Ai shtoi se dy raketa të tjera ishin lëshuar drejt bazave të tjera ajrore – Murid dhe Shorkot. Sharif pretendoi gjithashtu se India kishte lëshuar disa raketa edhe në Afganistan.

Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.

Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.

India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.

Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, të cilën India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian.

Kashmiri është i ndarë mes tri vendeve me armë bërthamore. India kontrollon rreth 45 për qind të tij, Pakistani rreth 35 për qind, dhe Kina – pas një lufte të shkurtër me Indinë në vitin 1962 – mban 20 për qind./Radio Evropa e Lirë

Sfondi i Windows XP nuk është më ai që mbani mend – ja si duket sot

“Bliss”, sfondi ikonik i Windows XP që është cilësuar si fotografia më e njohur në botë, nuk është më ai që dikur e njihnim.

Fotografia, e realizuar në vitin 1998 nga fotografi Charles O’Rear në luginën Napa të Kalifornisë, paraqiste kodra të gjelbra nën një qiell të pastër blu dhe për vite të tëra zbukuronte ekranet e miliona kompjuterëve anembanë globit.

Por pamja që dikur ofronte një ndjesi qetësie dhe nostalgjie, sot është transformuar. Livadhet janë zëvendësuar me vreshta, një ndryshim që ka shkaktuar reagime të përziera në rrjetet sociale.

Disa komentues e kanë cilësuar ndryshimin si “të trishtueshëm” dhe “depresiv”, ndërsa të tjerë e mbrojnë pamjen e re duke pohuar se edhe vreshtat kanë bukurinë e tyre dhe se vendi ende ruan njëfarë magjie natyrore.

Fotografi O’Rear e ka shkrepur këtë fotografi rastësisht, teksa po kalonte pranë asaj fushe që në atë kohë ishte bosh për shkak të një sëmundjeje që kishte prekur hardhitë.

Kosova s’po gjenë qetësi: Vëllau plagos motrën

Policia Rajonale e Ferizajt ka arrestuar një person për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe dhunë në familje pas një incidenti të rëndë që ndodhi rreth orës 10:00 në rrugën “Mejdi Xhaferri” në Ferizaj.

Siç njofton Policia, i dyshuari E.M., 19-vjeçar dyshohet se e ka plagosur motrën e tij, 25 vjeçare, me armë zjarri dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Pas një operacioni të shpejtë të policisë, i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua. Viktima, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore, ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit, me të cilën dyshohet të jetë kryer sulmi.

Motivi i këtij incidenti ende mbetet i paqartë. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit dhe hetimet vazhdojnë.