Muja: Kurti ia kaloi Rugovës me vota, mendohet si një prej liderëve me më së shumti besim

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka thënë se kryeministri Albin Kurti ia ka kaluar ish-presidentit Ibrahim Rugova me vota, e që sipas tij, i pari i qeverisë konsiderohet si njëri prej liderëve me më së shumti besim.

“Populli i Kosovës nga viti 2019 e këndej, ka vendosë që lider duhet me qenë Albin Kurti, në kuptimin e sakrificës së të kaluarës por edhe një dëshirë për të ardhmen, kështu e kanë parë si simbiozë dhe kanë vendosur që këtë lidership t’ia japin Albin Kurtit”, tha Muja në “Dpt te Fidani”, njofton Klankosova.tv.

“Pas Rugovës, mendoj që e tejkaloi edhe numrin e votave të Rugovës, mendohet që është një prej liderëve me më së shumti besim. Tani, individualisht, Albin Kurti i ka 47.7 për qind vetëm vet besim, sipas sondazhit të ‘Iri-it’”, tha deputeti.

Ja kur pritet të rriten pagat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se është paraparë që në vitin 2026 dhe ashtu edhe në vitin 2027, do të ketë rritje të pagave.

Sipas tij, pagat nuk janë rritur vetëm në prag të zgjedhjeve, dhe përmend se pagat janë rritur edhe në vitin 2023, njofton Klankosova.tv.

“Qeveria Kurti është ballafaquar me tri kriza, një është pandemia, dy ka qenë kriza e energjisë, dhe tre ka qenë kriza e inflacionit.  Në vitin 2012 dhe 2008 me kësi lloj krizash ka pasur rritje ekonomike vetëm 1 për qind, ndërsa ne kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike, mbi 6 për qind”, tha Muja në “Dpt te Fidani”.

“Ka pasur rritjeve të pagave në vitin 2023, në vitin 2024 dhe ka rritje të pagave në vitin 2025. Kemi paraparë rritje të pagave edhe në vitin 2026 dhe në vitin 2027, sipas parimit se kur rritet ekonomia, të rriten dhe rrogat”.

Ky është moti për dy ditët e ardhshme

Mot pothuajse i ngjashëm do të vazhdojë të mbajë edhe gjatë fundjavës, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Në mëngjes nëpër ultësira parashihet të ketë mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës mes 10 deri 13 gradë.

Të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Në mëngjes parashihet të krijohet mjegull e radiacionit. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri -1 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës mes 9 – 12 gradë Celsius.

Muja beson se LVV del me 54 përqind në zgjedhjet e ardhshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, beson se partia e tij do ta tejkalojë rezultatin e votave të fituara në zgjedhjet e kaluara.

“Unë e shoh rezultatin mbi atë të 14 shkurtit të vitit 2021”, deklaroi ai në emisionin “DPT TE FIDANI” në Klan Kosova.

“Nëse gjërat mbesin siç kanë qenë përpara dhe i marrim diku rreth votat e njëjta të diasporës, që ishin rreth 60 mijë, presim që rezultati tani të jetë mes 53-54 përqind. Unë besoj që kështu do të jetë, kështu i shoh rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme”, shtoi Muja, duke theksuar se çdo votë e popullit të Kosovës ka rëndësi dhe se këtë e thotë me përulësi.

 

Shqiptari vret gruan në sy të vajzës dhe prindërve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Worchester të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një shqiptar ka vrarë bashkëshorten e tij në sy të vajzës dhe prindërve.

Sipas Euronews,al, Bruna Flamuraj është vrarë nga bashkëshorti i saj Lindi Flamuraj rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm, transmeton Klankosova.tv.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se shkak për sherrin mes çiftit ishte xhelozia.

Ndërkohë, deri më tani nuk ka ende detaje të tjera në lidhje me ngjarjen, por ajo që raportohet është se autori është shtruar në spital i plagosur, pasi ka pësuar dëme gjatë konfliktit me të shoqen, ngjarje që përfundoi me vrasjen e saj.

Vdes edhe një pjesëtare e Policisë së Kosovës

Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka vdekur Shqipe Zenelaj, pjesëtare e Policisë.

“Me rastin e vdekjes së pjesëtares së Policisë, Shqipe Zenelaj, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”

Kusari-Lila diagnostikohet me kancer të gjirit

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar se është diagnostikohet me kancer të gjirit.

Ajo tha se 3 javë më parë, gjatë një kontrolli rutinë të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit”…dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim”, ka shkruar ajo.

Detektimi i hershëm shpëton jetë! Të dashura mike dhe miq,

Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit.

Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinë të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare…, vendosëm për operacion dhe trajtim.

Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda.

Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.

Një falënderim i veçantë për radiologen dr. Shkëndije Nuza, kirurgun torakal dr. Avni Behluli, drejtorin e Klinikës Torakale dr. Nazmi Kolgeci, anesteziologen dr. Medita Hashimi, motrës/infermiere Sadbere si edhe infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës të Klinikës Torakale në Prishtinë.
Angazhimi dhe përkushtimi i tyre ishte profesional dhe shumë njerëzor.

Ju faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj.

Shëndet e dashuri për të gjithë ju

Dimal Basha tallet me ushtarët e KFOR-it tek Ura e Ibrit: Le të bëjnë sallta mbi urë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë se është e paarsyeshme që KFOR-i po vazhdon që të ruaj Urën e Ibrit.

Basha tha se kjo urë më herët është ruajtur nga organizatat terroriste dhe sipas tij, tani nuk ekziston asnjë arsyeje që ta qëndrojnë aty- pasi ura është e sigurt.

Duke iu referuar ushtrimeve ai tha se karabinierët mund të bëjnë edhe “sallta” mbi urë, por që ura është dashur të hapët. Por ai thotë se Qeveria nuk mund të luftojë me KFOR-in.

“Mendoj që është e paarsyeshme edhe për ata që e ruajnë Urën e Ibrit… Ura është në mes dy anët e Mitrovicës është e sigurt, njerëzit qarkullojnë e ata e ruajnë, pra prej kujt?…Me herët është ruajtur nga organizatat terroriste, tash nuk ka më Brigada të Veriut, e tash mi vet ushtarët e KFOR-it se çfarë jeni duke bërë këtu, thonë na kanë thënë. Gjynah…në rregull është ata edhe le të bëjnë sallta mbi urë, unë nuk jam duke thënë mos me bë… Ura është siguru,por na nuk mundemi me hi me luftu me KFOR bre. Normal që do te ketë koordinim. Mirë është ju me i thirre ndërkombëtarët dhe me ju thënë se pse po bëjnë sallta mbi urë, kur ajo është e sigurt”, ka deklaruar ai në Tëvë 1.

Ndryshe, në muajin prill Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Qeveria e Kosovës kishte nisur përgatitjet  për hapjen e urës së Ibrit, por kjo kishte ngjallë reagime të mëdha nga vendet e BE-së dhe ShBA.

Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë.

Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”. Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës.

Limaj për ministrat e Kurtit: Krejt bashkë s’kanë bërë punë sa kam bërë unë për dy vjet e gjysmë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kritikuar punën e ministrave të Qeverisë Kurti për mos punë.

Ai është shprehur se për dy vjet e gjysmë ka bërë punë më shumë se të gjithë ministrat e Qeverisë Kurti.

“Mua më vjen keq sot se nuk duhej të ishin të krahasueshme, 12 vjet pas, nuk krahasohet puna e para 12 viteve me sot, sepse rrethanat kanë qenë tjera.Dhe me ardhë puna pas 12 vitesh që të të them “vendosmi krejt ministrat e qeverisë në njërën anë dhe unë në njërën anë, asnjëri s’kanë bërë punë bashkë, sa kam bërë unë për dy vjet e gjysmë”, është shprehur ai.

Ai është shprehur se shteti dhe vendimmarrja nuk janë hajgare.

Më tutje kryetari i Nismës, u shpreh se vendimmarrja dhe negocimi janë art dhe sipas tij, me to vendi shtyhet përpara.

Këta janë kandidatët për deputetë nga Prishtina në radhët e LDK-së, bie në sy ish-kryetari i Prishtinës

Lumir Abdixhiku në tubimin e LDK-së ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Prishtina për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Alban Zogaj, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica Xhelili, Dorentina Maloku, Elma Nikci, Florian Dushi, Donketa Dragusha, Hykmete Bajrami, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Jeta Rafuna, Krenar Xhaferi, Fiknete Bejta, Sibel Halimi, Sokol Havolli, Vlora Dumoshi, dhe Arben Gashi”, ka thënë ai.

Abdixhiku, ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen ndryshimit.

Duke folur para anëtarëve të 5 degëve të LDK-së në Prishtinë, Abdixhiku tha se i takon LDK-së ta bëjë rrugën e zhvillimit.

Abdixhiku tha se përgjatë 2 viteve të fundit, gjatë takimeve me qytetarët anembanë Kosovës, ka takuar të vërtetën e dhimbshme.